Administratori shigjeton lojtarët dhe trajnerin pas humbjes. Idrizi: Nuk toleroj më, Flamurtari më i dobët
Në Vlorë nuk do të tolerohet më. Humbja me Burrin ka “djegur” shumë. Sinan Idrizi e cilëson papërgjegjshmëri të stafit drejtues dhe futbollistëve disfatën në Vlorë që në takimin e parë, që e cilëson si ndeshja më e keqe që ka parë ndonjëherë që në kohën kur ka marrë drejtimin e Flamurtarit.
Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, Idrizi vendosi të flasë troç. Me përgjegjësi vesh edhe trajnerin Agostineli, pasi siç thotë, me të në krye skuadra ka humbur luftën. Idrizi kritikat nuk i ka rezervuar as për lojtarët.
Idrizi, pavarësisht investimit të kryer, emrave të mëdhenj e miliona të hedhura, Flamurtari e nisi me humbje. Çfarë ndodhi sipas jush?
Nuk është problemi që u nis me humbje. Problemi është se unë pashë një vetëbesim e mendjemadhësi të tepruar. Pashë një papërgjegjshmëri të papranuar nga stafi i Flamurtarit dhe në veçanti nga lojtarët që ishin në fushë. Kemi lojtarë me tepër përvojë siç Batha, Trashi dhe shumë të tjerë pa dashur të përmend emra. Për mua nuk ka rëndësi nëse është ndeshja e parë apo e fundit. Një ndeshje është një ndeshje, cilado qoftë ajo. Morën një shembull se si luhet futboll nga ata djemtë e mrekullueshëm të Burrelit. Na treguan se si luhet futboll.
Lojtarët tanë kishin vetëm emrin në fushë, asgjë për të treguar. Kishin emrin, kishin dhe kontratat e majme dhe kaq. Pjesa tjetër tregoi se janë njerëz të papërgjegjshëm për të luajtur futboll. Nuk e di, por është mirë t’u rikujtojmë këtyre djemve tanë te Flamurtari, që të paktën të sillen si profesionistë. Të kryejnë detyrën ndaj atij që i ka thirrur të nënshkruajnë kontratën, ndaj atij që ka marrë përsipër të kryejë detyrën financiare dhe mbi të gjitha mbi ngjyrat e qytetit. Nuk kanë të drejtë këta djem që luajnë futboll e nga stafi drejtues, që të nëpërkëmbin, qyteti nuk mund ta tolerojë dot më. Ky është mesazhi im.
Pas atij rezultati negativ, ju vetëm u ndjetë keq?
Kjo është nga ndeshjet më të plogështuara që unë kam parë që kur kam ardhur te Flamurtari. Më dhemb më shumë nga të gjithë. Ne mund të mundemi, nuk ka asnjë gjë të keqe, mund të ankohemi, mund të themi këto të zakonshmet fare, jo na e kishin fajin ata, jo na e kishin fajin këta. Ndonjëherë me të drejtë, ndonjëherë të ekzagjeruar. Kjo që pashë këtë herë… Mund të mundemi edhe 5-0. Kemi rënë në Kategori të Dytë dhe kam thënë “ok”, këta djem kemi, këtë futboll kemi. Më jepni një arsye se çfarë ndodh me këtë ekip që në pjesën e dytë nuk ka një rast të pastër në portë?
Është i çorientuar, për çfarë? Unë nuk bëj asnjëherë analizë teknike, sepse kam stafin drejtues që merret me këtë punë. Flas tani si një tifoz që jam ulur në shkallët e stadiumit. Jam një vlonjat që kam qenë gjithmonë tifoz i përhershëm i Flamurtarit. Pyetje e thjeshtë fare, t’i japin përgjigje këta. Nga ana tjetër, kemi një ekip si Burreli që mund të kishte bërë golin e tretë dhe të katërt. Ajo shtylla për mua ishte gol i pastër.
A është kjo një kambanë alarmi?
Nëse një pjesë nga këta nuk janë të qartë, te Flamurtari unë nuk do të toleroj më. Atë pjesën e agjitatorit që kam dashur të jem i mirëkuptueshëm, të jenë të qartë që këtë vit nuk do ta kenë më. Nuk do të pres muajin qershor për të marrë masat, të jemi të qartë për këtë. Nuk e kam si kërcënim. Është ajo që nuk ka më pikë vlimi.
Prisnit më shumë nga trajneri dhe është edhe ai përgjegjës për këtë?
Po patjetër! Nëse nuk është trajneri përgjegjës, kush është? Ti thua tani që kemi nxjerrë komandantin me ushtarët në fushë, ushtarët humbin ndeshjen, por komandanti është një njeri që nuk ka përgjegjësi. Tani problem është që këtu është humbur lufta. Nuk flitet më tani kush është i zoti, kush jo. Ka dalë ekipi me në krye zotërinë në fjalë, trajnerin e Flamurtarit, dhe kanë humbur ndeshjen.
Përvoja e trajnerit është e tillë dhe jam i sigurt se do ta rikuperojë shumë shpejt. Nuk duhet të ndodhin më këto gjëra, është e patolerueshme. Unë e përsëris, mund të mundemi 5-0, por duhet të derdhim djersë në fushë. Atë ditë ne kishim pesë mungesa dhe kjo është histori tjetër. Por të thuash për një ekip me kaq cilësi, që patëm mungesa, më duket pak e tepërt.
Trajneri Agostineli tha pas ndeshjes se nga kjo humbje krijoi një ide më shumë dhe u shpreh i bindur se objektivi do të arrihet. Si i komentoni këto deklarata të tij?
Nuk e di çfarë ka thënë dhe nuk e kam ndjekur pas ndeshjes, një nga më të dëshpëruarat që unë kam parë te Flamurtari. Më të dëshpëruarat…
Nuk keni takuar as trajnerin dhe as futbollistët?
Asnjë nuk kam takuar, sepse nuk kam çfarë të takoj. Nuk do të bëjmë më lojëra fjalësh, kush e kishte fajin dhe kush jo. Problemi është ai i faktit. Ne kemi një trajner nga më të mirët që ka ardhur në Shqipëri. Një trajner që nuk është problem për ta kryqëzuar me një ndeshje, por fakti është që Flamurtari e filloi si një tigër që trembte në gjithçka dhe nuk e mbylli më as si tigër prej letre. Madje ishte një nga këto macet, që ja bën mjau-mjau dhe zvarritet.
Gjëja më e shëmtuar ishte kur kishin 8 minuta shtesë në fund. Aty pashë që lojtarët e Flamurtarit nuk shkuan një herë me parashutë në portë. Në gjithë botën ekipet serioze dhe njerëzit serioz, lojtarët e përgjegjshëm për fanellat e qytetit ku janë, japin edhe grahmën e fundit. Djemtë tanë u takuan me njëri-tjetrin pas ndeshjes, pinë kafen e zakonshme dhe kaq, histori e mbyllur. Jo, nuk ka shanse më!
Pra, nuk do të toleroni më, keni një ultimatum për stafin dhe ekipin?
Unë nuk jam njeri i ultimatumeve, ftoj çdo njeri të mbajë përgjegjësinë e tij ndaj qytetit dhe investimit të Flamurtarit. Të gjithë, nga stafi i Flamurtarit, lojtarët dhe deri tek ai më i fundit fare i këtij klubi, të mbajnë përgjegjësi! Pse nuk do të toleroj më? Nuk është problemi vetëm për investimin tim privat, është problem për një investim të qytetit, për një emër të qytetit. Është histori e thjeshtë. Atëherë nuk e bëjmë dot, nuk kemi takat ta bëjmë dot, të largohemi të gjithë, që nga unë i pari me gjithë të tjerët. Stop! Qyteti nuk mund të tolerojë më këtë histori. Më thoni, çfarë mungonte nga ne, çfarë nuk kishim plotësuar ne?!
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"