Administratori premton goditje të tjera në merkato. Idrizi: Objektivi i Flamurtarit nuk do koment, vijnë edhe 2

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2024 | 10:32

Administratori premton goditje të tjera në merkato. Idrizi: Objektivi i Flamurtarit nuk do koment, vijnë edhe 2

Flamurtari në pritje të dy goditjeve të fundit të merkatos së ethshme të kësaj vere, Dejvi Bregut dhe kapitenit të Partizanit, Valentino Murataj. Me blerjet që i kanë zili edhe klubet e Superiores, Sinan Idrizi nuk toleron aspak kur bëhet fjalë për objektivin.

-900-0-1721029838xandrea-agostinelli-dhe-sinan-idrizi-213

Ai thekson se në historinë e Flamurtarit 4 sezone larg elitës janë shumë. Kreu i klubit premton një super skuadër me objektivin e vetëm ngjitjen mes më të mirëve. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Idrizi thotë se nuk e patën aspak të vështirë për të bindur blerjet “e mëdha”.

Merkatoja e Flamurtarit po shkon drejt fundit, a priten surpriza?

Kemi një situatë të qartë. Te Flamurtari kanë ardhur lojtarë cilësorë, por do ta shtojmë cilësinë. Mendoj se do të jenë goditje të mira, nuk e mbyllim me kaq merkaton. Këtë javë do t’i konkludojmë edhe këto të fundit. Pastaj do të themi që ekipi do të jetë i përfunduar, që kur të shkojë te faza e dytë të jetë i plotësuar 100%. Trajneri në fazën e dytë përgatitore do ta ketë ekipin të plotë.

Cila është e vërteta me Dejvi Bregun?

Dejvi Bregu është djali ynë dhe ne e duam te Flamurtari. Kemi punuar gjatë kësaj kohe për këtë gjë. Kemi dëshirë që ta rikthejmë në shtëpi.

Cilat janë zhvillimet me Muratajn, pasi ai u largua nga Partizani?

Dejvi Bregu dhe Valentino Murataj janë dëshirat tona në këtë merkato.

Ishte e vështirë t’i bindnit futbollistët e kësaj merkato?

E vështirë jo. Ishte dëshira e tyre për të ardhur në Vlorë. Gjithashtu ishte edhe dëshira jonë për t’i pasur këtu dhe kaq.

Ishte kërkesë e Agostinelit, apo dëshira juaj për t’i pasur në ekip?  

Dëshira ime është shumë e thjeshtë. Ju e dini që unë nuk përzihem në ekip.

Faza e dytë do të zhvillohet në Ohër apo jo?

Në Ohër do të jenë 15 ditë. Ishte kërkesë e Agostinelit të vinin tri ditë në Vlorë, ku edhe të pushonin. Ekipi do të jetë thuajse një muaj jashtë Vlorës me ngarkesë të plotë.

Me këtë merkato kubi ka objektiv ngjitjen. Sa e mundur është këtë vit?

Nuk komentohet më objektivi tani, pasi këta janë të gjithë lojtarë super. Ky është një ekip i ndërtuar për Superiore. Janë të gjithë lojtarë mbi nivelin mesatar të Shqipërisë. Flamurtari nuk duron dot më, stop! Vajti shumë vite…Në historinë e tij, Flamurtari nuk ka qëndruar 4 vite larg Superiores, nuk bëhet më!

Kur nis investimi në infrastrukturë te fusha në Pyllin e Sodës?

Unë isha në Turqi për këtë punë. Në fillim të muajit tjetër, në 10-12 gusht vijnë fushat e sportit në Vlorë. Përfundon montimi i fushës së parë të Flamurtarit në Pyllin e Sodës. Është kjo ngarkesa e parë. Bashkë me këto do vijë edhe baza e re materiale e Flamurtarit, që unë kisha qejf ta shikoja vetë në natyrë ndaj dhe shkova. Ekipi po ecën në mënyrë paralele nga investimet në infrastrukturë dhe të tjerat bashkë.

 

Stërvitje e hapur, klubi fton tifozët vlonjatë

Që pas kritikës në “Panorama Sport”, se Flamurtari po mbante të pa informuar tifozët, klubi duket se ka avancuar me autokritikën, teksa dje ka pasur një surprizë për publikun. Përpara nisjes drejt Ohrit për fazën e mbetur përgatitore, skuadra do të zhvillojë sot në Vlorë një stërvitje me dyer të hapura për tifozët. Klubi njofton se stërvitja do të mbahet sot pasdite në orën 18:30 në ambientet e stadiumit “Flamurtari”. Duke u stërvitur në qytet, dashamirësit e Flamurtarit kanë mundësinë që të shuajnë kureshtjen dhe ta shikojnë ekipin nga afër. Kjo do të jetë edhe prezantimi i parë i Flamurtarit të sezonit të ri me tifozët dhe opinionin futbolldashës vlonjat.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"