Administratori i Lushnjës zbulon merkaton dhe privatizimin: Nuk nxitohemi, na duhet garanci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2024 | 12:14

Administratori i Lushnjës zbulon merkaton dhe privatizimin: Nuk nxitohemi, na duhet garanci

Verdhejeshilët po bëhen gati për sezonin e shtatë radhazi në Kategorinë e Parë, përmes ndryshimeve të mëdha në organikën e ekipit, përgatitjeve në kushte grumbullimi dhe përforcimeve të reja. Administratori i Lushnjës, Marjus Liçka flet për situatën te Lushnja në prag të sezonit të ri.

lushnja duke festuar golin e muratit

EKIPI – “Skuadra ka rreth 5 javë që është mbledhur dhe po kryen seancat stërvitore në Lushnjë. Sapo është kthyer nga faza përgatitore, ku ka marrë ngarkesën e duhur. Kemi vëzhguar dhe analizuar të gjithë elementët që janë afruar në skuadër. Kemi kryer dy teste miqësore me Besën dhe Bylisin. Përtej rezultateve, këto dy teste na kanë shërbyer për të parë më mirë se në cilin repart do të jetë e nevojshme të ndërhyjmë. Kemi analizuar dhe vlerësuar të gjithë futbollistët e sezonit të kaluar. Sigurisht që shumë shpejt do të bëjmë publike përzgjedhjet tona. Kemi punuar intensivisht edhe në aspektin e afrimeve të reja. Duke pasur parasysh elementët të cilët kemi në skuadër nga sezoni i kaluar, ne jemi munduar t’i shtojmë skuadrës më shumë cilësi dhe eksperiencë në të gjithë repartet. Kemi punuar shumë dhe me të rinjtë, të cilët janë pjesë e Akademisë. Por, edhe me afrimet e reja, me të rinjtë që kanë talent, dëshirë dhe ambicie. Do të ketë afrime të reja, që do të vijnë këtë javë”, deklaroi drejtuesi i verdhejeshilëve Marjus Liçka.

INFRASTRUKTURA – Lushnja ka një infrastrukturë shumë të përmirësuar, që është duke marrë formë të plotë. Një fushë stërvitore pritet të merret në dorëzim dhe një tjetër do të nis nga rikonstruksioni. “Kemi punuar shumë me ambientet dhe terrenet sportive. Ka qenë një punë intensive për mirëmbajtjen e fushave sportive. Me fushën e re stërvitore në aneksin e stadiumit, ka përfunduar 90% e punës. Nuk e kemi marrë ende në dorëzim. Besoj se shumë shpejt do të jetë në dispozicion të skuadrës. Temperaturat e larta kanë ndikuar shumë. Gjithsesi, për sezonin që vjen fushat do të jenë gati dhe në kushtet optimale. Patjetër që nuk mbaron këtu. Kemi premtuar edhe fushën tjetër stërvitore përballë tribunës, dhe punimet do të fillojnë shumë shpejt.

PRIVATIZIMI – Lushnja ka ecur mirë me procedurën e privatizimit. “Kemi avancuar me procedurat e privatizimit të klubit. Kemi kontaktuar një studio ekspertësh kontabël, që po merret me vlerësimin e klubit. Besoj se javën që vjen do të kemi një vlerë konkrete. Sipas procedurës do të shkojë për miratim ne Këshillin Bashkiak. Pas miratimit do të dalë në ankand sipas të gjitha rregullave dhe procedurave që parashikon ligji. Sigurisht, që më pas do të ketë një komision, i cili do të analizojë dhe vlerësojë të gjithë ofertat. Kjo, për të gjithë të interesuarit. Sigurisht, që nuk duhet nxituar, por siguroj që procesi është në hapat e duhura. Si asnjëherë më parë. Na duhen garancitë e nevojshme, për ta përfunduar me sukses këtë proces. Në fund do të doja të bëja dy falënderime të veçanta. I pari, për sponsorët tanë që na kanë mbështetur shumë, në sezonin e kaluar. “La Bonta dhe AGL Compani”. Sigurisht, që bashkëpunimi do të vijojë edhe për sezonin e ardhshëm. E dyta dhe më e rëndësishmja shkon për tifozët tanë që edhe pse jemi gjendur në vështirësi të mëdha, na kanë mbështetur pa kushte”, deklaroi administratori i Lushnjës, Marjus Liçka.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"