Administratori i Flamurtarit kritika bashkisë, Idrizi: Kryetari të mos fshihet, të firmosë kontratën
Sinan Idrizi i bën apel kryetarit të bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, të sqarojë pse nuk po firmoset zgjatja e kontratës për dy vite e administrimit të klubit të Flamurtarit.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se nëse Bashkia e Vlorës ka një administrator tjetër më të aftë, ta vendosë dhe ai largohet.
Zoti Idrizi ju nuk keni ende një kontratë me Bashkinë e Vlorës, a mund të na thoni se çfarë do të bëhet me administrimin e klubit?
Situata është ajo që e dinë të gjithë. Prej datës 31 korrik kontrata jonë ka mbaruar me Bashkinë e Vlorës, ose më saktë me Këshillin Bashkiak. Në datën 22 korrik ne kemi bërë një kërkesë për shtyrjen e kontratës për dy vjet, por nuk kemi asnjë përgjigje.
Pse me kaq vonesë procedura për shtyrjen e kontratës së administrimit?
Duhen pyetur ata që janë armatosur në mënyrë provizore, fuqinë vepruese, pushtetin lokal të Vlorës. E përsëris, ato superfuqi provizore që ndoshta e kanë Flamurtarin si opsion të dytë, nuk e di se çfarë kërkojnë dhe duan të bëjnë. Unë kam dëgjuar shumë komente lartë e poshtë, por nuk dua që të shprehem. Por është një histori shumë e thjeshtë dhe unë e kam bërë të qartë. Nëse kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak kanë një mundësi tjetër për ta marrë dhe për ta privatizuar Flamurtarin, i ftoj menjëherë që ta bëjnë pa hezitim. Nëse ka fondet e tij, e ftoj menjëherë. Unë do të pres gjatë kohës për të hyrë në privatizim. Di që po punojnë shumë fort për privatizimin.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Di që kanë marrë ca aksioma nga drejtuesit e pushtetit vendor se si duhet të vlerësohen asetet, sa duhet të vlerësohen, sa do të jetë vlera. Unë pres me qetësinë më të madhe vendimin që do të marrin. Pra, nëse këta do ta shtyjnë menaxhimin që do ta marrë unë është e padiskutueshme që do të vazhdojë. Edhe nëse këta do të kërkojnë ta mbajnë vetë, unë jam përsëri gati të vendos gjithë fondin në dispozicion për pagesën e lojtarëve për këtë vit në llogari të Bashkisë së Vlorës dhe kaq.
Por, që të jemi të qartë dhe siguroj dhe tifozët në këtë rast, që Flamurtari nuk do të ketë asnjë lloj ngërçi, asnjë lloj problemi se cili do ta vazhdojë menaxhimin e klubit të futbollit. Nëse bashkia kërkon që ta vazhdojë vetë për arsye suksesesh, sepse ka njerëz më të aftë, që drejtojnë më mirë qytetin, ka njerëz që e njohin më mirë sportin, unë jam në gatishmëri që t’iu jap atyre gjithë fondin e këtij viti që kam për Flamurtarin. Janë 2.5 milionë euro dhe ta vazhdojnë vetë ata. Meqë është problem këtu me emrin tim. Nuk e di, arsyet nuk i di dhe akoma nuk e kam kuptuar.
Kush e ka problemin me emrin tuaj?
Nuk e di kush e ka problemin, sepse këtu ka një problem. Duhet që të jesh naiv që të… E drejta e budallait është keqpërdorur tek mua në këto 10 vjet jashtë mase. Problemi është që aty në bashki ka ardhur një grup që nuk dinë se çfarë dinë të bëjnë. Nuk mund t’i fus të gjithë në një thes, në një kazan. Personazhe që janë të armatosur përkohësisht me fuqinë e pushtetit lokal në Vlorë. Pra, që janë ata që kanë vulën dhe firmën e qytetit. E përsëris, përkohësisht derisa të çarmatosen. Le të gjejnë një zotëri të shkëlqyer të vijë të marri Flamurtarin dhe nuk ka problem fare. Sepse të fshihesh pas gishtit me këto historitë… Ajo është kontratë fikse, një kontratë 10- vjeçare që është në disfavorin tim dhe këtë e dinë të gjithë.
Për sa vite e keni kërkuar shtyrjen e administrimit të klubit?
Unë e kërkoj për dy vjet, këta e bëjnë për një vit.
Pse e bën për një vit?
Ka bizantizëm politikë, kanë kalendar politikë. Pse një vit dhe jo dy vjet, sepse unë nuk do rri të merrem vit për vit të dëgjoj historitë e këtyre. Çfarë kanë parë në horizont këta që janë vëzhgues të horizonteve politike, ekonomike apo financiare. Të më tregojë kryetari i bashkisë dhe stafi i tij drejtpërsëdrejti. Unë shumicën e këshilltarëve që kam takuar janë të qartë. Është e njëjta kontratë që kanë përgatitur që nga koha e Shpëtim Gjikës dhe Dritan Lelit. Më thanë që kryetari aktual i Bashkisë së Vlorës nuk e ka firmosur. Ka firmosur vetëm privatizimin e Orikumit dhe nuk ka gjetur kohë të firmos kërkesën për shtyrjen e menaxhimit të Flamurtarit. Kryetari i bashkisë nuk duhet të fshihet pas hijes së tij dhe të të tjerëve.
Cili është mesazhi që keni për të?
Duhet të dali dhe të sqarojë, çfarë ka kjo kontratë që nuk shkon, nëse është një kontratë ilegale tërhiqem unë i pari. Unë dua të di arsyen e thjeshtë fare, qytetari i parë i qytetit të Vlorës që është njeri shumë i ndjeshëm për sportin, që njeh çdo gjë për sportin, njeh futbollin, njeh Flamurtarin, njeh stemën e Flamurtarit, njeh historinë e Flamurtarit, të tregojë dhe të thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë çfarë ka që nuk shkon. Unë vjet e quajta si një model ri dhe thashë se kryetari i bashkisë tani ka ardhur, do të njoh Vlorën se e kishte harruar ca kohë, kishte 30 vjet që nuk jetonte në Vlorë.
Këtë vit nuk e kuptoj. Nuk e kuptoj pse kryetari i bashkisë, nëse është e vërtetë, e përsëris këtë, nuk merr përsipër kërkesën e Flamurtarit për zgjatjen e menaxhimit, por merret me privatizimin e Orikumit. Pse shmangen nga përgjegjësia, ku është përgjegjësia këtu. Nëse ka frikën e firmës se mos është ndonjë gjë ilegale, atëherë të ma thotë që të tërhiqem edhe unë. Ka vetëm një arsye. Pra, e do apo nuk do ta vazhdoj unë menaxhimin. Unë e kërkoj dy vjet, t’i thua 1 vit. Po pse? Cila është arsyeja? Sepse aty thuhet qartë që në momentin që fillon privatizimi atëherë kjo kontratë merr fund. Ore e ndiejnë Flamurtarin këta! Unë jam në Turqi për fanellat dhe fushat e Flamurtarit. Janë tri fusha nga 750 mijë euro.
Gjithsesi, procesi i privatizimit ka filluar që në vitin 2013. Tani duhet të kishte përfunduar…?
Unë ua kam thënë me kohë që kjo Godoja e Flamurtarit është një Godo që unë nuk e kuptoj dot. Nuk dua të hyjë në këto që kush është vlerësuesi i aseteve, sepse nuk ka ekspertë Bashkia e Vlorës në vlerësimin e aseteve, nuk ka çfarë të vlerësojë. Mirëpo, pashë që Orikumin e kanë vlerësuar diçka të 130 milionë lekë të vjetra, ndërsa në vitin e kaluar kanë bërë një fushë në Orikum 200 mijë euro.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"