Abazaj: VAR-i punon kundër Bylisit, nuk e meritova të kuqin ndaj Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2024 | 12:05

Abazaj: VAR-i punon kundër Bylisit, nuk e meritova të kuqin ndaj Elbasanit

Marin Abazaj ishte u ndëshkua me karton të kuq ndaj Elbasanit, duke bërë që Bylisi të luajë me 10 lojtarë për afro 70 minuta.

ABAZAJ

Kapiteni i Bylisit ndihet i keqardhur që sfida shkoi ashtu dhe sipas tij, Bylisi edhe pas daljes së tij me të kuq, vijonte të ndëshkohej nga vendimet e arbitrit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Marin Abazaj shprehet: “Nuk e kuptova përse duhej të ndëshkohesha me të kuqe, krejt pa shkak, sepse pas të verdhës nuk kam protestuar, ndonëse jam kapiten, ndërsa pas VAR-it ndëshkohem. Po pse VAR-i vetëm kundër Bylisit punon? Së pari, më duhet të sqaroj se unë kam pasur edhe shokun tim në krah dhe sulmuesin e Elbasanit e kisha para. Tsage nuk ishte më i avancuar sesa unë, janë pamjet që flasin. Unë nuk pengova topin të shkojë në rrjetë, apo të isha në zonën e rreptësisë. Troç, nuk kam qenë lojtari i fundit. Ishte një prekje që ndodhi në mesfushë dhe jam habitur sinqerisht. Nuk dua të polemizoj kurrë, por të ndëshkohesh në këtë mënyrë është absurditet. U pa qartë tendenca ndaj nesh, sepse pas meje u ndëshkua Peralta, që nuk bëri faull fare. Kurse në pjesën e parë i ndërhyhet Peraltës me taka. Gjyqtari ndjek aksionin, nuk jep faull, por rivënie anësore. Kurse sulmuesi i Elbasanit që pretendoi për penallti në zonë duke simuluar dhe mashtruar nuk shihet nga gjyqtari. Jo vetëm kaq, por edhe kapiteni i Elbasanit (Lulaj) ka bërë shtatë faulle pa top, mori vetëm një të verdhë. Ndëshkohet më pas Sulovari dhe çdo dyluftim i yni ishte thuajse faull për Elbasanin”, tha i habitur kapiteni i Bylisit.

Marin Abazaj mungon në sfidën me Partizanin të hënën në Ballsh. Në fund ai karikon shokët dhe skuadrën, teksa pohon: “Të shtojmë ritmin, e respektojmë Partizanin dhe të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje. Kështu vlerësojmë veten, por edhe fanellën e garën në tërësi, duke bërë atë që Bylisi ka treguar gjithnjë në elitë”, tha Abazaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"