“A e patë me Burrelin? Të gjithë janë kundërshtarë direkt”. Idrizi: Sjellja e lojtarëve, presioni më i madh te Flamurtari
Administratori Sinan Idrizi kërkon që futbollistët dhe stafi teknik të marrin përgjegjësitë e tyre për Flamurtarin. Kreu i klubit thotë se ka ardhur koha për impenjim maksimal nga të gjithë.
Për “Panorama Sport”, Idrizi deklaron se vetëm duke kuptuar peshën e fanellës që përfaqësojnë vijnë edhe rezultatet. “Nuk është problemi tani të bëjmë si qaramanë kur humbasim dhe të bëjmë si triumfatorë kur fitojmë. Problemi është tek impenjimi, sepse një lojtar mund të luajë mirë, mund të luajë edhe keq. Problemi është çfarë ka në tru për Flamurtarin, impenjimi që ka për ekipin. Të paktën, të angazhohen maksimalisht dhe të luajnë. Unë e kam thënë gjithmonë, që të gjithë të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Kur një klub mban përgjegjësitë, atëherë të jeni të sigurt që rezultati nuk mungon. Futbollistët duhet që të respektojnë fanellën dhe të dinë rëndësinë e klubit ku kanë ardhur. Kaq e thjeshtë është kjo gjë”, u shpreh fillimisht Idrizi.
DUELI ME VORËN
Sinan Idrizi nuk preferon që Vorën ta cilësojë një kundërshtar direkt. Për kreun e klubit të gjitha skuadrat janë të vështira. Idrizi është “djegur” nga Burreli ndaj nuk kërkon asnjë neglizhencë. “Kjo kategori nuk ka kundërshtarë direkt dhe indirekt. Të gjithë janë kundërshtarë direkt. A e patë me Burrelin? Të gjithë janë kundërshtarë direkt. Duhet kujdes i madh”, vijon më tej kreu i klubit.
PRESIONI
Pavarësisht se hapat fals i cilëson të pranueshëm në futboll, administratori Sinan Idrizi kërkon impenjimin e të gjithëve. Presion më të madh, cilëson sjelljen e lojtarëve të cilëve u kujton se janë profesionistë. “Hapat fals…Tani në futboll është e pranueshme çdo gjë. Në lojë janë faktorë objektivë dhe subjektivë. Problemi është impenjimi i ekipit bashkë me stafin teknik dhe drejtues të Flamurtarit. Kush është ai drejtues klubi apo drejtues ekipi që pranon humbjen, pranon hapin fals. Për impenjimin pastaj është brenda arsyes, brenda racionales. Në presion për çfarë? Presioni më i madh është sjellja profesioniste e lojtarëve. 90% të lojtarëve në skuadrën tonë janë profesionistë. Janë lojtarë që e kanë vërtetuat veten në futboll kudo, ku kanë qenë dhe kudo ku janë”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"