28 persona kanë aplikuar për trajner të Kosovës, presidenti Ademi tregon kriteret dhe shanset e teknikëve shqiptarë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një intervistë të dhënë së fundmi ka sqaruar mundësinë e emërimit të një trajneri kosovar në krye të Përfaqësueses, si dhe ka treguar numrin e trajnerëve që kanë aplikuar dhe kriteret që kërkojnë për emërimin e përzgjedhësit të ri.
Përfaqësuesja e Kosovës ka mbetur pa trajner pas përfundimit të ciklit kualifikues për Euro 2024, ku vendosen të mos vazhdojnë me trajnerin e përkohshëm Primoz Gliha.
Drejtuesit e FFK-së po merren me këtë proces duke shqyrtuar morinë e emrave të ofruar dhe vetëofruar për të marrë drejtimin e “Dardanëve”. Presidenti Agim Ademi ka treguar edhe kriteret që po ndjekin në FFK.
“Secili e ka të drejtën e kandidimit, por gjithsesi duke i plotësuar kriteret dhe duke e njohur veten. Secili duhet ta njohë veten sepse nuk jemi në pozicionin me provuar gjëra. Tash jemi në atë pozicion me ditë se çfarë duam në secilin trajner që bëhet”, ka thënë fillimisht Ademi për “KlanKosova”.
“Ëndërr e jona është ta bëjmë një trajner kualitativ vendor. Për të gjitha gjërat, ne po mundohemi me çdo kusht ligës vendore, trajnerëve edhe krejt me edukim dhe të gjitha, por te puna e ekipit A kombëtar, është drejt për së drejti prezantim i shtetit në nivelin më të lartë”.
“Te A-ja me këdo që flasim, me këdo që e caktojmë trajner, jemi shumë të saktë dhe shumë të qartë. Janë tri komponentë. Komponenti i parë është sa na njeh, sa i njeh lojtarët tonë, secili trajner që vjen. Normalisht, favorizohen vendorët se i njohin ma mirë”.
“Cila është CV-ja e tij, karriera e tij ndërkombëtare nëse është e tillë, edhe pjesa tjetër është ekonomike. Nuk jemi ne federatë e fortë, e madhe, me marrë trajnerë milionësh”.
Ademi ka thënë që po ka shumë interesim edhe nga emra të mëdhenj që të bëhen trajnerë të Kosovës, dhe se deri tani diku 27-28 trajnerë kanë konkurruar në FFK.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"