1962: Panajot Pano i Dinamos!
NGA BESNIK DIZDARI
Kur mbaron edicioni i Kupës Ballkanike, çuditërisht Partizani lë mbrapa mû Fenerbahçen e Stambollit për shkak të golave (të dyja nga 8 pikë), thjesht ngaqë Partizani, Levski dhe Steagul Roshu i fitojnë ndeshjet e tyre dy herë nga 3-0 me AEK të Athinës me vendim në tryezë për shkak të politikës. Duke qenë në gjendje lufte me Shqipërinë, skuadra e dëgjuar greke nuk pranon të ndeshet jo vetëm me Partizanin e Tiranës, por as me dy miqtë e tij të kampit komunist, Levski dhe Steagul Roshu, e cila fiton dhe Kupën Ballkanike. Kjo “epokë” e çuditshme e Luftës së Ftohtë Ballkanike ka qenë asokohe. Për Shqipërinë gjithçka do të merrte fund me këtë vit 1961, sepse ajo do të mbeste përfundimisht edhe jashtë kampit socialist. Është ende 1961. 20-vjetori i themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, tash Partia e Punës, e cila shkon te festa e saj duke ulur çmimet e shitjes me pakicë të mallrave të konsumit, deklaruar në radio prej fjalimit të drejtpërdrejt të ministrit të tregtisë Kiço Ngjela, të cilin Partia e tij ashtu si dhe shumë të tjerë do ta “nderonte” me burgimin e pamëshirshëm disavjeçar. Është një ulje çmimesh, të cilin shtypi i Partisë e cilëson si një “grusht të rëndë për armiqtë tanë imperialistë dhe revizionistë të çdo kallëpi”.
Ndërkaq, më 20 tetor 1961, Komiteti Qendror i PPSH-së shpall deklaratën e tij të famshme kundër sulmeve të Nikita Hrushovit në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i kundërshtuar nga Çu En Lai në sallën e Kongresit në Moskë. Dhe s’ka rrugë tjetër përveç kësaj: “Flamuri fitimtar i partisë, flamuri i pamposhtur i marksizëm leninizmit, do të valojë kurdoherë krenar në Shqipërinë e re socialiste”, siç përfundon deklarata, e prishjes së madhe, e cila në “popull ngjall zemërim të thellë mbasi përçan lëvizjen komuniste ndërkombëtare”. Shqipëria pëson ndërkaq edhe një mbyllje më drastike, sepse nuk arrin të bëhet as revizioniste dhe për bukur edhe 30 vjet të tjera, nuk i përket as Perëndimit, as Lindjes, as kapitalizmit, as Fenerbahçes, as gjeopolitikës futbollistike mbarëeuropiane. Do të mbërrijë Kina Popullore!
DINAMO “RRËMBEN” PANAJOT PANON!
Më 1 janar 1962, gazeta “Sporti popullor” shpall 10 sportistët më të mirë të vitit 1961. Dhe prapë Panajot Pano, i cili shpallet sportisti më i mirë i vitit! Është vetëm 23 vjeç. Ishte shpallë Sportisti i Vitit edhe më 1960- ën. Dy vjet me radhë ai kishte pushtuar vetë rëndësinë e sportit shqiptar në tanësi, duke u bërë në një kohë rekord sportisti më popullor i vendit. Në dhjetëshe mbas tij renditen atleti Ramazan Driza, futbollisti Skender Halili, çiklisti Bilal Agalliu, atleti Gani Alia, volejbollisti Petrit Murzaku, shahisti Ylvi Pustina, atleti Sokol Morina, boksieri Teodor Janku dhe basketbollisti Renato Radoja. I kanë dhënë sportit shqiptar vlera të jashtëzakonshme për kohën, vlera të cilat për fat të keq nuk arrijnë te brezi i sotëm i amatorëve të sportit kombëtar, nëse vërtet kemi sot amatorë të sportit kombëtar!
Gjëja më e çuditshme në këtë periudhë të jetës së vrullshme futbollistike të Panajot Panos, është se ai brenda një harku kohor 1960-62 vesh fanellat e katër skuadrave të ndryshme: 17 Nëntori, Adriatiku, Partizani dhe… befasisht Dinamo! Me 17 Nëntorin, për shkak të formimit të tij aty. Me Adriatikun e shuar qysh në ditën e themelimit i dalë në fushën e lojës në një ndeshje të vetme si skuadër e Marinës, për shkak të një ideje të jerarkëve të Ushtrisë e po aq edhe të Partisë. Me Partizanin, për shkak të rrëmbimit të bujshëm prej 17 Nëntorit.
Dhe ja, viti 1962, që për djaloshin 23-vjeçar, do të rezervonte befasinë e befasive: do “ta blejë” Dinamo! Ndonëse assesi nuk është një blerje. Ky rast i Panajot Panos te Dinamo 1962, është patjetër i vetëm në botë për një vend komunist të asokohe. Se për një vend kapitalist, kjo është një ngjarje normale. Është ajo që sot i thonë “kalim i përkohshëm” i futbollistit te një klub tjetër, për t’ia rimarrë, simbas kontratës. Kësisoj, ajo çka ngjet me Panajot Panon më 1962-shin, edhe pse nga jashtë ngjason, nuk ka të bëjë assesi me “kalimin e përkohshëm” që bëhet sot në futbollin botëror. Ngjarja është vërtet një aventurë krejt artificiale dhe e padëgjuar më. Absurdi nis qysh në ditën kur shtypi njofton në rregullsinë e vet se më 28 mars 1962 do të fillojë Kampionati Kombëtar i Futbollit. Madje botohet edhe shorti i Kampionatit, pa Vllazninë e Shkodrës, e cila kishte rënë në Kategorinë e Dytë, ku dhe do të luante.
Pak më parë, më 21 janar 1962, thuajse në një mënyrë të mistershme, në stadiumin “Dinamo” të Tiranës zhvillohet një ndeshje që ka mbetur në histori si vetmja deri më sot: Dinamo A-Dinamo B. Ndeshja përfundon 4-1 për Dinamon A, e cila në 11- shin e saj ka plot tre lojtarë, të cilët nuk janë të saj: Frashëri, Pano dhe Ndini! Ndërkohë që Dinamo B aq më pak ka të bëjë me një Dinamo “të pastër”, teksa në 11-shin e saj ka Daiun e Besës, A.Memën e 17 Nëntorit, Samarxhiun e Skënderbeut dhe Ibërshimin e Labinotit!
Pano shënon me 11-metërsh, stadiumi është plot dhe në çast njoftohet se kjo ndeshje ka të bëjë me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kupën Ballkanike për klubet nënkampione. I takonte Dinamos të merrte pjesë, por i takonte drejtimit futbollistik të vendit të bënte “lëvizjen” më fantastike që futbolli shqiptar ka bërë ndonjëherë. Vendimet janë krejt një aventurë. Mbi të gjithë vendimi i vendimeve: Panajot Pano duhej të kalonte nga Partizani te Dinamo! Dhe veprimtaria kombëtare futbollistike e vitit 1962 që rindërtohet nga e para. Anulohet kampionati kombëtar! Zhduket kalendari i botuar i tij! Është një lloj marramendje e tanë. Në mbrapaskenë gjithçka vlon. Më 11 shkurt Dinamo luan një ndeshje miqësore me Vllazninë e Kategorisë së Dytë, por në 11-she nuk ka Panon. Është Dinamo autentike. Ndeshja, e cila mbledh rreth nja 6000 shikues, është një e papritur e bukur për lojën e mrekullueshme të skuadrës shkodrane, e cila del në fushë e pakta me nja 6 a 7 lojtarë 18, 19 apo 20-vjeçarë: Z.Dani, Çapaliku, R.Ragami, S.Dani, Rakiqi, Kaceli! Rezultati është një 2-2 i rrallë, saqë në Tiranë lindi diskutimi tjetër: a duhet të luajë në Kategorinë e Dytë kjo Vllazni?…
Ndërkaq, duket se kalimi i Panos është anuluar, por jo. Më 2 maj Partizani mposht 1-0 Dinamon për një Kupë që quhet e Paqes dhe Pano është titullar i Dinamos! Kritikë për lojën e saj të dobët dhe më 8 mars kjo Dinamo udhëton për në Rumani në ndeshjen saj të parë për Kupën Ballkanike. Është një Dinamo e fuqizuar përveçse me Panon edhe me Fatmir Frashërin e Ali Memën të 17 Nëntorit, me Xhavit Daiun e Besës e me Miço Ndinin dhe doemos edhe me Panajot Panon e Partizanit. Një lloj Kombëtareje “origjinale” e Shqipërisë!
Shqipëria ende nuk kishte marrë pjesë në Kupat e Europës për klubet dhe kërkonte të çizolohej në këtë kupë disi modeste të Ballkanit, duke përforcuar në mënyrë krejt artificiale skuadrën e vet pjesëmarrëse, Dinamo të Ministrisë së Punëve të Brendshme me lojtarë të klubeve të tjerë dhe duke anuluar kampionatin e saj kombëtar!
DINAMO E MEHDI BUSHATIT DHE E PANAJOT PANOS
Në futbollin shqiptar kishte shpërthyer tashmâ edhe një emër tjetër: Mehdi Bushati, i cili qysh nga premierat e tij të vitit 1960 me Dinamon kampione, po shfaqej gjithnjë në rritje si qendërsulmuesi klasik, do të thoshim, më i mirë i Shqipërisë. Ai i rri pranë shpërthimit të Panajot Panos deri në atë shkallë saqë, papritmas, në Tiranë lindi diskutimi se cili ishte më i mirë, Bushati apo Pano? Ne, studentë të rinj shkodranë, teksa në një farë mënyre kishim mbetur pa Vllazninë, ishim shndërruar në mbështetësit më të mëdhenj të Bushatit.
E vërteta ishte se, po t’i krahasonim teknikisht me njeri-tjetrin, ata ishin krejt të ndryshëm. Bushati kishte një teknikë fine dhe një driblim origjinal, përmes një sllallomi disi të lehtë, në dukje pa shumë ritmikë, por të një elegance që prej vitesh nuk ishte pa në Shqipëri. Qysh kur kishte qenë një pionier i futbollit dhe me të Rinjtë e Punës së Shkodrës, ai admirohej prej një qyteti të tanë. Te Dinamo gjen shkollën e tij të re të futbollit dhe, i stërvitur në kushte shumë më të mira, ia arrin të forcojë atë për të cilën kishte fort nevojë, që ishte përgatitja fizike. Në Tiranë diskutohej se tash futbollit shqiptar i kishte ardhur një dyshe e rrallë: inteligjenca, teknika dhe eleganca e qendërsulmuesit Mehdi Bushati dhe forca, goditja, driblimi i rrufeshëm dhe universalizmi modern i Panajot Panos. Sot, mbas kaq vitesh, për fat të keq, mund t’ju them: thuajse asnjëherë nuk u arrit shfrytëzimi për së mbari i njëkohshëm i cilësive të tyre të rralla dhe as sinkronizimi i një dysheje që kërkonte futbolli modern.
Por në këtë Kupë Ballkanike, megjithatë, ata krijuan vërtet diçka mbresëlënëse. Do të ishte një lloj shpërthimi meteorik, sepse gjithçka do të ishte krejt e shkurtër. Madje, më fort se sa i Panajot Panos, ai do të ishte i Mehdi Bushatit. Sidoqoftë, më e rëndësishme se fati i kësaj dysheje të bukur e fort tërheqëse, ishte diçka tjetër. Ishte lajmi se më në fund Shqipëria do të merrte pjesë në Kampionatin Europian të Futbollit, ose Kupa e Kombeve siç thirrej më shpesh asokohe. Shtypi bën të ditur dhe emrat e kandidatëve të Kombëtares së harruar shqiptare. Po i japim të gjithë në respekt të atyre futbollistëve, të cilët, pavarësisht se nuk do të luanin të gjithë, në fund të fundit patën nderin të ishin të përzgjedhurit e parë të Kombëtares së parë Europiane Shqiptare. Ishin këta:
PORTIERË: S.Maliqati, Dh.Qoshja, A.Mitrushi, Z.Dani.
MBROJTËS: F.Frashëri, F.Deliallisi, M.Papadhopulli, S.Halili, Q.Halluni, Xh.Daiu, G.Kasmi,
GJYSMËMBROJTËS: M.Ndini, H.Verria, G.Merja, L.Shllaku, A.Mema, T.Vaso, S.Lilamani.
SULMUES: K.Kraja, L.Vorfi, P.Pano, N.Bespalla, M.Bushati, S.Jareci, A.Pilika, S.Lubonja, R.Resmja, B.Ishka, Th.Duro, E.Ibërshimi, R.Jashari, N.Xhaçka, F.Buzi, L.Bytyçi, S.Seferaj.
TRAJNERË: L.Boriçi, Z.Konçi, M.Alla.
Gjithçka duket si një lloj feste “sui generis”. Ishin ditë kur, ende nën stilin e sportit sovjetik, themelohet dhe titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit,” të cilit si i parë i jepet vetëm Loro Boriçit të madh. Dhe rrufeshëm merret vesh se Shqipëria do të luajë me Greqinë për Kampionatin Europian, histori më vete që do ta trajtojmë më vonë. Tash e kemi fjalën për te Kupa Ballkanike e Dinamos së Mehdi Bushatit dhe e Panajot Panos…
SHPËRTHIMI I BUKURESHTIT DHE I SOFJES: 3-2 dhe 2-2!
Më 8 mars 1962, e kryesuar nga Lambi Peçini, oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili vite më vonë do të dënohej me pushkatim prej Partisë së tij, por në këtë rast me funksionin e kryetarit të Komisionit Vullnetar të Futbollit të KS Dinamo dhe me trajnerë Zyber Konçin e Xhevdet Shaqirin, Dinamo mbërrin në Bukuresht me këta lojtarë: Qoshja, Beliu, Frashëri, Halili, Halluni, Daiu, H.Verria, Ndini, A.Mema, Vorfi, Bespalla, Bushati, Tallushi, S.Jareci, Lubonja, Duro, Pano. Dihej ndërkaq, se më 24 dhjetor 1961 Dinamo e kishte zhvilluar në Tiranë ndeshjen e saj të parë me Dinamon e Bukureshtit, barazim 1-1 në 11-shin e së cilës pa bujë ishin përuruar të rrëmbyerit prej Partizanit dhe 17 Nëntorit, Pano, Ndini dhe Frashëri. Ka qenë një ndeshje mjaft e mirë e Dinamos shqiptare që ngjalli, përveç të tjerave, shpresa të mëdha në sinkronizimin e dyshes Bushati-Pano, e cila atë ditë qe thuajse e pagabueshme. Tash e kishte fjalën Bukureshti, 9 mars 1962: Dinamo e Bukureshtit- Dinamo e Tiranës.
Është një fitore shqiptare 3-2, spektakolare ngado që ta marrësh. Një aventurë e rrallë për futbollin modest shqiptar, që nis me golin e të papërmbajtshmit Panajot Pano, qysh në pjesën e parë, por që shumë shpejt është 1-1. Rumunët barazojnë me 11- metërsh. Dhe po aq nuk përmbahet as Mehdi Bushati, i cili shënon një gol mjaft të bukur: 2-1! Dhe mandej Bespalla një stilist i rrallë sulmuesi edhe ai, 3-1 pa mbaruar pjesa e parë. Fitorja është punë e kryer, edhe pse në të 75-ën minutë rumunët shkurtojnë në 3-2 përsëri me 11-metërsh. Protagonistët e kësaj fitoreje ndërkombëtare të jashtë fushës, që për Shqipërinë mungonte që më 1958-ën në të ashtuquajturin Turneu i Ushtrive mike të vendeve komuniste në Lajpcig, ishte ky: Qoshja, Frashëri, Halili, Halluni, H.Verria, Ndini, Bespalla, Pano, Bushati, Lubonja (Vorfi 45′), Duro. Shtypi shqiptar nuk përmbahet. E varfëruar tejet në fitore ndërkombëtare, Shqipëria për pak harron se kishim të bënim thjesht me një Kupë të Ballkanit midis klubeve. Ndonëse Dinamo e Bukureshtit ishte bazë e Kombëtares së Rumanisë.
Më 21 mars, Dinamo bën çudinë tjetër: 2-2 në Sofje me Levskin e famshëm të Bullgarisë para 50.000 shikuesve. Këtu është një dramë, një dramë e zotëruar kryesisht prej Mehdi Bushatit, autor i dy golave elektrizues, ndoshta në dy ndeshjet më të mira të jetës së tij në veprimtari ndërkombëtare. Është njeriu i ndeshjes, sepse bullgarët arrijnë të kryesojnë 2-0. Për një çast duket si një katastrofë. Por, papritmas, Dinamo ndryshon taktikë. Të paktën kështu u tha. Është ndërhyrje e trajneri Konçi, e me të edhe e trajnerit tjetër, i pashlyeshmi Xhevdet Shaqiri, i cili në këtë turne përurohet si nga trajnerët e ardhshëm më të shquar shqiptarë. Kthejnë Bushatin në rolin e një lloj mesfushori sulmues apo të një qendërsulmuesi të tërhequr, siç njihej termi i asokohe dhe vendosin Panon atje lart si qendërsulmues i përparmë (i avancuar), një “pykë” pra. Bushati jo vetëm merr rolin e organizatorit të sulmit, por me një gjuajtje nga 20 metra shkurton në 2-1. Dhe prapë e merr fjalën taktika, mû ajo në të cilën kurrë nuk janë shquar skuadrat shqiptare. Në pjesën e dytë 32- vjeçari Skender Jareci – figurë e madhe e futbollit shqiptar – zë vendin e Lubonjës, duke u forcuar organizimi dhe u lehtësuar mesa duket Bushati, i cili nuk përmbahet teksa në të 65-ën minutë, mbasi ka marrë topin prej Jarecit, barazon 2-2! Dhe përsëri me një gjuajte plot forcë e teknikë, Dinamo kor kështu një barazim historik për kohën. Është ky njëmbëdhjetësh, për brezin tonë i paharrueshëm: Qoshja, Frashëri, Halili, Halluni, H.Verria, Ndini, Bespalla, Pano, Bushati, Lubonja (S.Jareci 46′), Duro. Është një skuadër e baraspeshuar më së miri në moshat, ndonëse ka epërsi rinia: Frashëri e Halili 21- vjeçarë, Bespalla, Bushati, Pano, Duro 23-vjeçarë. Dhe mandej “garda e vjetër” rreth të 30-tave: Qoshja, Halluni, Ndini, Lubonja, Jareci.
Shqipëria është thuajse në ekstazë. Flitet shumë pak për teknikë e taktikë. Flitet shumë për “patriotizëm, vendosmëri për fitore, dinamizëm, shpirt luftarak”. Stil lindor i një gazetarie të Shqipërisë Komuniste, megjithatë një gazetari sportiv shpesh me një sinqeritet dhe profesionalizëm që nuk mund të mos nderohet sot. Por gjithçka do të ishte një ëndërr që merrte fund me këtë barazim 2-2 të Sofjes.
Më 25 mars 1962 Dinamo humbet 0-1 në Stamboll prej Fenerbahçes dhe turqit vënë buzën në gaz kur shohin Panajot Panon e Partizanit nën fanellën e Dinamos! Dhe, ndonëse kryeson grupin për shkak të ndeshjeve më të shumta që ka zhvilluar, Dinamo nuk do t’ia arrijë me gjithë shpërthimin e përkohshëm të dyshes Bushati-Pano. Do të duheshin edhe 8 vjet që Shqipëria të fitojë një Kupë Ballkanike të vetme për klubet. Do ta fitojë Partizani i Panajot Panos më 1970-ën. Edhe këtu Panajot Pano! Ndërsa Mehdi Bushati suksesin e tij të madh nuk do ta arrijë si protagonist i drejtpërdrejt i fushës së lojës, por si drejtues i Komitetit të Kulturës Fizike Sporteve të Shqipërisë, kur mbas bukur 21 vjetëve, do të ndikojë jo pak që Shpresa e Shqipërisë të arrijë rezultatin më të lartë të futbollit shqiptar të derisotëm: viti 1983 – Shqipëria në 8-she të Europës. (E pasqyruar në hollësi në “Panorama Sport” të nëntor – dhjetorit 2013). Ishim ende larg nga të gjitha këto…
Shqipëria e futbollit i gëzohet euforisë së kësaj pranvere 1962. Skuadra pritet në portin e Durrësit prej ministrit të Komunikacioneve, Tonin Jakova – një atlet i Kombëtares së Shqipërisë Mbretërore të viteve ’30, tash me cilësinë e kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (dhe ndoshta këtu për herë të parë përmendet Federata Shqiptare e Futbollit), si dhe prej gjeneral Mihallaq Ziçishtit, duke hyrë në Tiranë si triumfatore. Natyrisht, sot e gjithë kjo është e vështirë të kuptohet, sidomos prej brezit të ri… …
DHE NUK DO TË ISHTE NJË “HAPPY END”
Ajo çka mbetet si kronikë e kësaj historie, për fat nuk do të ishte një “happy end”. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë publikon vendimin për “Mbi zhvillimin e mëtejshëm të fizkulturës dhe sportit, ku ideja kryesore është ajo që shprehet në këto fjalë të Vendimit: “… Për të pasur shëndet të mirë dhe për t’i shërbyer më mirë dhe sa më gjatë çështjes së madhe të Partisë dhe të popullit”. Ku Partia shënohet me germë të madhe e populli me të vogël, natyrisht. Dhe, e papritura tjetër: aty, midis Komunikatës së gjatë të këtij Vendimi të Partisë, vihet Komunikata e Federatës Shqiptare të Futbollit që njofton se, për nder të 50-vjetorit të Pavarësisë, do të zhvillohet Kupa e 50-vjetorit!
Këtu i vihet vula anulimit të Kampionatit Kombëtar 1962. Kupa e 50-vjetorit ka në të vërtetë stilin e një Kampionati Kombëtar, teksa marrin pjesë 10 skuadra. Kuptohet, pa Vllazninë, e cila luan në Kategorinë e Dytë. Por është kjo kupë dhe ky anulim i Kampionatit Kombëtar 1962, që ndihmon tejet historinë e klubit nobël të Shkodrës. Vllaznia do të shpallet kampione e Kategorisë së Dytë dhe kur në shtator nis kampionati kombëtar 1962-63, skuadra shkodrane përfshihet në kampionat, çka sigurisht nuk duhej të kishte ndodhur. Ky ndoshta është rasti i vetëm në historinë e saj, që Vllaznisë së Shkodrës i bëhet një favor. Ajo ka rënë dy herë nga Kategoria, por ka munguar vetëm në një Kampionat Kombëtar, atë të vitit 1957.
Sot, mbas 50 e sa vjetëve, lind pyetja: përse u anulua kampionati kombëtar 1962? Dhe përgjigja e menjëhershme: për të përforcuar Dinamon e Kupës Ballkanike me Panajot Panon me shokë, me shpresë se përfaqësimi i futbollit shqiptar, ende mospjesëmarrës i Kupave të Europës, do të ishte të paktën i përmasave Ballkanike. Ndërkaq, lind dhe një pyetje tjetër: mos ndoshta e gjitha kjo u bë për ta zhvilluar edhe Shqipëria kampionatin simbas kahut të Europës, pra në stinën vjeshtë-pranverë? Autori i këtushëm ruan mendimin se ky ndryshim është bërë kryesisht për hir të pjesëmarrjes së Dinamos, ndonëse i shërbeu Shqipërisë dhe Vllaznisë. Por, me një pasojë historike fatale: e la Shqipërinë pa Kampione Kombëtare të vitit 1962. Pa harruar se jo larg drejtimi i futbollit shqiptar, përsëri përkohësisht, do të heqë dorë prej kahut vjeshtë-pranverë, duke e lënë Shqipërinë pa Kampione Kombëtare të vitit 1969!
Po, çka ngjet më mbas me Dinamon e Kupës Ballkanike? Do të kemi 0-0 me Levskin në Tiranë mbas një loje të shkëlqyeshme të Panajot Panos – më i miri në fushë, ndonëse jo i mbështetur prej shokëve të tij, përjashto Thoma Duron. Mandej, fitore 3-2 me Fenerbahçen në Tiranë, natyrisht tashmâ pa Panajot Panon, por për çudi me 18-vjeçarin Bahri Ishka të 17 Nëntorit në shpërthimin e tij të parë në këtë vit – njeriu i një karriere të shkëlqyeshme me 17 Nëntorin e viteve ’60, më mbas një pedagog dhe trajner i mirënjohur që do të bëjë histori. Por kjo është ndeshja e madhe e Lorenc Vorfit – autor i tre golave të pashlyeshëm në ndeshjen e jetës së tij. Një sulmues krahu i fuqishëm tejet, i shpejtë, milimetrik në shpërthimin e tij ngjitur mû me vijën anësore, shënues në variacione që vinin prej lëvizshmërisë, forcës dhe befasisë taktike të tij. I përket atij brezi futbollistësh, të cilët futbolli nuk ua pengoi edhe të studionin. Do të bëhej inxhinier Lorenc Vorfi – mbas kaq vitesh një emër prejardhës i shqiptarëve të Kosovës do të mbërrijë deri në Kombëtare të Shqipërisë.
Dinamo e përfundon Kupën, duke u renditur e dyta në Grupin e saj B, mbas Levskit që humbet fundoren për titullin prej Olimpiakos të Pireut, i cili fiton Kupën Ballkanike. Gjithçka duket si një sukses, por duke u shuar ëndrra e një suksesi më tepër, deri aty saqë të marrë një përgjigje përfundimtare pyetja e pyetjeve: “A kishte pasur vlerë një anulim Kampionati Kombëtar, thjesht për një përforcim të Dinamos me Panajot Panon e shokët e tij?”. Sot mund të thuhet pa mëdyshje: Kurrsesi!
Do të mbërrijmë kështu tek epilogu po aq i pamëshirshëm. Në ndeshjen e fundit përcaktuese për Kupën e 50- vjetorit të Pavarësisë, atë Dinamo-Partizani, lidershipi ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes ku ishin shumë krerë të një tifozllëku jo rrallë të skajshëm, nuk lejon Panajot Panon dhe Miço Ndinin të luanin këtë ndeshje të fundit nën fanellën e Dinamos, ndonëse gjatë ndeshjeve të Kupës së 50-vjetorit, ata kishin luajtur me këtë Dinamo. Dhe? 3-0 Dinamo kundër Partizanit, kësaj radhe pa ndihmën e Panos së madh. Ky ishte kaosi i padukshëm i futbollit shqiptar në mbrapaskenë ku “fshiheshin” të gjitha: Partia, Ushtria, Ministria e Brendshme, tifozët e sëmurë me spaleta, pushteti, kapriciot e sunduesve. E, megjithatë, sporti e futbolli ecnin drejt rritjes së tyre, natyrisht plot ulje e ngritje…
Kanë kaluar 52 vjet. Nga viti 1962, i cili mbetet në kujtesë se përmendi për herë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit se Shqipëria e la vitin pa një skuadër Kampione Kombëtare të Futbollit, se “falsifikoi” 11-shin autentik të Dinamos, se dhuroi disa ndeshje ndërkombëtare deri diku të nivelit europian, se tregoi edhe një herë pasigurinë e saj në organizimin e futbollit, që do ta ndjekë, pavarësisht nga jo pak suksese e arritje, në një paqëndrueshmëri që për fat vazhdon edhe sot më 2014.
Duke e mbyllur me një intimitet vetjak, kujtoj ndërkaq, se viti 1962 është disi “historik” edhe për autorin e këtij shkrimi. Më 3 nëntor 1962 kam botuar shkrimin e parë në një gazetë. Është një shkrim modest në një rubrikë diskutimi për atletikën e lehtë në Shqipëri. Mban titullin burokratik: “Trajnerët të punojnë për cilësinë dhe jo për pikë”. Është një shkrim me bashkautor shokun tim të afërt të gjimnazit dhe të studimeve, Hamza Kastratin. Me një gabim “fatal”: që emrit tim i shtohet një germë më tepër! Me modestinë që na karakterizonte si studentë të panjohur 20-vjeçarë, duke shtrënguar fort atë numër gazete për ne të jashtëzakonshëm, natyrisht që nuk mund të guxonim “të protestonim” për një germë. Megjithë gjakimin (pasionin) e pamatë që kisha për gazetarinë dhe letërsinë, kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të vinte një kohë që për 17 vjet me radhë do ta drejtoja këtë gazetë…
Kështu përzihen përherë kujtimet e futbollit, të sportit dhe të gazetarisë. Jemi bashkudhëtarë. Dhe asgjë nuk mund të bëjmë pa personazhet tonë, pa Panajot Panon e madh dhe shokët e tij. Do të vazhdojmë të jemi me ta…













