Pikantet e ndeshjes Vllaznia-Erzeni/ Lekiqi “sfumon” trajnerin e ri, tifozët batuta për kartonët
Interesim i ulët për VllazniaErzeni, me rreth 1200 të pranishëm. Nuk munguan tifozët shijakas, të cilët mbështetën fuqishëm skuadrën. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme.
* Që në minutën e 20-të nuk munguan vërshëllimat e tifozërisë shkodrane në drejtim të lojtarëve miq për vonesat e lojës.
* Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, ka qenë shumë aktiv në pankinë. Ai është dëgjuar më shumë se edhe vetë trajneri Qatip Osmani gjatë pjesës së parë.
* Portieri i Vllaznisë, Jurgen Mehidri, dje nuk ishte as në stol, pasi mësohet se ka pësuar një dëmtim në shpatull gjatë stërvitjes.
* Në minutën e 56-të arbitri mund t’i nxirrte kartonin e dytë të verdhë kapitenit të Erzenit, Ardit Peposhi, por e kurseu. Tifozët nuk ngurruan të bëjnë batuta nisur nga ndeshjet e kaluara, kur Vllaznia ka qenë në epërsi numerike: “Mos i jep karton të kuq se do të na barazojnë…”.
* Ultrasit e Vllaznisë krijuan një atmosferë fantastike me flakadanë pas minutës së 57- të, ndërsa në klubin shkodran tashmë i druhen gjobës nga Disiplina, pasi bëhet fjalë për diçka që nuk lejohet në stadium.
* Bekim Balaj ia ka marrë dorën Erzenit, pasi nga 7 gola që ka realizuar deri më tani, tre i ka shënuar në portën e shijakasve.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"