Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka mohuar deklaratat se njësitet speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, kanë shkuar në Veri në një aksion për arrestimin e vrasësve të policit, Enver Zymberi dhe atyre që dogjën pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, bëhet fjalë thjesht për një ushtrim të ROSU’s në Mitrovicë. “Ka qenë vetëm një ushtrim i forcave speciale ROSU dhe asgjë tjetër. Ky ushtrim është mbajtur në Jug të Mitrovicës, por atyre (serbëve) i eshte dukur se po shkojnë tek ta”, ka thënë Rexhepi për Express.
Edhe zëdhenësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Express se informata zyrtare për aktivitetin e Njësisë Speciale për momentin është se ata janë duke bërë disa ushtrime nëpër rajone të Kosovës.
“Informata zyrtare që ne kemi për momentin është se jemi duke bërë ushtrime nëpër rajone të Kosovës”, ka thënë ai.
Agjencia e lajmeve “Kosovapress” tha sot se rreth 40 automjete të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë hyrë të mërkurën në mëngjes në veri të vendit në drejtim të dy pikave kufitare, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak.
Burime të kësaj agjencia thonë se bëhet fjalë për aksionin e policisë që parasheh arrestime të mundshme lidhur me vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, por edhe të atyre që dogjën pikën kufitare Jarinje.
“Bashkë me automjetet e Policisë së Kosovës janë parë edhe forca të shumta të KFOR-it të cilat kanë shkuar në mëngjes në drejtim të pikës kufitare Jarinje”, pohojnë burimet.
Sipas të njëjtave burime, serbët tashmë janë duke u organizuar për kthimin e barrikadave në pika të ndryshme, ndërkohë që situata në veri po tensionohet.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti ka thënë për Kosovapress se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë nuk është në dijeni për një aksion të tillë.
Për këtë që në orët e mëngjesit kishte reaguar edhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, i cili kishte thënë për “Blic” se 36 makina të njësive speciale ROSU janë nisur drejtë pikave kufitare në veri.
Agjensia “Srna” thotë se në këto momente po kryhet aksioni i arrestimit të personave të dyshuar për incidentet që kanë ndodhur më 25 korrik.
“Po na testojnë se sa shpejtë mund të reagojmë”, ka thënë Ivanovic, duke shtuar se gjithçka tash është nën kontroll.
“Çdo rrugë fshati po përcillet dhe gjithçka e kemi nën kontroll. Të gatshëm jemi për të reaguar, por nuk besojmë se situata mund të eskalojë. Veç po testojnë, edhe neve edhe se si faktorët ndërkombëtarë do të reagojnë. Idenë e kanë të keqe, sepse në çdo aksion të tyre nuk e kanë informuar as KFOR-in e as EULEX-in”, tha Ivanovic, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i EULEX-it, Kai Mueller-Berner, ka konfirmuar se EULEX ka identifikuar të dyshimtët për vrasjen e policit të njësiteve speciale të Kosovës dhe për djegien e kufirit në Jarinje.
“I kemi identifikuar të dyshimtët, por për shkak të hetimeve që po vazhdojnë, nuk mund të japim detaje të identitetit të tyre”, ka thënë ai.
© Panorama.al











