
Kanë zgjatur të paktën 15 orë negociatat mes policisë dhe komisionit të grevës së urisë, deri në nxjerrjen e tyre nga thellësia 1400 metra.Bulqiza, mbrëmjen e së shtunës nuk ka fjetur gjumë. Qyteti dhe gjithë territori i ACR-së është rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa mbarë opinioni priste i nderë së ç’po ndodhte nën tokë. Derisa paraditen e djeshme, 10 minatorë, të parruar e me batanije në duar, dolën në sipërfaqe.
Zbarkimi i policisë në minierë
Rreth mesnatës së të premtes, shefi i forcave të RENEA-s, Shemsi Prençi, gjatë një takimi me kreun e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj dhe eksponentë të tjerë, ka kërkuar ndërprerjen e grevës së urisë, pasi duhej zbatuar ligji, në këtë rast vendimi i gjykatës. Rreth orës 01:30 është regjistruar përplasja e parë fizike mes forcave të shumta të policisë dhe minatorëve që mbanin të bllokuar hyrjen e galerisë. Ata dhe familjarët e grevistëve të urisë kanë tentuar të kundërshtojnë policinë, por dhunimi i tre minatorëve ka bërë që të pranishmit të largohen nga hyrja e galerisë. Nikollaj, nga ana e tij, është shprehur se këto negociata do të zhvilloheshin të shtunën në orën 08:00, në mjediset e ACR-së. Mirëpo të paktën 10 efektivë të RENEA-s, të ndihmuar nga specialistë të minierës së kromit, që janë mbështetës të administratës, kanë mbërritur te ashensori i parë dhe kanë zbritur në nivelin 5. Ndërkaq, ka qenë e pamundur zbritja në nivelin 14, pasi grevistët e urisë kishin bllokuar ashensorin në fund dhe nuk pranonin ta lironin atë. Janë përpjekur për orë të tëra të negociojnë me grevistët, por ata nuk kanë toleruar.
Tri shpërthime nën tokë
Të paktën tri shpërthime janë regjistruar në minierë gjatë orëve të mesnatës, kur forcat RENEA kanë zbritur nga hyrja e galerisë deri në nivelin 5. Shpërthimet kanë ndodhur njëri pas tjetrit, në intervale të shkurtra kohore. Kjo ka bërë që efektivat që kanë tentuar të zbresin në fundin e galerisë të frikësohen keq. Njëri nga efektivët e RENEA-s tha se “krisma e parë m’u duk larg, ndërkohë që dy shpërthimet e tjera më kanë tmerruar, madje kemi menduar se jeta jona do të ishte në rrezik. Ishte errësirë e plotë dhe nuk mendonim se ‘dikush’ brenda minierës do të ndërmerrte një akt të tillë”.
Dje paradite ky episod mbahej sekret nga minatorët dhe policia, por nën zë thuhej se në qoftë se shpërthimet do të kishin dëmtuar forcat e policisë, drejtuesit e komisionit të grevës do të ishin arrestuar. Edhe policia ka evidentuar shpejt ngjarjen dhe ka piketuar autorët, por publikisht shprehej se “kemi rënë dakord për të mos dhunuar asnjë minator”.
Policia shoqëron minatorët, shpërndan banorët
Rreth orës 04:00 deri në orën 07:00, presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, ai i industrisë, Taf Koleci dhe Baki Bajraktari, Ferit Duka e Dashamir Neziri shoqërohen në Komisariatin e Policisë Bulqizë. Për orë të tëra, që nga ora 20:00 e një nate më parë ata janë mbajtur të izoluar në mjediset e ACR-së, duke shkëputur çdo kontakt me minatorët apo grevistët e urisë. “Jemi dhunuar keq nga Forcat Speciale. Jemi mbajtur të bllokuar këtu në minierë dhe në polici sikur të ishim kriminelë, jo njerëz që kërkojmë një copë bukë dhe paga më të mira. Tre nga minatorët janë dhunuar rëndë. Më keq paraqitet Dashamir Neziri. Disa efektivë të RENEA-s e goditën keq, madje gati sa nuk i morën jetën. E dërguam në spital pasi ka marrë plagë të rënda, sidomos në shpinë”, u shpreh Koleci, i cili prej javësh qëndron pranë grevistëve dhe protestuesve. Banorët e Bulqizës janë “tkurrur”, ndërkohë që numri i minatorëve që kanë dalë dje në oborrin e ACR-së ka qenë më i vogël nga ditët e tjera, për t’u shtuar në orët e mesditës. Hyrje-daljet e qytetit kanë qenë të bllokuara. Para zyrave të ACR-së të shikonte syri një numër të pazakontë forcash policie. Të gjithë me skafandra, armë në brez, antiplumb e shkopinj gome. As gazetarët nuk lejoheshin t’i afroheshin zonës së galerisë ku ishin ngujuar minatorët, pasi drejtuesi i forcave që mbante të rrethuar zyrat e ACR-së kërkonte dokumentet.
Lirohen minatorët, Nikollaj: Dakord për lënien e grevës
Heshtja thyhet sepse në piacalen e minierës të pranishmit shpërthejnë në duartrokitje. Policia ka lënë të lirë drejtuesit sindikalistë dhe minatorët e shoqëruar pak orë pas mesnate. Aty mbahet një tubim i shkurtër. Nikollaj u thotë minatorëve dhe familjarëve të grevistëve të urisë se sindikata është për zbatimin e ligjit. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka marrë një vendim. Ajo e konsideron grevën tonë të ligjshme, por kërkohet lirimi i mjediseve të brendshme të minierës si dhe shpëtimi i jetës së minatorëve grevistë”, u shpreh Nikollaj. Pak çaste pas këtij takimi mblidhet komisioni i grevës dhe diskuton për hapat e mëtejshëm të lëvizjes sindikaliste. Për shkak të bllokimit të zyrave të sindikatës, mbledhja mbahet në natyrë. Komisioni i grevës bie dakord që të hyjë në negociata me drejtuesin e operacionit, Shemsi Prençi. “Policia kërkon zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe ne jemi për zbatimin e ligjit. Grevistët janë në kushte të vështira. Ne do të biem dakord me pezullimin e grevës në minierë dhe nisjen e saj në mjediset e ACR-së”, tha Nikollaj pak minuta para takimit me Prençin. Drejtuesi sindikalist deklaroi se minatorët janë të gatshëm për negociata dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje, por është kompania “ACR” që pengon realizimin e saj.
Nxjerrja e minatorëve
Rreth orës 09:00, Prençi e Nikollaj ulen në bisedime. Ata nuk kanë publikuar detaje të negociatave, por policia ka deklaruar se asnjë minator nuk do të dhunohet. Nga ana e tij, presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, ka kërkuar që të zbresë në nivelin 14 me drejtuesin e operacionit policor, Shemsi Prençi. Dhe kështu ka ndodhur. Ndërkaq, përmbaruesi i Dibrës, Edmond Shehu, ka qëndruar për orë të tëra para derës kryesore të galerisë, në pritje të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Dibër. Zbritja nën tokë ka nisur rreth orës 09:10 dhe ka përfunduar në orën 11:20. Fillimisht u tha se grevistët nuk pranonin lëshimin e ashensorit të fundit, por ka qenë ndërhyrja e Nikollajt që ata të binden dhe të presin në fundin e galerisë Nikollajn, Prençin dhe forcat RENEA që kanë qëndruar për shumë orë në nivelin 5. Qindra minatorë qëndronin në pritje të kolegëve të tyre, ndërkaq, po qindra forca policie shpresonin në daljen e grevistëve, madje të lodhur dhe pa gjumë pyesnin gazetarët: “A po dalin nga greva se u torturuam?”. Në 11:20 bie çanga që paralajmëron se ashensori i sipërm u ngjit në nivelin e parë. “Ja, po vijnë!”, thirri njëri nga minatorët që u ishte fshehur forcave të policisë dhe qëndronte disa metra larg derës kryesore. Policia afron pranë galerisë një ambulancë dhe “rreshton” gazetarët në anën e sipërme të saj. Të parët dalin disa efektivë policie, pastaj drejtuesit e operacionit, sindikalistët dhe grevistët e urisë. Të lodhur nga nëntoka, pagjumësia, dhimbjet e kokës, ata dalin në sipërfaqe. Në duar mbanin batanije, kasketa e elektrikët e dorës.
Prençi: Operacioni më i vështirë i jetës sime
Pas ndaljes së grevës së urisë është prononcuar për mediat edhe drejtuesi i këtij operacioni, Shemsi Prençi. Ai fillimisht ka falënderuar drejtuesit e Konfederatës dhe komisionin e grevës që ranë dakord për zbatimin e vendimit të Gjykatës Dibër, por nënvizoi se ky ishte një nga operacionet më të vështira të karrierës së tij. “Sigurisht, ishte një operacion mjaft i vështirë. Ishte hera e parë që ndërhynim në një thellësi të tillë, dhe kjo është një përvojë e re për mua. Operacioni përfundoi me sukses. U zbatua ligji, por nuk pati as pasoja për grevistët”. I pyetur rreth shpërthimeve të një nate më parë në galeritë e minierës, Prençi u përgjigj: “Në galeri ka vazhdimisht shpërthime, por e rëndësishme është se nuk ka pasur konfrontime”, e ka “zbutur” gjendjen ai.
Çmallja me minatorët grevistë
Momente shumë emocionuese kur minatorët që qëndronin në pjacale ndalën ambulancën dhe takuan minatorët që dolën nga greva e urisë. Burra, gra e fëmijë nuk i mbanin lotët. Përqafoheshin dhe thoshin vetëm një fjali: “Shyqyr që dolët shëndoshë”. Nuk ndaleshin thirrjet: “Rrofshin minatorët!”, “Fitore!”, “Minatorët janë heronj!” etj. Brohoritjet nuk ndaleshin dhe e gjithë “urrejtja” drejtohej ndaj forcave të policisë që qëndronin disa hapa larg tyre.
40 mjete policie e qindra forca në aksion
Kanë qenë të paktën 40 automjete policie dje në mjediset e ACR-së dhe në hyrje-daljet e qytetit. Janë parkuar në vende të ndryshme furgonë policie që kanë ardhur në qytetin e Bulqizës, të cilët kanë zbarkuar të premten forca të RENEA-s dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana, Shkodra, Burreli e Peshkopia. Veç grumbullimit të këtyre forcave në Komisariatin e Bulqizës, ata kanë marrë nën kontroll edhe zyrat e kompanisë koncesionare “ACR”, si dhe janë grumbulluar në hyrje të galerisë ku ndodheshin grevistët.
Nikollaj: Bukë me vete, Përkoxha “ka humbur”
Vetëm pak minuta pas daljes nga policia lokale, Kol Nikollajt i është afruar nga njëri minator i Bulqizës një qese me bukë. “Ka dy ditë që Kola nuk është ushqyer. Ka sakrifikuar shumë për ne. Na është gjendur pranë sikur ta kishim vëlla. Ai u qëndroi besnik minatorëve deri në fund. Po ashtu, Taf Koleci ka sakrifikuar shumë nga vetja për të na mbështetur. Nuk gjejmë fjalë për t’i falënderuar”, thanë minatorë të Bulqizës. Ata, sa herë takohen me Nikollajn apo Kolecin, i shohin si shpresa e vetme për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Dje ka rënë në sy mungesa e kreut të këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha. Paraditen e djeshme u tha se ai ka rihyrë në grevë urie me minatorët e “turnit të dytë”, ndërkaq, burime të besueshme shtuan se ai nuk ka qenë mirë nga ana shëndetësore. Ndoshta të hënën edhe Përkoxha do të jetë në krye të sindikatës që drejton.
Minatori Agim Mera: Do të hyj përsëri në grevë urie

Agim Mera është një nga minatorët më të njohur në Bulqizë. Ai njihet dhe për faktin se është shumë i dashur me kolegët dhe herë pas here thur vargje satirike. “Agim Mera nga miniera”, është prezantimi i tij i parë me gazetarët. Pastaj nuk rri pa shtuar: “Rrofshin minatorët, poshtë diktatorët!”. Pyetjes si ka qenë ditët e grevës nën tokë, Mera i cilëson tepër të vështira. “Të rrish dy-tri orë në nivelin 14 lodhesh, djersin, të merren mendtë, nuk shikon si jashtë. Pastaj ankthi më i madh është se kërkon të dish çfarë do të bëhet me 700 minatorët e Bulqizës. Ishte e vështirë sepse ne kishim ndërprerë të gjitha lidhjet me jashtë. Kishim bllokuar ashensorin e dytë dhe nuk lejonim askënd të zbriste poshtë”, tregon ai. Minatori Agim Mera tregon se natën e së premtes ka dëgjuar zhurma në nivelin 5. “Flasin me telefon manual dhe sipër na del një zyrtar i policisë. Na thotë se duhet të lejonim ngjitjen e ashensorit sipër, pasi greva do të pezullohet me vendim gjykate. Ne i themi se kjo nuk ka për të ndodhur pa nënshkrimin e një marrëveshje me ACR-në. Më vonë na ka marrë Kol Nikollaj, që kërkonte “besën” tonë për të zbritur në galeri”, tregon ai. Pavarësisht ditëve nën tokë, Mera thotë se është i gatshëm të rikthehet në grevë urie nëse nuk zgjidhen kërkesat e plota.
Sindikata: Pezullim greve, tani topi në fushën e ACR

Minatorët braktisën grevën e urisë pas 26 ditësh, por kjo vetëm provizorisht, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.Të hënën ata do të mblidhen sërish para zyrave të ACR-së, duke kërcënuar se do të vazhdojnë grevën jo më në galeri, por pikërisht përballë godinës së përfaqësuesve të kompanisë së huaj. “Minatorët e Bulqizës kanë vendosur ta ndërpresin grevën e urisë për dy ditë e për ta nisur më pas ditën e hënë, kur të krijohen ambientet për grevistët para kompanisë së ACR-së. Ne ramë dakord që vendimi i gjykatës të zbatohet, paçka se nga ana jonë ai vendim konsiderohet i padrejtë”, nënvizoi kryesindikalisti i minatorëve, Kol Nikollaj, teksa në sfond ishin grevistët e urisë. Nikollaj tha se aktualisht nuk po zhvillohet asnjë negociatë mes minatorëve dhe kompanisë austriake “ACR”.

Sipas tij, minatorët do të qëndrojnë dy ditë pushim deri në pritje të një përgjigjeje dhe në rast të kundërt do ta vijojnë grevën e urisë tashmë në sipërfaqe të tokës. “Jemi në pritje të ACR-së, do të presim dy ditë për një reagim nga firma. Të hënën do të vendosim për një grevë tjetër të dytë në rast mospërgjigjeje nga kjo firmë. Atëherë greva do të bëhet përpara mjediseve të ACR-së”, deklaroi Nikollaj.
Kur kishin kaluar pak orë nga ndalja e përkohshme e grevës së urisë, ka reaguar kompania “ACR”, nëpërmjet administratorit të firmës austriake, Giga Bedineishvili. Ai ka shprehur kënaqësinë për këtë veprim, por pa specifikuar çfarë do të bëhet me kërkesat e minatorëve. “Shprehim kënaqësinë për daljen pa rrezik jete të minatorëve nga miniera”, tha Bedineishvili, duke shtuar se tashmë ai beson se Bulqiza dhe miniera do t’i rikthehen normalitetit. Ndërkohë, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, tha se minatorët ndërmorën aktin civil të ndaljes së grevës duke treguar maturi dhe emancipim. “Tani topi është në fushën e ACR-së. Në qoftë se ajo nuk na plotëson të gjitha kërkesat, ne do të rinisim të hënën grevën e urisë në mjediset e ACR-së”, pohoi Koleci.
Kushtet e paqes
Prej javësh, “paqja” mes ACR-së dhe Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës ka mbetur vetëm te një çështje: pikërisht te largimi i drejtuesve. Nga ana e tyre, sindikalistët kërkojnë heqjen e drejtorit të minierës, Medat Zogu, ndërsa kompania austriake deklaron se i plotëson të gjitha kërkesat, vetëm të ikë
Kol Nikollaj. Më parë, të dyja palët kanë arritur konsensus për rritjen e pagës me 20 për qind dhe kryerjen e investimeve në minierë.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











