Spanjë, pronari i Albanian Airlines lirohet nga burgu

Aug 29, 2011 | 12:22
Ali Evsen, pronari i “Albania Airlines”

Gjykata spanjolle liron nga paraburgimi biznesmenin Ali Evsen, pronar i kompanisë ajrore “Albanian Airlines”.Pak ditë më parë, autoritetet shqiptare janë njoftuar në rrugë zyrtare se biznesmeni turk me aktivitete sipërmarrjeje në Shqipëri është lënë i lirë nga Gjykata spanjolle, pasi ka paguar një garanci prej 5 milionë eurosh. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, Gjykata kombëtare spanjolle ka pranuar garancinë 5 milionë euro nga avokatët e biznesmenit Ali Evsen dhe më tej ka vendosur lirimin e tij nga paraburgimi. Pronari i “Albanian Airlines” po hetohet në Shqipëri në lidhje me disa transferta financiare, të kryera prej tij gjatë viteve të fundit. Ali Evsen u arrestua në Madrid në muajin qershor të këtij viti, së bashku me shtetasin Husein Salem, një personazh i njohur si mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor me ish-presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarak. Husein Salem akuzohet se ka shitur nën vlerë produktet e gazit natyror të Egjiptit, duke i shkaktuar dëm arkës së këtij shteti, si dhe duke përvetësuar fitimet e duke vendosur një pasuri të sekuestruar tashmë, mbi 30 milionë euro. Dyshimet e prokurorisë janë se biznesmeni Ali Evsen, i cili vepron prej vitesh në Shqipëri, ka kryer pastrim parash në marrëdhëniet financiare që ka pasur me shtetasin Hussein Salem me të cilin u arrestua në muajin qershor në Madrid të Spanjës.
Hetimi
Sipas një buletini informues që ka mbërritur në prokurorinë dhe Interpolin shqiptar, Gjykata spanjolle e liroi biznesmenin Ali Evsen më 11 gusht 2011. Pronari i Albanian Airlines, i cili përmes avokatit të tij në Tiranë ka kundërshtuar hetimet ndaj tij për pastrim parash, ka depozituar garancinë 5 milionë euro, kërkuar nga Gjykata e Madridit. Kjo gjykatë më herët kishte vendosur kushtin 18 milionë euro garanci për lirimin e Evsen, por me kalimin e kohës trupi gjykues e reduktoi garancinë në 5 milionë euro. Ndonëse ka lënë të lirë biznesmenin Evsen kundrejt 5 milionë eurove, Gjykata e Madridit ka kërkuar 6 milionë euro garanci për lirimin e të arrestuarit tjetër, Hussein Salem dhe djalin e tij. Sipas akuzës së ngritur nga autoritetet spanjolle, tre të arrestuarit dyshoheshin në lidhje me shitjen e gazit egjiptian në Mesdhe.

Hetimi ne Tirane

Prokuroria shqiptare ka hapur një hetim ndaj biznesmenit Ali Evsen, menjëherë pasi ai u arrestua në Spanjë. Organi i akuzës gjithashtu bllokoi edhe llogaritë bankare të kompanisë “Albanian Airlines”, duke vendosur në vështirësi funksionimin e këtij subjekti. Për këtë shkak, avokati e cilësoi hetimin dhe sekuestron të paligjshme dhe i kërkoi gjykatës lirimin e llogarive, derisa klienti i tij nuk ishte cilësuar ende fajtor nga asnjë gjykatë brenda apo jashtë Shqipërisë.

Miku i Mubarak
Hussein Salem, sipas përshkrimeve që i kanë bërë mediat spanjolle, është personazhi kryesor në historinë e abuzimit me tregtinë e gazit egjiptian. Mediat aludojnë se Salem, një ish-punonjës i shërbimeve sekrete ushtarake, duke shfrytëzuar njohjet dhe miqësinë e tij me ish-presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarak, ka marrë monopolin e shitjes së gazit që nxirrej nga Egjipti. Për shumë vjet, ai e ka shitur gazin natyror në Mesdhe dhe vende të tjera, siç dyshohet nën çmimin real, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në Egjipt. Për këtë, pas rënies së Presidentit Mubarak është hapur një hetim, ndërsa është zbuluar se Hussein Salem zotëronte 32 milionë euro pasuri në bankat e Spanjës, të cilat janë bllokuar.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura