Një ndeshje e jashtëzakonshme e Iker Kasijasit dhe vetëm një sulm perfekt i Jesus Navas, kështu Spanja më e keqe e kohëve të fundit arrin që të shtypë Kroacinë duke e eliminuar nga Europiani. Sakaq, ballkanasit humbën edhe rastin e tyre më të mirë me Rakitiç për të bërë edhe surprizën e radhës në këtë Europian. E megjithatë, Spanja merr vendin e parë në grup dhe pret e qetë sonte skuadrën me të cilën do të ndeshet në çerekfinale. Kroacia mbrohet me 11 lojtarë. Biliç “dashuron” lojën e ashpër, fizike, përkundrejt një Spanje e cila vazhdon me pasime marramendëse, por që në këtë përballje nuk arrin të ndërsjellë kundërshtarin për ta nxjerrë fillimisht nga zona dhe më pas ta sulmojë aty ku duhet. Arbitri gjerman Stark është thuajse gjithnjë larg aksioneve, por duke qenë me të njëjtën shtetësi si Papa besohet se do arbitrojë drejt. Në fakt një takë e ngritur e Serxhio Ramosit ndaj Mandzukiçit në linjën e zonës së rreptësisë minimalisht duhej të sanksionohej me karton të verdhë ndaj spanjollit. Madje, arbitri bën një tjetër gabim: i nxjerr karton të verdhë Korlukas, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i tregon se ku kishte gabuar. Kaq mjafton për të krijuar një ide për mënyrën e arbitrimit. I vetmi rast që të rrëqethte në pjesën e parë, erdhi nga një goditje e Kasvit nga larg. Gjithsesi, duhet thënë se nuk është fort e pëlqyeshme as kjo Kroaci, e cila gjatë gjithë pjesës së parë nuk bën gjë tjetër veçse mbron dhe bën faulle taktike deri në nervozizëm. Në fraksionin e dytë të lojës, ndeshja nuk ndryshon edhe aq sikundër pritej. Kroaci bën të njëjtën lojë, me mbrojtjen të ngjeshur, faulle aty-këtu që janë në limitet edhe të kartonëve, teksa arbitri Stark vazhdon të tolerojë. Ndërkohë Biliç ka krijuar një kurth për Mesin e Spanjës, David Silva, por harrohet disi Iniesta, i cili bën edhe lojën e iberikëve. Transformimi i lojës së kroatëve nis disku në mesin e kësaj pjese, kur Biliç bën disa ndryshime dhe i kërkon Modriçit që të shikojë më shumë nga porta. Nga ana tjetër, Del Boske nxjerr jashtë një Torres “të fikur” për Jesus Navas, zëvendësim ky që në fund do japë edhe rezultatin e kërkuar. Rastin më të mirë e kanë ballkanasit, kur Modriç gjen shumë bukur në zonë Rakitiç, i cili thuajse përballë me Kasijanin kërcen bukur me kokë, por gjen reflekset e jashtëzakonshme të portierit të Spanjës. Edhe një herë kapiteni bëhet protagonist duke ruajtur të paprekur portën e tij. Kroatët nervozohen dhe kaq u mjafton spanjollëve që pas parabolës së bukur të Fabregasit vjen Iniesta, që i ul një top të bukur Jesus Navasit, i cili nga ai pozicion nuk mund të gabojë. Është fundi i ndeshjes dhe kaq mjafton që Spanja si e para e grupit të kalojë për në çerekfinale, ndërsa Kroacia bën valixhet duke i dhënë lamtumirën këtij Europiani.
Skeda e ndeshjes
Kroaci-Spanjë 0-1
Shënues: Navas 88’
Kartonë të verdhë: Korluka 27’, Srna 44’, Striniç 53’, Rakitiç 90′, Mandzukiç 90’, Jelaviç 90’
Gjyqtarë: Volfgang Stark/ J.Salver dhe M.Pikel (GER)
Spektatorë: 39.076
Kroacia (4-2-3-1): Pletikosa, Vida (Perisiç 66’), Korluka, Shildenfeld, Striniç, Rakitiç, Vukojeviç (Eduardo 81’), Srna, Modriç, Pranjiç (Jelaviç 66’), Mandzukiç. Trajner: Slaven Biliç
Spanja (4-3-3): Kasijas, Arbeloa, Piké, S.Ramos, J.Alba, Ksavi (Negredo 89’), Buskets, Ksabi Alonso, D.Silva (Fabregas 73’), Torres (J.Navas 61’), Iniesta. Trajner: Visente del BoskeANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Gordon Shildenfeld ishte edhe lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme.
Më i dobëti – Mario Mandzukiç. Nëse në dy ndeshjet e para për këtë skuadër ka qenë heroi i ndeshjes, ndaj Spanjës sulmuesi gaboi shumë duke ndëshkuar skuadrën e tij.
Çelësi i përballjes – Ndeshje mori një rrjedhë tjetër kur trajneri i Kroacisë, Biliç, bëri dy zëvendësime dhe u kërkoi të tijve që të sulmonin. Në atë moment spanjollët patën rastin e mirë për t’u kundërpërgjigjur duke qenë se gjetën hapësira në mesfushën kroate.
Moviola – Arbitri gjerman e drejton mirë ndeshjen dhe gabon vetëm në një rast, kur Serxhio Ramos ndërhyri me dy këmbët ndaj Mandzukiç. Në atë moment mbrojtësi i Spanjës meritonte një karton të verdhë, por arbitri ia kurseu.
Del Boske: Pata frikë se mund të eliminoheshim
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, ka pranuar se në një moment ka pasur frikë edhe nga eliminimi, pasi Kroacia jo vetëm që po mbrohej më së miri, por po rrezikonte edhe portën e Kasijasit. “Ishte një ndeshje mjaft e fortë, ku duhet të kisha nerva për të duruar. Kroacia na detyroi që të luanim me topa të gjatë, pasi nuk arrinim të organizoheshim dot ndryshe. Në një moment pata edhe frikë se do eliminoheshim, kur Kasijas neutralizoi një goditje mjaft të bukur”.
Biliç: Krenar për këtë Kroaci, të pafat
Trajneri i Kroacisë, Slaven Biliç, ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij edhe pse u eliminua nga Europiani. “Realisht jam krenar për këtë skuadër. Luajtëm një ndeshje mjaft të mirë, por ndonjëherë duhet të kesh edhe pak fat për të pasur rezultat. Lojtarët nuk u kursyen dhe zhvilluan një ndeshje nga më të mirat ndaj një kundërshtari tejet të fortë si Spanja. Nuk mund t’i kërkoja më shumë lojtarëve. Dhanë maksimumin në fushë dhe deri dhjetë minuta nga fundi ishin në lojë për kualifikim”.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











