Spanja, kampione dhe rekordmene

Jul 2, 2012 | 14:19

Quajeni “rekordmenia Spanjë”! Kjo pasi është e vetmja skuadër në botë që ka mundur të fitojë tri kompeticione radhazi: Europianin 2008, Botërorin 2010 dhe Europianin 2012.
Me fitoren e djeshme të trofeut të kampionit të Europës, ajo bëhet e vetmja skuadër në botë, e cila jo vetëm që ka shkuar në finalet e tri kompeticioneve ndërkombëtare radhazi, por edhe i ka fituar ato (vetëm Gjermania e viteve ’70-të kishte marrë dy trofe radhazi në Europianin e ’72-shit dhe në ’74-n). Kështu, iberikët vendosin hegjemoninë e tyre në futbollin botëror. Një sukses i trefishtë, që dëshmon qartë epërsinë e padiskutueshme të spanjollëve në këtë lojë magjike. Dominim, i cili u duk qartë që në sekondën e parë të finales së Kievit, ndaj Italisë, që kishte mrekulluar me lojën e saj deri në këtë “stacion”, por i “ngeci sharra në gozhdë” ndaj strategjisë “alla Barcelona” të skuadrës së Del Boskes. Epërsia e kësaj të fundit nuk reshti deri në vërshëllimën e fundit të kryesorit portugez, Proenca. Gjatë 90 minutave, të luajtura në prani të më shumë tifozëve spanjollë, si për të kompletuar edhe në këtë drejtim epërsinë e thellë të tyre, janë prodhuar katër gola për “La Furia Roja”, me autorë David Silva, Xhordi Alba, Mata dhe Fernando Torres. Këta dy të fundit janë hedhur në lojë si zëvendësues, por u ka mjaftuar aktivizimi për të shënuar secili. Finalja e këtij Europiani foli kryesisht spanjisht, kjo edhe për shkak të fatit të keq që e ndoqi Italinë, teksa Kielini u dëmtua herët dhe ia la vendin Balzaretit, ndërsa në minutën e 60-të, i sapohedhuri në fushë, Tiago Mota, në vend të Montolivios, do të pësonte tërheqje, duke mos e vijuar dot lojën. Por, pamundësia e tij e ka lënë Italinë me dhjetë lojtarë në fushë, për shkak se braziliano-italiani i Paris SG ishte zëvendësimi i tretë dhe Prandeli nuk mund të bënte më zëvendësime. Kjo ia ka lehtësuar përfundimisht punën skuadrës iberike, e cila ka luajtur si “macja me miun” me “axurrët”, përmes qarkullimit të dendur të topit dhe infiltrimeve marramendëse e vdekjeprurëse në prapavijën e italianëve. Dy gola në pjesën e parë dhe po aq në të dytën kanë vulosur fatin e kësaj finaleje të shumëpritur, e cila ka ngritur në podium sërish Spanjën, si kampione e Europës edhe për katër vite të ardhshme. Sakaq, Italia zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të këtij Europiani, kjo edhe për faktin se Prandeli si asnjëherë tjetër më parë luajti nga minuta e parë jo me kujdesin e duhur dhe me idenë se mund të luante si i barabartë me iberikët. Por moduli 4-3-1-2 i zgjedhur nga ky i fundit, në ndryshim nga i ndeshjes në grup me Spanjën (luajti 3-5-2), solli edhe humbjen fatale të “axurrëve”. Gjithsesi duhet thënë se kjo Itali, të paktën hodhi poshtë shumë parashikime, të cilat nuk e shihnin as deri në gjysmëfinale.

Spanjë-Itali 4-0
Shënues:
D.Silva 14′, J.Alba 41′, Torres 84′, H.Mata 88′
Kartonë të verdhë: Pike 25’/ Barxali 45′
Gjyqtarë: Pedro Proença/ B.Miranda dhe R.Santos (POR)
Spektatorë: 63.170
Spanja (4-3-3): Kasijas, Piké, S.Ramos, Arbeloa, J.Alba, Iniesta (Mata 87′), Ksavi, Fabregas (Torres 75′), Ksabi Alonso, Buskets, D.Silva (Pedro 59′). Trajner: Visente del Boske
Italia (4-3-1-2): Bufon, Kielini (Balzareti 21′), Barxali, Bonuçi, Abate, Markisio, De Rosi, Montolivo (T.Mota 56′), Pirlo, Baloteli, Kasano (Di Natale 46′). Trajner: Çezare Prandeli
ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Andres Iniesta ka qenë edhe lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme. Ndonëse nuk shënoi asnjë nga 4 golat, ai ishte i kudondodhur në fushën e lojës.
Më i dobëti – Barxali ishte edhe lojtari më i dobët. Mbrojtësi gaboi në të paktën tri raste të golave të pësuar.
Çelësi i përballjes – Italia, me një mbrojtje të pakujdesshme dhe një mesfushë të fikur dhe pa ide. Nga ana tjetër, Spanja pa “derdhur” shumë djersë, arriti të depërtojë lehtësisht në hapësirat e lëna bosh nga kundërshtari. Sakaq, duhet thënë se spanjollët ditën edhe të shfrytëzojnë në maksimum dy rastet më të mira që iu dhanë, duke shënuar dhe më pas duke kontrolluar qetësisht ndeshjen.
Moviola – I drejtë kartoni i verdhë dhënë mbrojtësit të Barcelonës, Zherard Pike, për një ndërhyrje të gabuar në dëm të Kasanos. I rregullt edhe goli i dytë i iberikëve, pasi Jordi Alba mbahet në lojë nga Barxali në momentin kur merr topin dhe shpërthen drejt portës. Ndërkohë në minutën e 49-të, goditja me kokë në zonë e Ramosit u pengua nga dora e Bonuçit, por arbitri vazhdoi lojën. Kishim të bënim me një penallti për spanjollët.

Torres, shënues në tri kompeticione
Është unikal në llojin e vet: Fernando Torres është i vetmi sulmues në botë që ka realizuar gol në tri kompeticione radhazi, duke u shënuar kështu një rekord shumë domethënës, jo shumë për Spanjën sesa për karrierën e tij. Sulmuesi i Çelsit ka luajtur në finalet e kampionatit europian të 2008-s (shënoi edhe golin e fitores në finale me Gjermaninë), në finalet e Botërorit 2010, ku sërish shënoi gola me peshë për kombëtaren spanjolle, si dhe në finalet e Europianit të këtij viti, ku u shpall edhe golashënuesi më i mirë i turneut. Deri tani “El ninjo” ka luajtur 98 ndeshje me fanellën e “furive të kuqe” duke shënuar 31 gola.

“La Roja”, rekord golash në finale
Nuk kanë fund rekordet që thyen kjo Spanjë. Fitorja e djeshme ndaj Italisë kap kreun e renditjes për sa i përket fitores më të thellë që një skuadër ka shënuar në një ndeshje finale. Të gjitha ndeshjet finale të Europianëve nga 1960-ta kanë pasur gola, por asnjë skuadër nuk ka mundur të fitojë me 4 gola diferencë, sikundër dje Spanja. Vetëm Gjermania në vitin 1972 arrinte të fitonte 3-0 ndaj Bashkimit Sovjetik. Por vetëm kaq, pasi takimet e tjera në finale nuk kanë prodhuar më shumë se tre gola. Përjashtim bën edhe finalja e 1976-s, kur Çekosllovakia barazonte 2-2 me Gjermaninë dhe më pas fitonte me penallti 5-3.

Prandeli: Spanja fitoi se ishteme e freskët
Çezare Prandeli mundohet të mbajë lotët pas dështimit, edhe pse për t’i kapërdirë ato kishte kohë gjithë pjesën e dytë. Trajneri i Italisë është i zhgënjyer për mbylljen e kësaj aventure, me një humbje të thellë 4-0, kundër kampionëve të Europës. “Gjithsesi, ky ishte një turne fantastik për ne. Spanja ishte shumë më e freskët fizikisht sesa ne. Deri në këtë finale kemi shpenzuar shumë forca dhe, sado që jemi mundur të kursejmë forcat, kundër kampionëve që kishim përballë është e vështirë të rezistosh nëse nuk je në maksimum”, shpjegon Prandeli.

Del Boske: Presing dhe kujdes, ja si fituam
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, tregon edhe faktet që çuan ekipin e tij te fitorja. “Luftuam shumë për të shënuar golin e parë, ndërsa i dyti i vuri vulën këtij trofeu. Nuk bëmë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Thjesht luajtëm ashtu sikundër ne dimë më mirë të bëjmë, sipas mënyrës sonë. Kishim përballë një rival që kishte ardhur gjithnjë e në ngritje, ndaj edhe i kisha porositur lojtarët që të kishin shumë kujdes dhe të bënin presing gjatë gjithë kohës. Këtë titull ia dedikoj futbollit spanjoll në përgjithësi dhe familjes sime”, ka pohuar Del Boske.

Spanja, “mbretëreshë” edhe në financa e EURO-s
Kampionët e Europës përfitojnë në total 23 milionë euro

Kampionia e re e Europës, Spanja, është dhe skuadra që ka përfituar më shumë financiarisht nga Europiani i 14-të në histori. Me shpalljen kampion për të tretën herë, “furitë e kuqe” arkëtuan nga UEFA plot 23 milionë euro. Bonusi i UEFA-s për 16 skuadrat finaliste në Poloni dhe Ukrainë ishte 196 milionë euro. Kështu, secila prej ekipeve finaliste është shpërblyer me 8 milionë euro. Pastaj, në ndeshjet në grup, një fitore është shpërblyer me 1 milion euro, ndërsa një barazim me 500 mijë euro. Skuadra që përfundoi e treta në grup, ka përfituar edhe 1 milion euro të tjera bonus. 8 skuadrat çerekfinaliste morën 2 milionë euro secila për kualifikimin në këtë fazë, ndërsa Gjermanisë, Portugalisë, Spanjës dhe Italisë, 4 ekipeve gjysmëfinaliste, iu akorduan edhe 3 milionë euro të tjera për pjesëmarrjen në fazën e ½-ave. Spanja përfitoi dje edhe 7.5 milionë të tjera, pasi triumfoi në finale, ndërsa Italia u kënaq me vetëm 4.5 milionë si nënkampione (19.5 në total). Pas Spanjës dhe Italisë është Gjermania skuadra që ka përfituar më tepër (16 milionë euro). Nëse djemtë e Lëvit nuk do të ishin eliminuar në gjysmëfinale, atëherë ata do të ishin dhe skuadra që do të përfitonte më shumë nga skema e shpërblimeve (23.5 milionë euro), për shkak se arritën t’i fitonin të tria ndeshjet e Grupit B me Portugalinë, Holandën dhe Danimarkën. Pas 3 vendeve të podit, renditet një tjetër gjysmëfinaliste, Portugalia (15 milionë euro), dhe kështu me radhë deri te Irlanda e Holanda, me nga 8 milionë euro.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura