
TIRANË- Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu vënë në qendër të hetimit nga ana e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e tij si numri dy i institucionit ka deklaruar sot se që nga data 1 shkurt është kërkuara auditi i plotë tre vjecar i veprimtarisë ekonomike, financiare e ligjore te KLD nga KLSH-ja.
Deklarata është bërë në përgjigje të kërkesës për dhënie informacionesh nga ana e KLD-së, për të cilat Spahiu ka pranuar se KLD është e hapur, por puna ka një radhë.
“Prej disa ditësh, pranë zyrave tona mund të gjeni grup të auditimit të KLSH, autoriteti i vetëm kushtetutes për të kontrolluar institucionet e pavarura. Mendoj që në respekt të Kushtetutës, KLD i ka vënë në dispozicion inspektorëve të gjithë dosjet dhe dokumentacionin origjinal për periudhën 3 vjecare. Në referencë të Kushtetutës është ai që informon dhe raporton në Kuvend për situatën apo kontrollet financiare ekonomike, apo problemet ligjore që kanë konstatuar”- tha Spahiu.
Ai reagoi edhe për pasqyrimin e hyrje daljeve të tij jashtë vendit, nga ana e një deputeti të maxhorancës (emrin e të cilit nuk e përmendi), sipas të cilit në 3 vite e gjysmë numëron 39 hyrje dalje.
“Ftoj publikun që këtë ta vazhdojmë për hir të transparencës të publikojmë hyrje daljet e cdo ministri dhe zyrtari të lartë, për të parë në referencë krahasuese. AK u krijua 10 muaj më parë, por për të shtuar numrin e hyrje daljeve shtuan numrin në 3.5 vjet. Gjysma prej tyre janë në Prizren, Prishtinë, Tetovë, Ulqin, që i konsideroj qytete shqiptare, ndërkohë për ata janë qytete të huaja”- tha ai.
Sipas Spahiut, qëllimet e hyrje daljeve jashtë Shqipërisë ndryshe nga cdo zyrtar kanë qenë publike dhe të pasqyruara nga mediat. “Asnjë udhëtim nuk ka qenë konflikt interesi me detyrën. Kjo është një sfidë që do tregojë shumë shpejt të fituarin dhe të humburin, publiku është arbitri i konfliktit”- tha ai.
© Panorama.al











