Spahiu në Durrës: PD është partiçkë

Feb 26, 2012 | 11:32
Kreshnik Spahiu

DURRES – Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, iu drejtua dje nga Durrësi Kryeministrit Berisha, duke deklaruar se shumë shpejt PD-ja do të mbetet në minorancë. Gjatë një takimi me mbështetës të kësaj lëvizjeje, Spahiu u shpreh se shumë shpejt Berisha do të shohë se një milion shqiptarë do t’i bashkohesh AK-së, ndërsa Partia Demokratike do të mbetet një “partiçkë”. “Berisha na ka quajtur atavistë dhe kallogjerë, por unë kam një mesazh për partiçkën e Berishës: I nderuar ‘kallogjer’, në partiçkën tënde do të mbeteni në minorancë”. Duke iu referuar Kuvendit Kombëtar të AK-së në muajin maj, kreu i AK-së, u shpreh se ai do të mbahet në stadium, pasi sipas tij, Pallati i Kongreseve i përket Sali Berishës dhe Ramiz Alisë. “Nuk ka sallë që i mban delegatët në Kuvend. Ai do të mbahet në stadiumin e Tiranës, ndërsa Berisha le të rrijë me partinë e tij në Pallatin e Kongreseve, në pallatin e Ramiz Alizë, në pallatin e diktatorëve”, theksoi Kreshnik Spahiu. Ai sulmoi kreun e qeverisë duke e quajtur antishqiptar. “Sot në 100-vjetorin e pavarësisë ai po shet shtetësinë për 100 mijë euro. Me këtë parullë shiti bregdetin e Durrësit te mafia serbe, te mafia boshnjake dhe ajo shqiptare”, deklaroi Spahiu, duke shtuar se në këtë mënyrë plotësohet ëndrra shekullore të Serbisë për të dalë në Adriatik.

© Panorama.al

Te lidhura