Spahiu: Jo koalicion me PS e PD, jemi shpresa e së ardhmes

Feb 18, 2012 | 12:16

Aleanca KuqeZi do të garojë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Kështu u shpreh dje Kreshnik Spahiu, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, nga ku theksoi se Aleanca KuqeZi do të shndërrohet në partinë më të re politike.

Ai theksoi se në zgjedhjet e ardhshme kjo parti nuk do të bëjë aleancë apo koalicione me dy partitë kryesore në vend, me demokratët dhe socialistët. “AK nuk bën kompromis me të keqen dhe nuk do të bëjë koalicion elektoral as me Partinë Demokratike dhe as me Partinë Socialiste. Ne jemi për dialog, jo për polarizim, jemi për kompromis, por jo me elitat bolshevike.

Aleanca KuqeZi nuk është partia e radhës, por është shpresa e së ardhmes”, deklaroi Spahiu. Ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi se qeverisja e AK-së do të synojë përfshirjen në politikë të një brezi të rinjsh dhe të rejash. “AK do t’i sjellë Shqipërisë një qeverisje të re me një gjenerate të re, me një brez të ri ndryshe nga gjithë qeveritë e tjera të tranzicionit. Qeverisja e Aleancës KuqeZi do të bazohet tek legjitimiteti i votës së lirë, transparenca, llogaridhënia përballë qytetarëve dhe në instalimin e standardeve të reja demokratike në unitet, por jo me kriminalitetin dhe politikanë të korruptuar”, pohoi kryetari i AK-së.

Pas takimeve që ka zhvilluar në Amerikë, Kreshnik Spahiu tregoi dhe disa nga shtyllat e programit politik që do të ketë Aleanca KuqeZi, ku la pa përmendur dhe zgjidhjen e çështjes së pronës. “Ne jemi për kohezion social, por jo mbi padrejtësinë e pronës, privatizime dhe koncesione antikombëtare dhe antishqiptare. AK mbron dhe do të mbrojë interesat kombëtarë e qytetarë, duke i shërbyer stabilitetit në rajon, politikës së fqinjësisë së mirë, mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare pa këmbime territoresh, por duke u bazuar tek prezenca dhe roli i pazëvendësueshëm i SHBA si fuqia më demokratike e rendit të ri botëror”, tha Spahiu.

Aleanca KuqeZi po zhvillon një seri takimesh në Washington DC me qëllim shkëmbimin e informacioneve, prezantim të programit dhe promovimin e vlerave kontributit, si dhe vizionit të kësaj lëvizjeje.

© Panorama.al

Te lidhura