Spahiu jep dorëheqjen, ikën nga KLD. Padi Kuvendit në Kushtetuese

Feb 11, 2012 | 11:19

Kreshnik Spahiu

Ish-nënkryetari i KLD deklaroi dje se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të zgjidhë mosmarrëveshjen.

Padi Kuvendit në Kushtetuese. Alibeaj: Kallëzim në Prokurori.

Kreshnik Spahiu i dorëzoi dje Presidentit Bamir Topi dorëheqjen e parevokueshme nga posti i anëtarit dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Spahiu pohoi se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij do të sqarojë përplasjen institucionale midis Parlamentit dhe Gjyqësorit. Rikthimi në KLD nuk do të ndodhë, edhe nëse Kushtetuesja do t’i japë të drejtë kërkesës së tij. Ish-zv.kryetari i KLD-së i theksoi sulmet e maxhorancës si politike dhe me një zanafillë që në vitin 2008. “Pas 3 vitesh e gjysmë përpjekjesh të qeverisë për të më shkarkuar, e cila e ka fillesën më korrik 2008 ku ish-ministri i Drejtësisë së qeverisë Berisha i kërkoi KLD-së verifikimin e mandatit tim, e deri më sot ku politikisht kërkohet rrëmbimi i këtij funksioni dhe ku është përfshirë edhe një pjesë e Kuvendit, vendosa t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, të iniciuar me kërkesën për shkarkimin e zv.kryetarit të KLD-së, duke marrë dhe pushtuar Kuvendi kompetencat ligjore të vetë KLD-së”, deklaroi Spahiu. Largimi nga detyra për Spahiun erdhi për t’i hapur rrugë gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të Gjykatës Kushtetuese. Spahiu e ka cilësuar si antikushtetues komisionin hetimor për shkarkimin e tij dhe si një cenim të pushtetit gjyqësor. Lideri i Aleancës Kuqezi theksoi se largimi nga detyra është një motivim për të punuar më shumë për kauzat e mëdha që e presin. “Për shumë deputetë dhe ministra, lënia apo largimi nga karrigia është fundi i botës dhe pushtetit të tyre, sepse ata urrehen nga publiku dhe kapen fort pas karriges, makinës, truprojave, privilegjeve duke diktuar pushtet, për ne largimi nga karrigia nuk është as fundi dhe as vazhdimi, por fillimi i provës me autoritetin dhe pushtetin që të dhuron publiku”, tha Spahiu, që publikisht u tha lamtumirë kolegëve dhe udhë e mbarë lëvizjes së re.
Komisioni hetimor
Dorëheqja e Kreshnik Spahiut nuk është njohur nga maxhoranca. Kryetari i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj, pohoi se përpos shkarkimit, Spahiu do të paditet penalisht për mosdhënien e informacionit ndaj institucionit të Kuvendit. “Jam i detyruar në bazë të ligjit, neni 254, të paraqes kallëzim penal për zyrtarin shtetëror të KLD-së, Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD, drejtues administrativ i këtij organi, për shkak se ka shpërdoruar detyrën duke mos sjellë pranë komisionit hetimor dhe duke mos respektuar shkresat për të cilat janë kërkuar, duke mos respektuar urdhërimin hetimor”, theksoi Alibeaj. Kryetari i komisionit hetimor tha se miratimi i raportit përfundimtar do të bëhet më datë 13 shkurt, një ditë para festes së Shën Valentinit.

Kuvendi
Paulina Hoti, sekretarja e komisionit hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, deklaroi se dorëheqja e Kreshnik Spahiut është një tentativë për t’i shpëtuar ndëshkimit të Parlamentit. Sipas deputetes së PD-së, procedura e shkarkimit do të vazhdojë pasi dorëheqja nuk njihet nga organi legjislativ. “Komisioni për hetimin e Spahiut do të vazhdojë punën. Zoti Spahiu do të shkarkohet për abuzimet e rënda që ka kryer. Parlamenti nuk e pranon dorëheqjen e tij. Dorëheqja e tij është bërë për t’i shpëtuar ndëshkimit”, theksoi Hoti.

Topi: Do të flas pas Kushtetueses, Spahiu do zëvendësohet menjëherë

Presidenti Bamir Topi

Reagimi i Presidentit pas vendimit të Spahiut
Presidenti Bamir Topi deklaroi dje se dorëheqja e zv.kryetarit të KLD-së është një akt individual dhe, si i tillë, duhej respektuar. Topi ka shmangur komentet për dorëheqjen e zëvendësit, duke pohuar se do të jetë vetë Spahiu që do të sqarojë pozitën e tij në ditët në vijim. Topi ka preferuar të mos japë një mendim lidhur me hetimin parlamentar që po zhvillohet për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, ndonëse ky i fundit dha dorëheqjen. Kreu i shtetit deklaroi se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos ndikuar në vendimmarrjen e këtij institucioni të specializuar. “Më lejoni të mos interferoj në këtë çështje, për sa kohë, me sa kam dëgjuar sot, zoti Spahiu e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk do ta kishte në Gjykatën Kushtetuese, unë mund të kisha dhënë një mendim timin personal. Për sa kohë është në Gjykatën Kushtetuese, për ta respektuar atë institucion që është garanti i Kushtetutës, të presim të shprehet. Sigurisht që do të shprehet më mirë se unë. Do të shprehet si institucion dhe me të gjitha termat bazë juridike për këtë çështje”, theksoi Topi. Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë theksoi se Kreshnik Spahiu do të zëvendësohet nga një emër tjetër në mbledhjen e parë të KLD-së. ”Është nevojë imediate që menjëherë në atë pozicion të jetë dikush tjetër, sepse e dini që KLD-ja vërtet ka në krye Presidentin si kryetar, por të gjithë aktivitetin administrativ, me ligj, me Kushtetutë, e mbulon zëvendëskryetari i KLD-së. Kështu që me siguri në një mbledhje të afërt patjetër që do të kemi një emër tjetër”, theksoi Presidenti.

Topalli: “AK drejtohet nga një sharlatan”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar se Aleanca Kuqezi nuk përbën rrezik tkurrjen e votave të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Topalli këtë pohim e bëri dje, gjatë një interviste për “Deutsche Welle”, ku theksoi se lëvizja e Kreshnik Spahiut është një lëvizje, që punon kundër interesave të vendit dhe që drejtohet nga sharlatanë. Sipas nënkryetares së PD-së, pushteti i Aleancës Kuqezi ushqehet nga disa media të caktuara që synojnë t’i prishin punë Kryeministrit Berisha. “Është një realitet fals, i ushqyer më shumë nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të, ndoshta me shpresë se mund t’i prishë punë Sali Berishës. Në fakt, ajo s’ka asgjë të përbashkët me PD-në. Sepse PD-ja është forcë perëndimore, e cila ka lindur si forcë për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ndërsa kjo lëvizje është e kundërta e aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve. Ndaj dhe them që është pa bazë, pa rrënjë dhe jashtë realitetit dhe e drejtuar nga një sharlatan, të cilin shqiptarët e njohin”, deklaroi Topalli.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura