Spahiu, 39 hyrje-dalje jashtë shtetit

Feb 9, 2012 | 11:10

Komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu

Komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së do të miratojë në datën 13 shkurt raportin

Alibeaj: Nënkryetari i KLD po na bën karshillëk, është vepër penale

Komisioni hetimor për nisjen e procedurave të shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të miratojë në datën 13 shkurt raportin përfundimtar, që do t’i kalojë më pas për votim Kuvendit. Gjatë mbledhjes së djeshme, pesë anëtarët e maxhorancës kanë vendosur t’i drejtohen me një tjetër letër zyrtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar informacione për punën e zv.kryetarit Spahiu. Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj, theksoi se vetëm institucioni i KLD-së nuk u është përgjigjur shkresave të Kuvendit, edhe pse ka detyrime ligjore për t’i dhënë informacione. Alibeaj e ka cilësuar si karshillëk neglizhencën e KLD-së, për t’iu përgjigjur kërkesës së Komisionit. Moskthimi i përgjigjes deri në datën 10 shkurt, sipas Alibeajt, do të përbënte një shkelje penale nga zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Neglizhenca apo tentativa për t’u bërë pengesë e ushtrimit të veprimtarisë së këtij komisioni hetimor, duke mos kthyer përgjigje ndaj Kuvendit të Republikës, unë mendoj që jemi në limitet e konsumimit të veprës penale nga zoti Spahiu”, pohoi Alibeaj.
Hetimi
Sipas të dhënave të mbledhura nga Komisioni hetimor rezulton se nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka shënuar rreth 39 hyrje-dalje jashtë vendit, në një periudhë trevjeçare. Kryetari i Komisionit, Alibeaj, pohoi se të dhënat janë marrë nga Policia e Shtetit, konkretisht nga sistemi TIMS. “Në lidhje me hyrje-daljet rezulton se zoti Spahiu ka 39 hyrje-dalje jashtë territorit të Shqipërisë. Këto janë fakte të cilat do të vlerësohen në mënyrë integrale me gjithë veprimtarinë tjetër të zotit Spahiu”, theksoi kryetari i Komisionit. Nënkryetarit të KLD-së i është bërë një tjetër ftesë dhe i është caktuar dita e premte si afati i fundit për të raportuar para ligjvënësve e për të paraqitur mbrojtjen. Nga ana tjetër, pjesë e hetimit që do të kryhet nga Komisioni parlamentar për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, do të jenë dhe pamjet filmike të mbledhura nga mediat kombëtare dhe lokale. “I është kërkuar me shkresë Shkollës së Magjistraturës për fakte të tilla si numri i studentëve të diplomuar, koha e diplomimit të tyre, koha dhe kur KLD-ja ka bërë të mundur emërimin përfundimtar dhe të tilla fakte si këto”, pohoi Alibeaj.

Thesari i Shtetit
Komisioni hetimor i është drejtuar me një shkresë Thesarit të Shtetit për të marrë informacione për mënyrën se si janë shpenzuar fondet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “Faktet dhe të dhënat që i kemi kërkuar KLD-së kanë përfshirë mënyrën e menaxhimit financiar të buxhetit të KLD-së, mënyra e menaxhimit të burimeve njerëzore, emërimet dhe shkarkimet në stafin e KLD-së, Komisioni hetimor ka mundësitë për t’i marrë në mënyra të tjera. I kemi dërguar shkresë edhe Thesarit të Shtetit për të parë se si ka qenë mënyra dhe cilësia e aspektit financiar të këtij institucioni”, tha Alibeaj.

Udhëtimet jashtë vendit
39 hyrje-dalje jashtë territorit të Shqipërisë rezultojnë të regjistruara nga Policia e Shtetit për nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu. Të dhënat janë bërë me dije gjatë punimeve të Komisionit hetimor parlamentar për nisjen e procedurave të shkarkimit të Kreshnik Spahiut. Në mbledhjen e shkuar, kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj, theksoi se në një hark kohor prej një viti rezulton se zv.kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka marrë pjesë në 43 organizimeve apo tubime në rolin e drejtuesit.

Spahiu: Dokumentet janë në duart e KLSH

Kreshnik Spahiu

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, hodhi poshtë dje deklaratat e deputetit Enkelejd Alibeaj në lidhje me pretendimin për mosdhënien e dokumentacionit për komisionin hetimor të ngritur nga Parlamenti. “Prej datës 1 shkurt 2012 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka filluar zbatimi i programit të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për periudhën kohore 01/09/2008 deri me 13/12/2011. Në këto kushte, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në respektim të plotë të detyrimit kushtetues ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, si i vetmi organ kushtetues për të kryer kontrollin ekonomik, financiar dhe ligjor të institucioneve të pavarura, si dhe të vetmit autoritet që dorëzon dhe raporton në Kuvendin e Shqipërisë për këto kontrolle”, tha dje Spahiu. Sa u përket akuzave të Alibeajt për 39 hyrje-daljet në tre vjet e gjysmë, Spahiu tha se Aleanca Kuq e Zi ka dhjetë muaj që është krijuar dhe jo tre vjet e gjysmë. “Dëshira për të shtuar numrin e hyrje-daljeve, i detyron të shtrihen në kohë. Një pjesë e madhe e hyrje-daljeve janë në Kosovë, Strugë, Tetovë, Ulqin, të cilat nuk i konsideroj udhëtime jashtë Shqipërisë, ndryshe nga Z.Alibeaj”, tha Spahiu. Ai vuri në dukje se asnjë hyrje-dalje nuk është në konflikt interesi me detyrën. Në respekt të interesit të publikut, Spahiu ftoi deputetët të publikojnë të vërtetën mbi udhëtimet e tyre jashtë Shqipërisë.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura