Spahija: Të ardhurat u rritën me 69 milionë USD

Feb 9, 2012 | 11:20

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija

Drejtori i Përgjithshëm: Sfida e re, deklarimi i të ardhurave personale.

Kreu i Tatimeve: Në 2011 u arkëtuan 1.66 miliardë USD

Sfida e Tatimeve për vitin 2012 do të jetë administrimi i deklaratave të të ardhurave personale. Ligji i ri i detyron të gjithë ata persona që kanë të ardhura më shumë se 2 milionë lekë në vit, të dërgojnë në mënyrë elektronike formularët ku deklarojnë të gjitha të ardhurat që marrin gjatë vitit.
Skema e re pritet të shtojë një numër të konsiderueshëm formularësh, të cilët duhen përpunuar nga tatimorët. Për drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Gazmir Spahija, kjo përbën sfidën e administratës për këtë vit. Në një intervistë për gazetën, Spahija sqaron edhe situatën e mbledhjes së të ardhurave. Kriza ekonomike, edhe pse e ka prekur vendin, duket se nuk ka ndikuar aq shumë në mbledhjen e të ardhurave. Spahija nënvizon se gjatë 2011-s janë mbledhur në total 69 milionë USD më shumë se vjet. Ky fakt, vërtetohet edhe nga një statistikë tjetër. Sipas kreut të Tatimeve, xhiroja vjetore e biznesit për vitin 2011 u rrit me 23 për qind. Tatimorët kanë arritur në regjistrojnë më shumë se 13 mijë biznese të reja, duke shtuar vetëm gjatë dhjetorit të kaluar 40 mijë të punësuar që paguajnë sigurimet. “Administrata tatimore ka shpenzuar vetëm 1 lek për çdo 100 lekë taksa të mbledhura”, thekson Spahija.
Statistikat e INSTAT-it, por edhe të institucioneve ndërkombëtare, treguan se viti 2011 ishte viti ku kriza ekonomike e goditi më fort vendin. Ndryshimet buxhetore të mesvitit ishin konfirmimi zyrtar i kësaj krize. Sa u ndje ajo në mbledhjen e të ardhurave nga Tatimet?
Për vitin e kaluar, qëllimi kryesor i administratës tatimore ishte realizimi i detyrave duke e orientuar administrimin tatimor në përshtatje të ndryshimeve të ambientit ekonomik të vendit. Sigurisht që në fokusin tonë kanë qenë edhe risqet me të cilat u përball ekonomia vitin e kaluar, marrëdhëniet e tatimpaguesve me tregjet ndërkombëtare. Shifrat e mbledhjes së të ardhurave, sidoqoftë, flasin për një rritje të performancës në të gjithë zërat e Tatimeve. Gjatë vitit 2011, administrata tatimore qendrore mblodhi 166.7 miliardë lekë të ardhura bruto. Kjo shifër është 6.9 miliardë lekë (4.31%) më shumë se në 2010-n. Pra, pavarësisht problemeve, biznesi shqiptar performoi më mirë se vjet dhe të ardhurat tatimore si rezultat i një miradministrimi dhe pune më këmbëngulëse u realizuan më shumë se vjet.
Këto të ardhura, të mbledhura nga administrata tatimore, janë sa 48.4% e totalit të të ardhurave të buxhetit të shtetit për vitin 2011 dhe me një peshë prej 68.8% në të ardhurat buxhetore nga Tatimet dhe Doganat. Ju thatë që viti 2011 ishte një vit jo i mirë ekonomik. Në përshtatje të kësaj sfide, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është përpjekur që të “kushtojë” sa më pak për taksapaguesit. Po ju them një shifër. Në analizën e krahasimit të shpenzimeve që kryhen për të ardhurat tatimore të mbledhura për 2011 rezulton një kosto administrimi 1 për qind.
Do të thotë që kostoja e mbledhjes së taksave është sa 1 për qind e taksave që mblidhen?
Po. Është sa 1 për qind, ose, thënë më thjesht, administrata tatimore ka shpenzuar vetëm 1 lek për çdo 100 lekë taksa të mbledhura.
Të ndalemi te të ardhurat. Ju thoni se keni mbledhur më shumë para se në vitin 2010, ndërkohë që ekonomia duket se ka performuar më ngadalë…
Më duhet të ndalem në detaje për ta bërë të qartë punën e administratës dhe ecurinë e ekonomisë. Rritja e peshës së të ardhurave tatimore ka ecur krahas rritjes së peshës së sektorëve të ekonomisë, që ndikuan në rritjen ekonomike në vitin 2011. Konkretisht, sektori i prodhimit shënon një rritje prej rreth 23% të të ardhurave, tregtia 2.6% dhe shërbimet 2.2%. Biznesi u zhvillua më shumë se sa në vitin 2010, xhiroja (qarkullimi) total ishte 23.2% më shumë se në vitin 2010 dhe administrata tatimore ka mbledhur 2.1 miliardë lekë më shumë se vjet tatim fitimi (11.88% më shumë). Po ashtu edhe tatimi mbi të ardhurat personale ka një rritje me 847 milionë lekë (3.13 për qind më shumë), i cili është tregues thelbësor i miradministrimit të të ardhurave nga individët. Rritje të ndjeshme ka edhe akciza, me 1.8 miliardë lekë, apo taksat nacionale me 1.7 miliardë lekë më shumë. Këto para janë arkëtuar në buxhetin e shtetit dhe të paktën dy tatimet e para, ai mbi fitimin dhe ai mbi të ardhurat, nuk kanë pësuar ndryshime. Pra kemi zhvillim ekonomik dhe qartësisht rritje të punës dhe efikasitetit të administratës tatimore.
Nuk përmendët në shifrat tuaja TVSH-në. Ka probleme me mbledhjen e tatimit kryesor?
Nuk ka probleme, përkundrazi, janë bërë investime dhe kemi mbledhur më shumë se targeti i vendosur, në masën 9.34% më shumë. Kam këtu një shifër tjetër që vërteton se edhe TVSH-ja është mbledhur sipas parashikimeve. Problemi më i madh i biznesit gjatë viteve ka qenë rimbursimi i TVSH-së. Në 2011-n u rimbursuan dhe kompensuan 6.7 miliardë lekë për TVSH-në e kërkuar për rimbursim me pagesë.
Pra jo në formë transferimi për mospagim të detyrimeve të tjera, por e paguar me para?
Po. E paguar në llogaritë e bizneseve. Kjo shumë përbën 20.3% të shumës së arkëtuar të TVSH-së për 2011-n dhe është 3% më shumë se në 2010-n. Dhe plani për vitin 2012 është sërish po kaq ambicioz. Ne synojmë që të ruajmë këtë ritëm edhe për vitin që sapo kemi filluar.
Ju thoni se të ardhurat janë realizuar më shumë se vjet. Por ka disa të dhëna të tjera, që janë pak problematike. Administrata tatimore mbledh edhe sigurimet shoqërore. Qeveria, nga viti në vit, po shton transfertat për të mbushur “gropën” e sigurimeve. Mos po çalojnë Tatimet në këtë pikë?
Administrata tatimore ka mbledhur rreth 51.5 miliardë lekë si të ardhura nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo shifër është rreth 515 milionë USD. Vërtet këto të ardhura janë sa 88.8% e të ardhurave buxhetore të planifikuara për kontributet, por janë 3.3 miliardë lekë, ose 7% më shumë se në vitin 2010. Pra, ka një performancë të mirë të administratës në këtë drejtim.
Po thoni që ka përplasje mes parashikimeve dhe realitetit? Ju mblidhni rreth 7% më shumë, ndërkohë që buxheti parashikon një shifër akoma më optimiste…
Nuk dua të ndalem në këtë pikë. Administrata tatimore ka për detyrë të mbledhë kontributet për të punësuarit. Unë mendoj se ne kemi performuar mirë në këtë drejtim. Ne kemi regjistruar 13 405 subjekte të reja. Krahasuar me vitin 2010, kanë deklaruar në skemën e kontributeve rreth 34 242 kontribuues më shumë, pra të punësuar, dhe sidomos ka pasur një rritje të ndjeshme në muajt e fundit të vitit, ku në dhjetor të vitit 2011 kishim rreth 40 372 të punësuar më shumë se në 2010-n.
Po bizneset vazhdojnë të paguajnë sigurime për pagën minimale?
Kjo është një orvatje e vazhduar e bizneseve. Por, për vitin 2011, duhet të nënvizoj se ka një rritje të ndjeshme edhe në deklarimin e pagave reale. Numri i punonjësve me pagë minimale është ulur me 4.84% krahasuar me vitin 2010. Kjo shifër paraqet tendencën pozitive të tatimpaguesve për të paraqitur sa më realisht pagat e punonjësve të tyre.
Këtë vit ka filluar deklarimi online edhe i numrit të punonjësve…
Ne kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me biznesin për të lehtësuar në maksimum kohën dhe koston e pagimit të taksave. Gjatë vitit të kaluar u arrit deklarimi elektronik i formularëve tatimorë të periudhave të kaluara, duke shkurtuar burokracitë administrative dhe duke reduktuar kohën e biznesit. Për vitin 2012 deklarimi i listë-pagesave filloi të funksionojë në rrugën e formularëve të tjerë elektronikë. Por jo vetëm kaq. Ne krijuam Qendrën e Shërbimit për Tatimpaguesit për DRT Tiranë dhe Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, e cila ofron shërbime të standardeve ndërkombëtare rreth 45% të tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë.
Këtë vit pritet të fillojë edhe deklarimi online i të ardhurave personale. Opozita thotë që administrate nuk ka kushtet për realizimin e një projekti të tillë…
Më duhet të pranoj që, krahas objektivave dhe reformave, sfidë e madhe për vitin 2012 mbetet administrimi i procesit të deklarimit të të ardhurave individuale. Kjo aplikohet për herë të parë në vendin tonë dhe sigurisht që është një sfidë. Përsa i përket aftësisë sonë për realizimin e këtij projekti, kam bindjen dhe faktet se administrata tatimore ka aftësitë e duhura për arritjen e këtij objektivi. Si administratë tatimore qendrore ne i ndihmojmë tatimpaguesit t’i përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet e tyre, duke u ofruar shërbime, siç janë deklarimi elektronik i tatimeve dhe kontributeve, qendrat e shërbimeve për tatimpaguesit, forumet për konsultime publike dhe shërbimet e paraqitjes së kërkesave në mënyrë elektronike online. Më duhet të ndalem sërish te shifrat. Në vitin 2011 u administruan 870 mijë deklarata dhe formularë tatimorë. Mesatarisht çdo muaj administrohen nga punonjësit e Tatimeve mbi 72 000 deklarata tatimore, që vijnë në mënyrë elektronike. Tashmë deklarimet elektronike zënë 97.8% të të gjitha deklarimeve të tatimpaguesve me një nivel deklarimi vullnetar prej 85%. Pra, qartësisht ne kemi treguar se dimë si të administrojnë deklaratat tatimore dhe besoj se i njëjti rezultat pozitiv do të arrihet edhe për deklarimin e të ardhurave personale. Unë mendoj se është një sfidë që administrata do ta kalojë me sukses, edhe pse nënvizoj që aplikohet për herë të parë në Shqipëri.
Megjithatë, deklarimi online mund të krijojë kushte edhe për evazion.
Edhe pse shumica e tatimpaguesve mund të ndihmohen dhe të nxiten për t’i përmbushur detyrimet do të ketë edhe nga ata, të cilët nuk dëshirojnë t’i përmbushin detyrimet dhe vendosin të përpiqen t’u shmangen tatimeve. Synimi i administratës është jo vetëm rikuperimi i të ardhurave fiskale të humbura, por edhe bindja e subjekteve të tjera, se nuk ia vlen rreziku që marrin përsipër duke bërë evazion. Kjo do të thotë që të tregojmë se duhet t’ua dëshmojmë që po i ndjekim me vendosmëri dhe se do t’i detyrojmë t’i përmbushin detyrimet e tyre. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk do të tolerohet evazioni i qëllimshëm i çfarëdolloj forme.
Megjithatë, evazion ka.
Synimi i administratës tatimore është minimizimi i evazionit. Kapja e mallrave dhe bizneseve që qarkullojnë pa dokumentacionin e nevojshëm tatimor. Sa më mirë ta bëjë administrata këtë detyrë, aq më pak evazion do të ketë. Kam këtu shifrat e vitit 2011. Janë referuar në Prokurori gjithsej 192 procedime penale, me një vlerë zbulimi prej 1.7 miliardë lekësh. Disa prej këtyre rasteve të proceduara kanë qenë skema karusel të evazionit fiskal me TVSH-në, të veprave penale, “fshehje të ardhurash”, “mospagim i detyrimeve tatimore”, “punësim i paligjshëm”, “organizim i paligjshëm i lojërave të fatit” etj. Siç është dhe rasti në Drejtorinë e Elbasanit. Aty u arrit zbulimi i një skeme karusel, me fshehje në vlerë rreth 3 milionë dollarë, e cila u finalizua me arrestimin e autorëve, si dhe disa çështje të tjera shumë të rëndësishme, të cilat po hetohen në bashkëpunim me Prokurorinë.
Megjithatëm në publik, kush punon në Tatime e Dogana, etiketohet si “pasanik”…
Mendoj që një perceptim i tillë ka ardhur në zbehje dhe po ndodh e kundërta. Bizneset, por edhe qytetarët, kanë rritur besueshmërinë te tatimorët. Ne kemi një linjë antikorrupsion. Denoncimet në këtë linjë tregojnë se besueshmëria e publikut te administrata jonë është rritur ndjeshëm pas çdo viti. Ne kemi regjistruar një rritje me 14 për qind të denoncimeve në linjën tonë antikorrupsion. Nga këto raste të hetuara, përveç masave administrative, tri çështje janë referuar në Prokurori. Dhe për një prej tyre është marre vendim gjyqësor për korrupsion pasiv, hetime këto të bëra nga ana e Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm (antikorrupsion) pranë DPT.

REDI GJUZI

© Panorama.al

Te lidhura