
Ministria e Shëndetësisë këshillon qytetarët të bëjnë kujdes me të nxehtin përvëlues që ka përfshirë vendin. Dje, me anë të një konference për shtyp, zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, dha një sërë këshillash për të evituar pasojat e vapës në shëndetin e qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë me përpikëri të gjitha rekomandimet e mjekëve dhe të personelit shëndetësor në lidhje me parandalimin e problemeve për shëndetin, që hasen kryesisht në këtë stinë. “Kërkojmë vëmendjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes në këtë periudhë duke shmangur daljet në orët e nxehta, daljet në diell për shumë kohë, të konsumojnë lëngje për të mënjanuar dehidratimin, si dhe të mos ngurrojnë të kërkojnë në çdo moment ndihmë nga mjeku dhe strukturat shëndetësore që janë në alert të veçantë”, tha Spahia. Ai informoi se rreziku në këto ditë me një stres termik të rritur është më i madh sidomos për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. “I gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, si në aspektin e këshillimeve, rekomandimeve dhe të parandalimit, gjithashtu në aspektin e trajtimit dhe kujdesit”, theksoi ministri i Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë, në fillim të sezonit të verës ka nxjerrë udhëzimet përkatëse si për personelin, strukturat e shëndetësisë, ashtu dhe për popullatën nëpërmjet medias së shkruar dhe elektronike.
Temperaturat
Masat ajrore nga veriu i Afrikës që janë vendosur në të gjithë rajonin e Mesdheut janë shkaku i temperaturave të larta të ditëve të fundit. Ato kanë arritur deri në 41 gradë celsius në qytete të ndryshme të vendit. Sipas specialistëve të shërbimit të meteorologjisë, temperaturat do të rriten sërish sot. Gjatë paradites, moti do të jetë i kthjellët dhe pa vranësira. Pasditja do të vazhdojë me të njëjtat kushte meteorologjike. Përjashtim do të bëjnë vetëm zonat malore që do të kenë vranësira të lehta.











