
Në një deklaratë për shtyp mesditën e sotme, Ekrem Spahia kërkoi largimin e ambasadorit holandez, Henk van den Dool. “Ambasadori holandez, Henk van den Dool, duhet të shpallet person i padëshiruar në vendin tonë dhe të largohet”, u shpreh Spahiu.
Kreu i PLL-së u shpreh se ambasadori fyen zyrtarët shqiptarë me qëndrimet e tij, duke dalë jashtë rolit dhe statusit të diplomatit.
“Ambasadori holandez nuk ka folur për çështje të rëndësishme, por vetëm për LGBT. Ai nuk duhet të dalë jashtë rolit dhe statusit të diplomatit dhe nuk duhet të fyejë deputetët e vendit ku shërben”, theksoi Spahia.
Spahia i kërkoi policisë shqiptare të mos lejojë zhvillimin e manifestimit, që komuniteti gei ka planifikuar të mbajë të enjten në Tiranë.
Pak ditë më parë, ambasadori Henk van den Dool gjatë një intervistë në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare në Ora News, kur u pyet lidhur me deklaratën e zotit Spahia, ai u shpreh; “Me siguri që ju e keni parë reagimin publik të BE-së, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë. Nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë, por më lejo të them që injorantë ka gjithandej.”
© Panorama.al











