Sot vendimi, ulet çmimi i energjisë për KESH-in

Jun 29, 2012 | 14:20
Zyrat Qendrore të CEZ

ERE pritet t’i japë një ndihmë të madhe sot kompanisë “CEZ”, duke i ulur çmimin e blerjes së energjisë. Në mbledhjen e sotme të orës 10:00, bordi i Entit të Energjisë pritet të ulë nga rreth 2.8 lekë/kilovati në 2.2 lekë/kilovati çmimin që KESH i shet energjinë CEZ-it.
Ky vendim do të sjellë humbje të mëdha për KESH-in dhe rritje të financave të CEZ-it. Rasti unik i ndryshimit të tarifave në mes të vitit duket se është ndikuar nga situata e borxheve që kanë kompanitë e energjisë mes tyre. KESH vetëm në fillim të vitit u detyrua të merrte “hua” nga qeveria rreth 20 milionë USD për të blerë energji. Nga ana tjetër, CEZ nuk paguante borxhet që i kishte KESH-it, për arsye se vetë qeveria nuk kishte shlyer borxhet e saj ndaj kompanisë. Një situatë e tillë borxhesh mes njëri-tjetrit duket se e detyroi CEZ-in të kërkojë ndihmën e Bankës Botërore për të lëvruar garancinë financiare. Në kushte të tilla, duket se do të jetë qeveria ajo që do të tërhiqet. Vendimi i sotëm do të thotë që KESH të marrë më pak para nga energjia që shet. Rrjedhimisht edhe buxheti i shtetit pritet të marrë më pak para. Ulja e tarifës së energjisë nga KESH te CEZ nuk prek direkt çmimin e energjisë së qytetarëve, por prek fitimin indirekt që mund të shkonte në favor të tyre. Sidoqoftë, përfitimi në këtë rast pritet të vijë nga pagesa e borxheve që CEZ i ka KESH-it, dhe rrjedhimisht edhe nga shlyerja e faturës 20 milionë dollarëshe në buxhetin e shtetit.
Presioni për uljen e çmimit që KESH, pra shteti i shet energjinë CEZ-it, u rrit pas vizitës së Kryeministrit çek në Tiranë. Në takimin me Berishën u kërkua pikërisht ky rishikim i tarifave, i cili pritet të ndodhë nesër. Në fakt, në fillim të vitit, ERE vendosi që tarifa e energjisë elektrike që KESH i shet CEZ-it u rrit nga 1.4 në 2.8 lekë për kilovat. Kjo për të mos prekur energjinë elektrike që u shitej konsumatorëve.

Çmimet
Çmimi që KESH i shet energjinë CEZ

• Është 2.83 lekë/kilovat
• Bëhet 2.2 lekë/kilovat

Çmimi që merr OST nga energjia
• Është 0.65 lekë/kilovat

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura