Sot, takimi Ruçi-Patozi në Kuvend

May 27, 2012 | 11:31

Patozi e Ruçi

Partia Socialiste i përgjigjet pozitivisht ftesës së Partisë Demokratike për negociatat presidenciale.

Saimir Tahiri dhe Edmond Spaho, pjesë e tryezës PS-PD.

Partia Socialiste iu përgjigj pozitivisht ftesës së Partisë Demokratike për të negociuar për Presidentin e ri. Dje pasdite, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, pranoi ftesën duke caktuar me Astrit Patozin edhe orën e takimit. Sot në orën 11:00, në Kryesinë e Kuvendit, Ruçi e Patozi, të cilët do të shoqërohen dhe nga nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist Saimir Tahiri dhe anëtari i Kryesisë së PD-së Edmond Spaho, do të zhvillojnë takimin e parë mes dy partive kryesore për negociatat për Presidentin e ri të Republikës. Ishte vetë Ruçi që konfirmoi takimin e vendosur për sot me Patozin. Pritet që ky takim t’i paraprijë një takimi të mëvonshëm mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Kreu i maxhorancës ka autorizuar dy negociatorët e Partisë Demokratike, Astrit Patozin dhe Edmond Spahon, për të takuar dyshen e selisë rozë.  Gjatë paradites së djeshme PS ishte e paqartë se si do të vepronte me ftesën e bërë nga PD për takimin. I kontaktuar në telefon dje paradite, kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se Partia Socialiste ende nuk kishte një qëndrim dhe sapo të merret një vendim nga forumet, ai do të bëhet me dije për opinionin publik. “Qëndrimin tonë do ta shprehim kur të bëhet takimi”, theksoi Ruçi i pyetur nga “Panorama”. Kreu socialist ka qenë në Athinë dy ditët e fundit dhe mësohet se ai është kthyer mbrëmë vonë nga kryeqyteti grek.
Ftesa
Kreu i selisë rozë u dërgoi në datën 30 prill një letër të gjithë krerëve të partive parlamentare, nga të cilët kërkoi zhvillimin e takimeve për të caktuar modalitetet në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Rama është takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Ndërkohë, ftesës së kryesocialistit nuk iu përgjigj Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Republikane dhe kryetari i komisionit nismëtar të Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa. Refuzimi i Kryeministrit Berisha për të takuar kryetarin e PS-së ka ngjallur dje reagimin e këtij të fundit, i cili e shprehu qëndrimin me mesazhe në Twitter. “E kam ftuar Kryeministrin zyrtarisht javë më parë, ka refuzuar të përgjigjet zyrtarisht, siç i takon. PS, gati të dialogojë e negociojë kur KM të jetë gati”. Më tej Rama shton se “Kryeministri mund të takojë të tjerët për teatrin e tij, jo Partinë Socialiste. Nëse do negociata me ne, duhet të biem dakord paraprakisht për modalitetet”, shkruan Rama. Mesazhi i tij përfundon me shprehjen: “Që KM të bëjë teatër me takimet për Presidentin e ri është zgjedhja e tij, por të flasë për besimin tim te njerëzit e mi, është turpi i tij”. Ndërkaq, raundi i parë i votimit do të jetë dita e mërkurë, më datë 30 maj, por deri më sot nuk është zyrtarizuar ende asnjë kandidaturë për postin e Presidentit.

Patozi, letër Ruçit
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, përmes një letre dërguar homologut të tij socialist, Ruçi, kërkon takim për të negociuar për Presidentin e ri të vendit. Në letrën e tij, Patozi shkruan më tej se ai dhe zoti Edmond Spaho, në rolet e negociatorëve të Partisë Demokratike, janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e opozitës që nesër, ndërsa pret përgjigje nga PS, kurdo që këta të fundit ta shohin të arsyeshme.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura