Kuvendi do të mblidhet sot në seancën parlamentare të parë të këtij sesioni vjeshte. Seanca është parashikuar të nisë në orën 11:00 dhe pritet të zgjasë më pak se zakonisht. Në fillim të seancës do të ketë një fjalë përshëndetëse të kryetares së Parlamentit dhe më pas mund t’u drejtohen deputetëve edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe ai i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Sa u takon vendimeve që do të miratohen, ato janë dy aktet e fundit të Konferencës së Kryetarëve për kalendarin trejavor dhe programin e punës për tre muajt e ardhshëm. Në rendin e ditës është përfshirë edhe miratimi i aktit normativ për eliminimin e zhurmave në zonat bregdetare. Ky akt u miratua të premten e kaluar me konsensus në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, për t’i hapur rrugë miratimit të tij. Dita e sotme pritet të nisë me një mbledhje pikërisht të këtij Komisioni, i cili do të shqyrtojë projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet RSH dhe BEI për projektin e ndërtimit të bypass-it të Fierit”. Ndërkohë në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve u vendos që ditën e enjte të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve për të diskutuar propozimet e paraqitura nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste lidhur me disa ndryshime në Kushtetutë për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorit të Përgjithshëm me shumicë të cilësuar.











