Japin sot provimin e parë të lirimit 51 400 nxënës. Me të njëjtat rregulla si të Maturës Shtetërore, ata do t’i nënshtrohen testit të Gjuhë-Letërsisë. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, janë marrë të gjitha masat për realizimin e procesit në mënyrën më të mirë të mundshme. Njëlloj si provimi i Maturës, fletët e provimit vijnë me zarf të mbyllur nga kryeadministratori. Ditën e provimit, në mëngjes, hapen në orarin e caktuar( në orën 10:00). Pasi është hedhur shorti për administratorët e klasave, ndahet grupimi i nxënësve. Çdo klasë ka 15 nxënës. Sipas MASH, nëse nxënësit do të mungojnë në provime, duhet që arsyeja e tyre të jetë e argumentuar, ndërkohë që për ta do të ketë një shans të dytë. “Duhet ta kenë të dokumentuar në qoftë se janë të sëmurë. Kanë të drejtë ta japin në fund të gushtit”, thonë specialistët. Nxënësit do të vlerësohen me pikë të cilat konvertohen në notë, ndërkohë që në datën 23 qershor ata do të zhvillojnë provimin e Matematikës. Sa i përket ambienteve ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise për provimin të shërbejnë vetëm shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota.











