
Publicisti i shkroi në celular bashkëshortes: “S’mund të vazhdoj më. Eja pa vajzën. është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë”
“Kaluam shumë bukur. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh, eja pa vajzën. Është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë…”.
Këto kanë qenë fjalët e fundit që publicisti i njohur, Ardian Klosi, i ka shkruar bashkëshortes së tij, Jutta Benzenberg, nëpërmjet në mesazhi në celular para vetëvarjes në banesë. Pas këtij mesazhi, sipas Policisë, të shkruar në gjuhën gjermane, 55-vjeçari nuk u është përgjigjur më thirrjeve pa fund që vinin në celularin e tij nga e shoqja, motra, më pas edhe vajza e tij e vogël, Katerina. Teksti i mesazhit, mungesa e përgjigjes nga ana e tij në celular, por edhe dy tentativat e mëparshme për vetëvrasje, kanë vënë në alarm familjarët e tij, duke i bindur që diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur. Ardian Klosi duket se e kishte menduar mirë gjithçka, madje në mesazhin që i ka nisur së shoqes rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të enjtes, mes të tjerash i ka kërkuar që të mos e merrte vajzën me vete kur të kthehej në shtëpi. Në këtë mënyrë ai e ka paralajmëruar që pamja me të cilën do të përballeshin pas kthimit në shtëpi nuk do të ishte e përshtatshme për të bijën dhe duhej shmangur. Mesazhi i nisur në gjuhën gjermane është zbardhur dhe përkthyer dje nga grupi hetimor, në cilësinë e provës materiale, nga celulari i bashkëshortes së Ardian Klosit. Ndërsa edhe pas njoftimit të familjarëve, policisë i janë dashur rreth tri orë për të gjetur trupin e pajetë të 54-vjeçarit, i cili kishte zgjedhur një vend të fshehtë për të kryer vetëvrasjen, pas derës së një depoje të vogël brenda shtëpisë së tij, te Liqeni i Thatë në Tiranë.
HOMAZHET
Publicisti Ardian Klosi ndërroi jetë të enjten në shtëpinë e tij. Për tre muaj ai do të festonte 55-vjetorin dhe familja kishte menduar që t’i organizonin një festë, më 9 korrik. Por zgjedhja e tij nuk ishte kjo. Në hyrje të rrugës “Prokop Myzeqari”, aty ku kryqëzohet me rrugën “Fortuzi”, është bërë shpallja që njofton miqtë e familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të të dashurit të tyre. Familja ka zgjedhur shtëpinë e prindërve të Klosit, në katin e katërt të një pallati të vjetër, për të kryer homazhet në nderim të tij dhe pritjen për ngushëllime. Ardian Klosi do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Sharrës, sot në orën 14:00. Ndërsa ngushëllimet në familjen Klosi kanë nisur që prej mëngjesit të djeshëm, sapo miqtë e të afërmit e tij kanë mësuar lajmin e hidhur. Dy motrat e Klosit, djali i xhaxhait dhe bashkëshortja, presin ngushëllime në shtëpinë e prindërve të tij, aty ku u organizua edhe ceremonia mortore për të ëmën, që ndërroi jetë në nëntor të vitit të kaluar. Ndërsa arkëmorti që do të mbajë trupin e pajetë të publicistit 54-vjeçar pritet që të transportohet mëngjesin e sotëm nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në banesën e prindërve të tij, nga ku do të nisë ceremonia e varrimit. Gjatë gjithë ditës së djeshme, mjekët ligjorë kanë ekzaminuar trupin e pajetë të Klosit për të përfunduar raportin e autopsisë.
Mesazhi i Klosit
Mesazhi i përkthyer nga gjuha gjermane në polici:
“Kaluam shumë bukur. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh, eja pa vajzën. Është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë…”.
Policia, procedim penal
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se ka filluar procedimi penal menjëherë pas konstatimit të vetëvarjes së Ardian Klosit. “Filloi procedim penali, pasi rreth orës 21:00, në Sauk, në afërsi të Liqenit Artificial, në banesën e tij, në një ambient të përshtatur si depo, është gjetur i vetëvarur shtetasi Ardian Bilbil Klosi, i vitlindjes 1957, banues në adresën e mësipërme, me arsim të lartë, i padënuar. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ky shtetas kishte disa kohë që vuante nga gjendja depresive, si dhe kishte tentuar disa herë të vetëvritej. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme”, thuhet zyrtarisht nga Policia.
Homazhi, Edi Rama mbledh kujtimet e miqve të Klosit
Flasin njerëzit e kulturës dhe të medias.

In memoriam nga Misha, Kumbaro, Plasari, Zogaj, Ngjela, Bushati, Fevziu dhe Balla
Është Edi Rama që i mblodhi të gjithë miqtë e Ardian Klosit në këtë homazh për të. Nga miqtë e tij të letrave, Piro Misha, Preç Zogaj, Arben Kumbaro, Aurel Plasari, Mirela Kumbaro, te kolegët gazetarë Andi Bushati, Mero Baze, Blendi Fevziu, Alfred Peza etj., vlerësojnë figurën e intelektualit antikonformist dhe njeriut të shquar të letrave e kulturës shqiptare. Të gjithë në një ide: Ardian Klosi zgjodhi vetë të ikte pasi kishte lënë gjurmë në jetën e tij dhe se njerëz të kalibrit të tij e zgjedhin vetë edhe kur vdesin.
“Nuk u bashkua në asnjë çast me tiranitë”
SPARTAK NGJELA: Vdekjen e Ardian Klosit gjithkush që i ka njohur dhe që i njeh zhvillimet e kulturës shqiptare, do ta konsideronte një humbje të madhe për letërsinë, gjuhën dhe publicistikën shqiptare, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Koha sjell gjithmonë një rast në histori kur individë të veçantë janë të përkushtuar kundrejt shoqërisë së tyre për të sjellë diçka të veçantë, për të dhënë diçka nga vetja dhe për të krijuar një frymë të re në zhvillimin e vizionit të ri të saj. Një nga këta ishte, pa dyshim, Ardian Klosi.
Njohës i thellë i gjuhës shqipe, përkthyes dhe publicist brilant, ai shkëlqeu njëherësh edhe si gjuhëtar. Kishte një ngulmim permanent për të krijuar një idiomë të re në zhvillimin e letërsisë, stilit dhe thellësisë ideore nëpërmjet fjalës shqipe, dhe unë mendoj se ia arriti. Përktheu në shqip kryevepra të letërsisë botërore dhe krijoi nivelin e tij në këtë aspekt; përpunoi më tej fjalën shqipe në thellësinë e saj kur u dha shqiptarëve një fjalor dy gjuhësh: gjermanisht–shqip; shkroi mijëra faqe artikuj dhe u përkushtua seriozisht për kulturën shqiptare dhe, njëherësh, e mendoi zhvillimin kombëtar si një refleks individual të një individi autonom; kërkoi të fliste me shoqërinë e tij me një gjuhë të niveli të lartë dhe i kumtoi asaj dinjitet në trajtimin e fenomeneve shoqërore apo politike. Nuk u bashkua në asnjë çast me tiranitë apo diktaturat që rrëshqitnin e rrëshqasin rëndom në këtë vend, dhe kërkoi gjithmonë një substrakt shqiptar, europian dhe perëndimor në thellat e historisë së Shqipërisë. Koha do t’i japë gjithmonë Ardian Klosit vendin e tij si humanist; si një njeri të ditur që nuk u shkëput asnjëherë nga respekti për shoqërinë e vet; si letrar dhe gjuhëtar, por, më së shumti, do ta vlerësojë që asnjëherë nuk pranoi, që, për interesa të ngushta, të bënte lëshime në dy kolanat kryesore që kishin sjellë konstitucionin e tij intelektual e shpirtëror: në humanizmin si substancë të lirisë dhe në drejtësinë shoqërore si substancë të moralitetit të tij.
“Ishte në anën e dukur të historisë”
MERO BAZE: Lasgush Poradeci mbahet mend për një dialog shterues për fajin e shoqërisë ndaj intelektualëve. Në pikun e përndjekjes së intelektualëve, ai iu drejtua një prej atyre që nuk ishte as vrasës dhe as viktimë, duke e shkundur nga supet. ”Po i vrasim intelektualët”, tha. “Ja, dje e vramë dhe një, unë dhe ti”. Bashkëbiseduesi e qetësoi duke i thënë se ata të dy nuk kishin faj, por poeti që drithërimat e shpirtit nuk i merrte nga pushteti, por nga limfa e shoqërisë, këmbënguli duke thënë se ata të dy ishin vrasësit, pasi ata po i linin të vriteshin. Ky pasazh që shndrin në biografinë e poetit ëndërrimtar që u shua i izoluar dhe pa shpresë, më shoqëroi në mëngjesin e parë pa Danin. Ardian Klosi nuk ishte një ëndërrimtar që dëshpërohej lehtë dhe as një intelektual që përkulej kollaj. Ai pati fuqinë të ishte në shumë momente të historisë në anën e duhur. Mes studentëve të Dhjetorit në vitin 1990, përballë dhunës dhe deformimeve të demokracisë deri në vitin 1997, i papajtueshëm me meskinitetet e politikës klinteliste nën pushtetin e socialistëve dhe së fundi i lirë në universin e tij prej botuesi, përkthyesi dhe intelektuali të angazhuar. Për shoqëri si kjo e jona, intelektualë të tillë prodhojnë një sistem vlerash unike që nuk u ngjajnë as vlerave që prodhon politika dhe institucionet dhe as pseudovlerave që krijojnë elitat e pushteteve. Mendje të tilla të hapura si Ardiani vlejnë për të thyer dilema të mëdha të shoqërisë, për të zgjedhur mes parimores dhe personales, mes klientelizmit dhe konkurrencës, mes qytetarisë dhe primitivizmit, mes fines dhe vulgaritetit dhe mes kulturës e injorancës. Fuqia e një shoqërie për të bashkëjetuar me vlera të tilla është fat për shoqërinë, ashtu sikundër pafuqia për t’ua bërë jetën të lehtë intelektualëve të tillë është një dështim i të gjithë të gjallëve. Ardian Klosi iku jo për të na bërë doemos fajtorë, por së paku për të thënë se po ikën pa na pasur ndonjë borxh. Edhe pse jeta e tij ishte e mbushur me vepra të rëndësishme dhe beteja plot kuptim, vendimin më të rëndë të jetës së vet dhe më të pakuptimtin në dukje ai e mori duke ia përcaktuar vetë fundin jetës. Si për të na e hequr mundësinë ta gjykojmë atë dhe për të na bërë t’i bëjmë një gjyq vetes sonë.
“Klosi ka vdekur për ta parandaluar vdekjen”
BATON HAXHIU: Ndonjëherë duhet të vdesësh për ta parandaluar vdekjen. Kjo i shkon për bukuri emrit, veprës dhe jetës së Ardian Klosit. Pasi bën gjithçka njeriu në jetë, nëse guxoj ta them, dhe mbetet i pafuqishëm në mençurinë e tij, atëherë nuk mund t’i durojë të dyja rolet: edhe të intelektualit që dëshiron ta ndryshojë vendin dhe jetën e të tjerëve, edhe të atij që duron shkatërrimin në të njëjtën kohë. Nuk mund të durosh njerëzit që jetojnë në të njëjtën kohë edhe me shkatërrimin, edhe me heshtjen pse diçka po shkatërrohet. Personalisht, kur jam shpallur pa dashje i vdekur, do të dëshiroja të mos i njihja dhe takoja shumë nga njerëzit dhe situatat, pasi jam dalë i gjallë në botën ku tash jetoj. Aty, prej andej, e sheh botën e vërtetë hipokrite. Që kur të vdesësh të duan të vdekur, dhe sapo shpallesh i gjallë, të urrejnë për vdekje. Dikush mund të pyesë se çfarë kuptimi ka një shkrim dhe disa fjalë për një të vdekur. Ai nuk i dëgjon fjalët që i thuhen.
Çfarë kuptimi ka të shkruhet nga të gjallët për një të vdekur? – në këtë rast për Klosin. Arsyeja për të shkruar për Ardian Klosin nuk është vdekja e tij. As guximi i tij për të “dënuar” veten e tij me ikje në boten e përtejme.
Është momenti për të shkruar për një të vdekur që t’i kujtojmë të gjallët që jetojnë si ai dhe shkruajnë e mendojnë si ai. Që kanë vizionin e tij për një botë që ai e përfytyronte në shkrimet e tij. E kam kuptuar se vetëm kur vdes njeriu – dhe i lë shkronjat, i lë mendimet – ato fillojnë të bëhen të fuqishme. Kur jeton si i gjallë me shkrimet e tij të forta dhe kritikuese, nuk i bëhet askujt vonë që të vërtetat e tij të poshtërohen dhe mospërfillen, duke përfshirë edhe personin vet. Thjesht nuk të duan nëse nuk je brenda llojit. Kush ka jetuar me mënyrën e Klosit, ka pranuar përgjegjësinë për të krijuar dhe mbajtur një strehë të një pjese të botës shqiptare ku mund të lulëzojë arsyeja krijuese. Kjo do të thotë të shpëtosh farën e një bime nga rrebeshet e stuhishme, nga balta e përmbytjeve dhe për ta vënë anash në një fidanishte ku jetës i jepet kuptim. Dhe kjo i drejtohet jo vetëm atij që ka vdekur, por edhe të gjallëve që i drejtohen së ardhmes. Ne duhet t’i mbjellim të gjitha ato që ka shkruar Klosi, t’i interpretojmë, t’i shumëzojmë, t’i rrisim dhe t’i fusim në mesin e origjinës kulturore ku ai ka lulëzuar dhe ka vdekur duke i lënë ato në botën e një gërmadhe kulturore. Tashmë kur ai ka vdekur, kjo farë e krijuar nga ai duhet të rimbillet dhe të kryejë një cikël të ri lulëzimi dhe krijimtarie në mesin e të gjallëve. Ne duhet të synojmë që veprat e Klosit të sigurohen edhe për vazhdimësinë e llojit, sepse nuk mund të flasim për shpirtin e tij dhe kuptimin e veprës që ai ka lënë pa e rinovuar dhe kujtesën dhe kulturën e tij të krijuar prej një çerek shekulli. Por duhet ta kemi të qarte të gjithë ne që jetojmë në kohën e Klosit, se ajo që ka qenë e patolerueshme për Klosin është edhe për ne, por jo për të gjithë, e sidomos jo për “ata”. Prandaj Klosi ka vdekur për ta parandaluar vdekjen, sepse ndonjëherë është më mirë të vdesësh për të jetuar gjatë…. I qoftë i lehtë dheu e respekt për dijen dhe shkronjat e tij!
“Ardian Klosi zgjodhi të ikë për të jetuar te vdekja”
MIRELA KUMBARO: Dani u shpreh më në fund plotësisht, me gjithë copërat e mendjes që shoqëria ia mori, me tërë thelat e shpirtit që të gjithë bashkë ia shkulëm e që ai s’arriti t’i mbledhë dot për të jetuar më gjatë, si të gjithë ne, brenda përçartjes së përgjithshme të këtij vendi. Por, sa herë na paralajmëroi! “Pas gati 25 vjetësh, më 2007-n, vëreja se te Klouni i Hajnrih Bëlit ende nuk më kishte lëshuar, në mënyrë të veçantë fakti se “artisti antikonformist është i shpërfillur nga shoqëria e stabilizuar”, tha Klosi kur na ftoi ta shihnim “Me syrin e një klouni”. Aty, funeralin e vet përshkruan duke na lënë mbi supe peshën e rëndë të kryqit: “Po t’i jap fund fare? Të ndahem nga të gjitha me vullnetin tim të plotë? Unë s’jam anëtar i asnjë kishe, s’ka kush të më dënojë për gjestin tim, asnjë ferr nuk do ta presë shpirtin tim të stërmunduar. Nuk e kam fare të vështirë të mendoj për vdekjen, se artisti vdekjen e ka gjithmonë me vete, si prifti i mbarë mesharin. Oh, si i përfytyroj të gjithë të mblidhen te varri im! Mamaja do të qajë dhe do të thotë se ishte e vetmja që më kuptonte”. “Ishte i mirë, ishte i mirë Hansi im, e lakmonte pak paranë, por kishte zemër floriri. Sa shumë na donte, edhe pse nuk e thoshte, sa shumë e donte motrën e vet”. Babai do të pendohet keq që nuk më la disa kartëmonedha para se të ikte, do të porosisë për mua më të shtrenjtin varr, skulptori më i mirë i Landit do të gdhendë një skulpturë timen, të cilën do ta vendosin në oborr, aty ku ishte dikur skulptura e Apollonit, që u hodh në erë së bashkë me Georgun e vogël. Zomervildi do derdhë edhe ai një pikë lot e do thotë: “Sa i talentuar që ishte, çfarë artisti! Vërtet me bindje të forta antiklerikale, por një shpirt aq i ndjeshëm…”. Maria nuk do ta besojë që unë kam vdekur. Do ta braktisë Xypfnerin dhe do të endet hotel më hotel për të pyetur për mua, do fillojë të luajë natë për natë ‘Mos u nxeh’, vetëm, me dritën fikur, me një qiri të ndezur pranë”. Ardian Klosi zgjodhi të ikë për të jetuar te vdekja… Këtej e tutje do ta lexojmë e do flasim për të dhe do ndiejmë se si do të na therë ndërgjegjja e shoqërisë. Ndërsa Dani do të na shohë me syrin e një klouni.
“Klosi e thirri vdekjen e tij”
PREÇ ZOGAJ: Ardiani nuk u mor nga kjo botë si shumica e njerëzve, por iku; nuk e priti, por e thirri vdekjen e tij, madje e bëri vetë, me një kurajë mbinjerëzore apo me një lehtësi hyjnore – kush e di. Nuk ka kush të na e thotë si dhe qysh, nuk ka autopsi dhe as kuti të zezë që të zbulojë arsyen finale të ndarjes së këtij intelektuali me jetën, atë moment dramatik vetëmohimi në rrethimin e vrazhdë të pyetjeve pa asnjë përgjigje apo në rrethimin e bardhë të përgjigjeve pa asnjë pyetje. Ajo që dimë e mund të themi duke u nisur nga shembujt me të bujshëm të vetëvrasjeve është se kur vret veten artisti – çfarë ishte pa asnjë dyshim Ardian Klosi – helmi është i tepërt. Për një rastësi të çuditshme, më ka ndodhur të shkëmbehen shpesh ditët e fundit me të në rrugën e bukur buzë Liqenit të Tiranës, unë duke ecur më këmbë, Ardiani duke shkuar e duke ardhur me biçikletë. Përshëndeteshim përzemërsisht dhe as më shkonte mendja se ndërsa unë po ushtrohesha kundër mpirjeve, ai po kërkonte të rilidhte mes gjelbërimit të njomë dhe ajrit të kulluar të pranverës fillin e këputur të dëshirës dhe motivit për të jetuar. Nuk ia doli, me sa duket. Verdikti ishte dhënë dhe ai u kthye si një luftëtar për të shkruar fjalët e fundit në fund të rrugës së tij pa kthim prapa dhe pa vazhdim të ndershmërisë.
Përveçse një përkthyes dhe publicist i klasit të parë, ishte një vullnetar dhe luftëtar i Mjedisit me “M” të madhe – i tokës, i shpirtit, i detit, i mendjes, i ajrit, i kulturës, i politikës…. Qëndroi gjatë në këtë front, u përlesh gjatë me Ndotjen dhe kundër Ndotjes në betejën e jetës së çdo intelektuali. Por paskësh qenë më i brishtë, më i thyeshëm, më i tërheqshëm, ndoshta edhe më i preferuar se sa e dinim nga sirenat e përtej jetës.
“Përfaqësues brilant i gjeneratës së vet”
REMZI LANI: Nis të shkruash rreshta që asnjëherë nuk ke menduar se do t’i shkruash dhe sado që nuk dëshiron të përsëritësh të tjerët, nuk ke rrugë tjetër përveçse të biesh në përsëritje. Se Ardian Klosi është (nuk mund të them dot ishte) një përfaqësues brilant i gjeneratës së vet: publicist i klasit të parë, studiues skrupuloz, përkthyes i jashtëzakonshëm, polemist i spikatur, aktivist i palodhur, një mendje kritike që reflektonte atë që Hegeli do ta quante “qenie me shqetësim”. Jam i nderuar që kam pasur rastin të kem qenë botues i disa prej shkrimeve dhe përkthimeve të tij të kohëve të hershme. Nuk kam njohur njeri që mund të bartte me vete njëkohësisht delikatesën, brishtësinë dhe humbjen, sensin e jashtëzakonshëm të humorit, të atij llojit të zi të humorit që pas së qeshurës lë gërvishtje në ndërgjegje, dhe mbijetesën si mishërim i prekshëm i të qenit dobësisht shumë i fortë. Do ta kishte pasur shumë të lehtë Dani nëse do të zgjidhte ujërat e cekëta, rrymat konformiste, koret optimiste, por nuk mundej. Donte të ishte vetvetja. Dhe mbeti vetvetja deri në fund. Meqë nuk kam se si t’i shmang përsëritjet, po shkruaj se sot është rasti për të mos pyetur për kë bien kambanat. Ato bien për secilin nga ne, pasi vdekja e Danit na ka pakësuar të gjithëve.
“Ngjarja, kambanë alarmi për ne të gjithë”
PIRO MISHA: Është një nga ato ngjarje që të lënë pa gojë, që e ke tepër të vështirë t’i pranosh, që të lënë pas një zbrazëtirë dëshpëruese që vështirësisht mund të shlyhet. Pas kaq e kaq betejash që luftoi për të emancipuar shoqërinë shqiptare, për ta bërë atë më të kulturuar, më të lirë, më të pastër, Ardiani zgjodhi t’i jap fund jetës. Një zgjedhje vetjake, e dhimbshme, tepër e dhimbshme, para së gjithash për gjithë njerëzit e dashur që la pas, familjarët, miqtë, dashamirësit e vlerësuesit e tij të shumtë, por që pa dyshim duhet respektuar, si pjesë e asaj lirie që ai çmonte aq shumë. Por, nga ana tjetër, pa dyshim një kambanë alarmi për ne të gjithë, sepse përtej shkaqeve të atypëratyshme që mund ta kenë shtyrë Ardianin për të marrë një vendim të tillë përfundimtar, kjo ngjarje tragjike na kujton edhe njëherë se sa të vështirë e ka një njeri i lirë dhe idealist të mbijetojë në realitetin e ashpër e shpesh aq vulgar të Shqipërisë së sotme. I vetmi ngushëllim për ne të gjithë që e kemi dashur dhe respektuar Ardianin, është vepra që ai na ka lënë pas dhe kujtimi i pashlyeshëm i një personaliteti të jetës kulturore dhe qytetare shqiptare që dha aq shumë, duke marrë aq pak.
“Ndër të paktët që rrezatonte kulturë europiane”
DELINA FICO: E kam dashur gjithnjë Ardianin. Për buzëqeshjen pak mistrece që mund të shndërrohej me shumë dëshirë në një të qeshur me zë të lartë. Për faktin që përmes tij kam njohur poezitë e mrekullueshme të Martin Camajt. Për përkushtimin e tij të vërtetë për çështje shoqërore përparimtare, të cilat, në këtë Shqipërinë tonë të lodhur nga mungesa e ideve dhe të marrosur pas pushtetit e parasë, nuk kanë shumë dashamirës dhe, aq më pak, njerëz që të mos i lënë pas dore. Do të më mungojnë gjatë shkrimet e tij të sofistikuara, ftesat për t’iu bashkuar një proteste qytetare për të mbrojtur dinjitetin e njeriut apo mjedisin, madje edhe sensi i tij ironik. Për mua, Ardiani ka qenë në mënyrë të qartë e të vazhdueshme një ndër të paktët intelektualë publikë që përçonte në këtë mjedisin tonë shpesh mediokër e pa dritë, copëza të mendësisë e kulturës më të mirë përparimtare europiane. Ndonëse nuk kam qenë në rrethin e miqve të tij të ngushtë, ndihem me faj që nuk munda të kontribuoj sadopak që ai të mos ndihej i vetëm në betejat e brendshme dhe të jashtme që ia harxhuan deri në ekstrem dëshirën për të qenë më gjatë me ne. Uroj që dikur diku të prehesh i qetë mik!
“Ishte nga njerëzit më seriozë që kam njohur”
ARBEN KUMBARO: Dani dinte të qeshte si fëmijë, gjë që e bëjnë pak njerëz në moshën e tij. Mendoj kjo sepse ai ishte nga njerëzit më seriozë që unë kam njohur mes të paktëve që Shqipëria ka pasur si ai. Sa herë gjerbja kafen e radhës me Danin mes bisedave, që asnjëherë nuk mbaj mend të kenë qenë kotësi, sapo na rrëmbente një valë trishtimi për shumë gjëra që na rrethonin, ai gjente rast e bënte humor si për të më dhënë kurajë. Dani ka qenë ndër të rrallët intelektualë të këtij vendi, të cilit memoria kolektive e shqiptarëve i detyrohet për angazhimin dhe kurajën tij publicistike, “Par Excellence”, në shumë hapësira të jetës tonë. Si rrallëkush mes nesh në këto dekada epokale në jetën e shqiptarëve ai diti me shumë sqimë të ish vetvetja dhe të mos kursehej asnjëherë për gjithçka që na shqetësonte e na dhembte të gjithëve ne. Përpjekja “Sizifjane” e Danit, shkrimet e shumta, përkthimet e pazëvendësueshme, betejat qytetare, kujtimet dhe mbresat që ai la mes nesh do ta bëjnë atë të paharrueshëm dhe ne që patëm fatin ta njohim nga afër të ndihemi krenarë që e kishim mik.
“Ardiani e fitoi luftën pikërisht sepse i humbi të gjitha betejat”
ARTAN SHKRELI: Dan Klosi…, sa emër i dashur! Dani, çfarë privilegji ta kishe mik! Ku është ai tani? Pse iku? Pse nuk e besuam krejtësisht asnjëherë atë njeri? Pse menduam se pas asaj që thoshte kishte diçka tjetër? Pse njohim kaq pak intelektualë në Shqipërinë tonë? Jam menduar gjatë për këtë dhe nuk kam arritur kurrë të numëroj dhjetë syresh… As edhe një herë të vetme! Dhe tani e kuptoj pse, sepse prania e Klosit kish përcaktuar një cak të lartë, shumë të lartë. Kujtoj ndeshjet e tij, betejat e tij: betejën e humbur për europianizimin e Televizionit Publik; betejën e humbur për të drejtat e autorit dhe të botuesve; betejën e humbur për restaurimin e gjuhës së gjymtuar shqipe, nga gegnishtja te Reinholdi; betejën e humbur për ndalimin e importit të plehrave të botës ndër ne; betejën e humbur për kauzat e mëdha ambientaliste: gjirin e Vlorës, shkallën e Tujanit, kodrat e gjelbra të Tiranës…; betejën e humbur për mbrojtjen e monumenteve kombëtare të Shqipërisë: fshatrat e Jugut, shatërvanin dhe parqet e Namazgjasë, Piramidën dhe sheshin e Tiranës; betejën e humbur me gja-patriotët për zdritjen e historisë shqiptare, për Arbëninë Venedike, Skënderbeun e Ali Pashën; betejën e humbur për edukimin e fëmijëve me kulturën tonë autentike nga Camaj tek Ali Asllani; betejën e humbur për rrënjosjen e një kulture gjermane përmes eseve, përkthimeve e vënieve në skenë në Shqipërinë e shkatërruar moralisht; betejën e humbur shumë keq për emancipimin e shoqërisë; betejën e humbur për demokracinë… Ah, kjo e fundit, ose e para fare krejtësisht e humbur! Betejën e humbur për… çka tjetër ende (?), sa shumë humbje, sa shumë beteja! Dhe ne e shihnim si alien të mirë, por që ishte ca i çuditshëm, e nganjëherë “i jepnim dhe ndonjë dorë”. Po Ardiani fitoi luftën pikërisht sepse i humbi të gjitha betejat, luftën që e humbasin përherë më të shumtët po edhe thuajse të tërë ata që mes të shumtëve dallojnë: luftën kundër hipokrizisë dhe vulgaritetit, kundër mjerimit shpirtëror dhe mediokritetit, kundër rrënimit të ngadaltë po të pandalshëm të dinjitetit, atë luftë që ngjan se krejt shoqëria shqiptare po e bën pa kurrfarë rezultati. Kjo e bën Klosin një shqiptar të pazakonte, një fitimtar në luftën e të humburve që numërojnë fitoret e tyre të zakonta. Kjo e bën edhe ekzistencën e tij një privilegj asnjëherë vërtet të merituar për shumëkënd që e njohu në gjallëri të vet. “Klosi do të jetë kryqi ynë, të cilin do ta mbajmë në shpinë gjithë jetën, tha Ard Vehbiu me të marrë vesh lajmin, të gjithë duhet të kishim bërë më shumë për të”. Fshikulluese kjo frazë, por e vërtetë. Të gjithë e shtymë nga pak në humnerën e akullt ku ai ra pa kthim. Të gjithë nga pak. Kush thotë jo, le të ngrejë dorën… Lamtumirë, o shok!
“Iku se nuk kishte lidhje me këtë mjedis”
FILIP ÇAKULI: Nuk është se humbëm vetëm një mik të shtrenjtë dhe të paharruar. Jo! Dani na u largua se nuk mundte dot të rrinte më tutje me ne, një idealist i shumëkulturuar, që nuk u pajtua kurrë me këtë realitet vulgar ku të gjithë ne jetojmë; një vetmitar, që gjente prehje e qetësi duke i ndenjur larg rrethit të banalitetit ku ne gjallojmë; një luftëtar i pa kompromis ndaj së keqes që ne të tjerëve na ka mësuar të ambientohemi. Iku pikërisht se nuk kishte asnjë lidhje me këtë mjedis miku ynë i mirë e i urtë, që ndryshe nga ne nuk e përdori urtësinë për t’u përshtatur po për të mos u përshtatur kurrë me mjedisin e rëndomtë ku kurrë s’mundi të gjente pjesë. E ku në fakt kurrë s’deshi të luante pjesën për t’u bërë pjesë.
“Një nga mendjet më të çliruara shqiptare”
AUREL PLASARI: Një nga mendjet më të çliruara të kulturës shqiptare qysh në kohën kur e kam njohur: në këtë kufizë do ta përmblidhja personalitetin e Ardian Klosit qysh kur e kam pasur dhe më ka pasur mik: në vitet ’80, atëherë kur pak miq kisha siç isha i rrethuar nga vakuumi i “biografisë së keqe”. Vetëm ata që e kanë jetuar aktivisht atë dhjetëvjetësh kulturor mund ta kuptojnë ç’do të thoshte “mendje e çliruar” në ato vite. Të ishte gjallë Niko Nikolla do të tregonte problemet që i kemi pas hapur te “Hosteni” me shkrimet me dy pseudonime (kemi shkruar bashkë “me katër duar” para se më vonë të bëhej bashkautor me Edi Ramën) asokohe kur humori dhe madje ironia mbeteshin të vetmet armë për të refuzuar mjedisin kulturor në të cilin ishim të detyruar të vërtiteshim. Kulmin ajo mendje e çliruar, që ishte Dani, mendoj se n’ato vite e mbërriti me përkthimin shqip – për përdorim “mes miqsh” – të esesë së Havelit “Mbi të vërtetën”, që e kishte sjellë gjermanisht nga Austria: duhet të ketë qenë viti 1989 dhe më ka djegur duart kur e kam lexuar. Meqë m’u kujtua Austria, ku kreu studimet pasuniversitare, ja ku s’mund të mos kujtoj një tog të bukur letrash që më mbetet nga letërkëmbimi me të dhe për të cilin mund të them vetëm kaq: mendimi i tij për letërsinë dhe artet e realizmit socialist – përfshi edhe “majat” – ishte qysh atëherë aq emancipues sa edhe sot e gjithë ditën shoqëria shqiptare zor se do të ishte e gatshme të përballonte botimin e tyre. Sepse Kritika – me “K” të madhe, kritika në çdo fushë, përfshi edhe përkthimet nga letërsia botërore si funksion kritik ndaj mediokritetit në letërsinë shqipe – është dimensioni me të cilin Ardian Klosi e ka lënë tanimë të mbresuar personalitetin e vet në kulturën tonë.
“Iku në një botë ku ndoshta ndihet më i qetë”
ANDI BUSHATI: Ardian Klosi iku drejt një bote ku ndoshta ka më shumë miq sesa te kjo e jona. Dikush thotë se la një shenjë. Dikush tjetër, një ish-bashkudhëtar i viteve të zjarrta, se i kërkoi ndjesën e fundit për moskuptimet ku e ngërtheu kjo kohë. Dikush kujton ekspozitën e fundit që pa dhe dikush vargjet e fundit satanike që, në mendjen e shqipëruesit, i ndërthurte, së bashku me idenë për t’u hakmarrë qoftë edhe ndaj vetë Zotit. Klosi iku në një botë ku ndoshta ndihet më i qetë. Ku takon shkrimtarët e lexuar në rini. Autorët e librave që përpiu me aq ëndje. Autorët që përktheu. Por edhe këtej në botën tonë, në botën e të gjallëve, nuk la pak. Shumëkush e ka kujtuar sot për aktivitetin e tij publicistik. Por Ardian Klosi nuk ka qenë vetëm kaq. Bashkëmoshatarët e brezit tim e mbajnë mend për një nga ngjarjet që u quajt ndër aktet e para të kundërvënies me regjimin, organizimin e mbrëmjes së përvjetorit të Xhon Lenonit, një ditë të shënuar të dhjetorit ’90. Më të rinjtë e mbajnë mend për betejat e tij për të mos vrarë botën ku do jetojmë nesër. Kolegët e tij të letrave, për thyerjen e tabuve që vazhdonin si zgjatime të kohës së realizmit socialist. Ndërsa unë vetë, për librin e fundit që kam pasur në dorë, për disa poezi të Brehtit, që më bëjnë të mendoj, se ndonjëherë, dashuria edhe mund të vrasë.
“Iku atë ditë që e ndjeu se s’kish ç’t’i jepte botës”
BLENDI FEVZIU: Ardian Klosi iku nga kjo botë atë ditë që vendosi vetë! Nuk priti që Zoti ta thërriste në mbretërinë e tij, sipas radhës që ai vetë cakton. Iku atë ditë që e ndjeu se s’kish ç’t’i jepte kësaj bote, njerëzve të afërt dhe atyre që e deshën apo e përçmuan në gjallje. Nuk ishte një njeri i dobët. Thjesht ishte ndryshe nga shumë prej nesh. Një njeri që i përjetonte gjërat më me dramacitet, që e kish vështirë të përballej me tekat dhe mosmirënjohjen që jeta të rezervon shpesh. Ish një njeri që tentonte ta vendoste rendin e gjërave ashtu si ai besonte dhe kur kjo qe shpesh e pamundur, e përjetonte me tronditje dhe pse jo me fatalitet. Një fatalitet që e ndau nga kjo botë, e ndau nga letrat shqiptare, tek të cilat besonte dhe i adhuronte dhe të cilave, i përkiste dhe do t’i përkasë gjithnjë. Edhe përtej jetës së tij. Ardian Klosi ishte një prej atyre që ia kushtuan jetën gjuhës dhe letërsisë. Por që milituan edhe në shqetësimet e shoqërisë. Ai solli në shqip disa prej kolosëve të letërsisë botërore, ai ngjalli përmes një botimi të rrallë letërsinë disidente shqiptare të viteve të komunizmit dhe u përpoq deri në fund t’i jepte asaj një vend që ja kishin mohuar pa ndonjë shkak. Ai i kushtoi thuajse 3 dekada pasionit të tij të parë dhe të vetëm letrave, pasion që do t’i rezervojë atë vend të merituar në mbretërinë e tyre të pakohë!
Gazetari i njohur Sokol Balla
“Mos e merrni për dobësi vetikjen e tij”
Dani prej 1998-s ishte pak i mërzitur me mua. Në fakt, si drejtor i RTSH, ai nisi një punë me pasion, dhe në emër të këtij pasioni dhe vizioni që ndanim për Televizionin Publik, më pati propozuar drejtorin e unifikuar të informacionit. Por, pas një bisede një orë e 47 minuta në telefon, unë në Londër tek BBC e ai në Tiranën shpërthyese të pas 14 shtatorit, nuk ramë dakord. Ose më saktë, ai nuk ra kurrë dakord me zgjedhjen time të ftohtë. Aq sa më bëri emërimin dhe më “shkarkoi” pas 24 orësh, në distancë. Kështu ishte Dani. Kur ishte i bindur për diçka, nuk tërhiqej. Kështu ishte në mendimet dhe në veprimet e tij. Me sa duket të tillë e pati edhe vendimin e fundmë, të marrë e tentuar disa herë prej muajsh. Herën e fundit që e pata në Top Story, për Dhjetorin e studentëve, ishte sërish i mërzitur. Kësaj radhe thellë, për nënën e tij të shuar vetëm pak ditë më herët. Ajo mbeti me gjasë femra më e rëndësishme e jetës së tij të tallaztë e të pakompromis. Pas ikjes së saj u ndje realisht vetëm.
Më kujtohet se si pak muaj më parë hoqi dorë edhe nga panairi i librit që donte aq shumë ta realizonte. U ndje i braktisur dhe në braktisjen e tij, i fyer. Ishin shenjat e vendimit të tij të fundmë. Mos e merrni për dobësi vetikjen e tij. Ky ishte Dani dhe koka e tij e fortë, që ia panë hairin vlonjatët për Gjirin e Vlorës, tiranasit për Piramidën dhe shqiptarët për Aleancën Kundër Plehrave. Te gjithë këta duhet të vajtojnë mungesën e kokëkrisurit me zërin e butë. Sot në Shqipëri ka një burrë më pak
Kryeministri Berisha: Humbje për shoqërinë civile
Kryeministri Sali Berisha, përmes një mesazhi, i shprehu dje ngushëllimet familjes së publicistit të njohur, Ardian Klosi. “Ndarja nga jeta e Ardianit është një humbje e pakompensueshme për familjarët, por dhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar të tyre”, thuhet në mesazhin e Berishës. “Në këto ditë zie për ju, unë i lutem Zotit që shpirti i bashkëshortit, babait dhe njeriut tuaj më të afërt, të gjejë paqen e merituar”, thekson më tej mesazhi i Kryeministrit Sali Berisha drejtuar familjes së publicistit dhe intelektualit të njohur Ardian Klosi, i cili gjeti vdekjen të premten në darkë.
Presidenti Topi: Vdekja e Klosit, humbje për shoqërinë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me anë të një mesazhi të bërë publik, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të përkthyesit, kritikut letrar, publicistit dhe aktivistit të shquar, Ardian Klosi. “Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju – familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, thekson Topi në mesazhin e tij.
Flloko: Takimi i fundit me Klosin para ngjarjes
Aktori rrëfen se ka qenë njeriu i fundit që i ka dhënë dorën
“Ishim në kopshtin e shtëpisë së tij, më tha se do më merrte në telefon”
TIMO FLLOKO: Jam i fundit mes të gjallëve që preku dora e tij për të fundit herë, pasi u ndamë mbrëmë te kangjellat e kopshtit të tij, duke i vënë kyçin si të mbyllej në ferr(!) I thashë “më merr të pimë kafe kur të duash”. “Do të të marr”, më tha. I tregova dy bisqet e jargavanëve që i kishte këputur nga kopshti i tij, duke i thënë “lulet e Margaritës për Faustin” në vazhdim të bisedës që kishim bërë rreth Faustit të Gëtes; ai buzëqeshi si të thoshte janë jargavanët e fundit…! Tronditjen pastaj kur më telefonoi e motra, nuk besoj ta ketë përjetuar tjetërkush nga miqtë e tij sa unë, isha miku i fundit, më pranë kohës së tragjedisë, më i afërti dhe më fatkeqi. O Zot, as tani nuk e besoj, kujtoj se jetoj një ëndërr që s’ka fund, pa zgjim. Kam qenë mik me të, na lidhnin idetë në rrafshin intelektual dhe krijues, letërsia, arti. Kishim inskenuar me sukses Hajnen, Kafkën, Brehtin dhe kishim të tjera plane për të ardhmen. Por obelisku u këput, ra nën peshën e pamatë të vetes, si çdo njeri i madh, gjigant që nuk mund të gjykohet. Ai zgjodhi në kulmin e vitalitetit të mendjes dhe të shpirtit, të penës dhe të artit elitist të tij, aktin e ikjes, të shpërfilljes së kësaj bote, e cila edhe pse i mbante dashuritë e tij që e rrethonin si një hyj, prapë iu dedikua misionit, shtegtimit misterioz e mistik drejt së përtejmes! Mik i mirë, si e bëre kështu, pa na lënë një kumt për gjërat që s’na i the të gjitha; si na le e si të lamë?! Ardian, mik i shtrenjtë faustian, simbiozë e mendjes së filozofit, mendimtarit, politologut, gjuhëtarit, përkthyesit fenomenal, ëndërrimtarit, delikatit, vetmitarit…! Na shkule zemrën, mik, në paqe le të prehet trupi yt; shpirti është mes nesh. Më le gjënë më të shtrenjtë se çdo gjë, prekjen e fundit, Të përulem.











