20 vjet PS, Rama: Kemi arsye për të qenë krenarë

Jun 12, 2011 | 20:00

TIRANE-  “Partia Socialiste në 20 vjetorin e themelimit të saj ka arsye për të qenë krenare.” Kështu u shpreh kreu i saj, Edi Rama në festën e organizuar sot me rastin e themelimit te PS-së.

“ Partia Socialiste është pozicionuar në anën e duhur të historisë dhe ka mbrojtur gjithmonë interesat kombëtare të shqiptarëve. Falenderojmë të gjithë ata që kanë ndihmuar Shqipërinë në këto 20 vjet”, tha kryesocialisti.

Ishin me qindra të ftuarit që morën pjesë në ceremoninë festive në “Sheraton”, nga simpatizantët tek drejtuesit e lartë të kësaj partie, intelektualë të ndryshëm, kontriubues, si dhe trupi diplomatik i vendosur në Tiranë.

Fjala e kreut socialist Edi Rama në 20 vjetorin e themelimit të PS:

Ky përvjetor i familjes sonë të madhe politike përkon me një orë të vështirë për Shqipërinë. Është ora e një sfide të madhe mes dy vizionesh të ndryshme për vendin, njerëzit, politikën. Ora e një udhëkryqi posaçërisht të vështirë, që ndahet në dy rrugë ku do të kalojë sot e ardhmja e vendit. Ora e një zgjedhjeje të qartë mes Shqipërisë që kemi, drejt së tatëpjetës ku përditë humbasin vlera e mundësi dhe Shqipërisë që duam, drejt majës ku duhet të ngjitemi dhe Shqipërisë që duam, drej majës ku duhet të ngjitemi për të prekur qiellin e Europës së Bashkuar.
Të tilla orë, kur nuk mateshin thjesht palët po e shkuara me të ardhmen, vendi ynë pa pasur vijimësisht gjatë kalimit ende të pakryer dhe plot kthesa dramatike nga diktatura në demokraci. E në këtë përvjetor të njëzetin të sajin, Partia Socialiste ka të gjitha arsyet të ndjehet krenare për faktin se, kështu si sot, është pozicionuar vijimësisht në anën e duhur të historisë.

Ndihem i privilegjuar të falënderoj me mirënjohje e respekt të thellë për gjithçka njeriun që pikërisht në orën e lindjes së kësaj partie njëzet vjet më parë mbajti një fjalim shembullor mbi kurajën për të qenë në anën e duhur të historisë, mikun tonë të shtrenjtë, Dritëro Agollin!

Kjo është një ditëlindje, dita kur zakoni e do të thuhen vetëm fjalë të mira. Por besoj se në  çdo ditë ka disa fjalë të mira që s’mund të mos thuhen për Partinë Socialiste. E unë sot dua të rendis tre pre tyre:

Ne jemi një parti që bëjmë gjithnjë gjënë e duhur për interesin kombëtar.
Ne jemi një parti që i respektojmë të gjithë shqiptarët si qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre.
Ne jemi një parti që jeton duke u munduar të ndryshojë për mirë, që të ndryshojë për mirë Shqipërinë.

Mirënjohje e respekt për të gjithë ata burra e gra që në këto njëzet vjet kanë kontribuar që Partia Socialiste t’i meritojë në çdo ditë fjalët e mira. Historia e familjes sonë politike është një histori plot ngjarje interesante nga më të ndryshimit, ku dritat po edhe hijet e një rruge të gjatë njëzet vjet dëshmojnë në radhën më të parë se në Partinë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë liria.

E pikërisht përmasa e lirisë me të cilën jeton çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe e bën të madhe edhe forcën tonë për të rezistuar sot, si opozitë, ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë së çdo qytetari dhe për të ofruar nesër një qeverisje të mirë të bazuar tek fuqia transformuese e lirisë.

Mirënjohje e respekt po ashtu për të gjithë aleatët tanë në opozitë, të cilëve u urojmë çdo të mirë e sukses.

Lejomëni që në fund të kësaj fjale të ngre shëndetin e të gjithë anëtarëve, mbështetësve, votuesve të shumtë të Partisë Socialistëve, përfaqësuesve tanë në çdo nivel, aleatëve opozitarë e miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilëve gjithashtu u shprehim sot mirënjohje e respekt për gjithë sa bëjnë në mbështetje të vendit tonë.

Gëzuar!


© Panorama.al

Te lidhura