Mehmet Bazdareviç është trajneri i ri i skuadrës franceze të Soshosë dhe gjithashtu një fans i Salihit. Kujtojmë se trajneri 51-vjeçar tentoi ta kishte shqiptarin në skuadër edhe kur drejtonte Grenoblën një vit më parë, por Rapidi iu përgjigj negativisht ofertës financiare që bënë francezët asokohe për kartonin e bomberit kuqezi. Vetëm dy ditë më parë, trajneri boshnjak ka marrë drejtimin e skuadrës së Soshosë dhe pritet që të udhëzojë drejtuesit për fushatën elektorale që do të kryejnë gjatë verës, për të ndërtuar ekipin që ai dëshiron. I pari në listën e dëshirave të tij është pikërisht bomberi shqiptar, të cilin e ka ndjekur me interes qëkurse ky i fundit aktivizohej te Riedi. Njerëz të afërt të Bazdareviçit pohojnë se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë bisedime konkrete mes Soshosë dhe Rapidit të Vjenës për sulmuesin shqiptar. Salihi ka deklaruar vazhdimisht se ka ardhur koha që të bëjë hapin e madh, pra, të luajë në një klub dhe në një kampionat më prestigjioz se ai austriak. Kampionati francez mund të ishte një eksperiencë e mirë për shqiptarin, ndonëse qëllimi i tij është që të luajë në Gjermani ose në Itali.
Lorik Cana
Lojtari i Kombëtares shqiptare ka qenë edhe dje protagonist absolut në mediat turke dhe italiane. Ndonëse në fillim media të ndryshme theksonin se lojtari do të mbetej te Gallatasaraji, në mbrëmje pas arritjes së marrëveshjes mes portierit të Lacios, Muslera dhe klubit turk, vëmendja u rikthye sërish te Cana. Sipas të gjitha gjasave, portieri ka qenë pika kyçe në bisedime, ndaj me shumë gjasa sot pritet që të mbyllet edhe tratativa mes Gallatasarajit dhe Lacios për Canën. Kujtojmë se vetë lojtari ka rënë tashmë dakord me kushtet e vëna nga skuadra italiane pas takimit që pati në Zenicë me Igli Taren, në mbarim të ndeshjes
së Kombëtares me Bosnjën.











