Për sopranon që ka shkelur skenat më të mëdha botërore operistike, nuk ka pushim. Në këtë muaj të nxehtë gushti ajo po kalon nga njëra skenë në tjetrën, nga Venecia, në Treviso, Strasburg… dhe kritika flet me superlativa .
Për Oriana Kurteshin nuk ka pushime. Ndërsa një pjesë e kolegëve të saj përpiqen t’i rrëmbejnë verës sa të munden ditë, që të mund të çlodhen e të nisin një tjetër sezon nga e para, për sopranon shqiptare thuajse çdo ditë sjell një ngjarje të re e shumë duartrokitje. Shfaqje operistike, koncerte… në skena të mëdha e më intime. Vetëm pak ditë më parë, më 23 gusht, ajo dha një koncert recital në Treviso të Italisë. Në këtë “Summer evening”, e shoqëruar në piano nga Mirko Schipilliti, ajo interpretoi arie nga Franz Schubert e Robert Schuman. Ndërsa vetëm një natë më parë, më datë 22, nën shoqërinë e harpistes Anja Linder, sopranoja shqiptare do të jepte një koncert në Strasburg me muzikë nga Faure, Debussy, Strauss, de Falla. Por… nuk munguan edhe pjesët shqiptare. “Oriana Kurteshi është një këngëtare lirike e lindur në Shqipëri, e cila ka fituar shumë çmime ndërkombëtare falë zërit të saj të veshur nga një përzierje misterioze force dhe brishtësie. Institucione prestigjioze si La Scala e Milanos dhe La Fenice e Venecias nuk janë zhgënjyer aspak që e kanë ftuar të interpretojë në skenat e tyre. Sa shumë emocione kalojnë në zërin e saj, teksa interpreton këngë popullore nga vendi i saj i origjinës (“Zare”, “Lule borë”…)”, kështu shkruan Sophie Sanchez në gazetën e Strasburgut “Derrniere Nouvelle d’Alsace”. Por këto dy
koncerte do të ndiqnin një tjetër angazhim të madh të sopranos, e cila përgjatë muajve korrik-gusht interpretoi në skenën madhështore të Grand Teatro La Fenice në Venecia, në një nga veprat më të bukura të Gaetano Donizetti-t, “Elisir d’Amore”. Në këtë vënie nën dirigjimin e Omer Meir Wellber dhe regji të Beppi Morasit, Kurteshi interpretoi rolin e Giannettës. Kritika italiane do të vlerësonte “aftësitë teknike dhe ndjeshmërinë” e sopranos shqiptare. “Sopranoja shqiptare ka vokalin e duhur për rolin”, shkruan Patrizia Monteverdi në “Operaclic”. Fluturimi i radhës do të jetë në Paris, në koncertin “Songe d’automne”, ku do të shoqërohet në piano nga pianisti shqiptar Genc Tukiçi, një bashkëpunëtor i hershëm i saj, e ku do të interpretojë pjesë nga Mozart, Fauré, Debussy, Bellini, Donizetti, Strauss, Meyerbeer, Puccini e Rossini.
Sopranoja
Pa ndonjë bujë të madhe si të tjerë, Oriana Kurteshi është një nga ata artistë shqiptarë, që ia kanë dalë mbanë të krijojnë një emër të mirë jashtë vendit të vet. Gjithnjë e qeshur edhe në momente të vështira ajo ka mundur t’i bëjë ballë konkurrencës, duke u pozicionuar ndër emrat e lakuar në qarqet e artit lirik. E nisi rrugën e këngës si një vajzë e vogël, në fillim me hapa të ndrojtur, që më pas u bënë të sigurt, që e çuan deri në skenën aq të lakmuar nga të gjithë këngëtarët lirikë, në La Scala të Milanos. Qëkurse është larguar nga Shqipëria, janë të shumta rolet e saj në skena të mëdha, shoqëruar me kritika pozitive. Pasi kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe nisi rolet e para në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kurteshi largohet nga Shqipëria për të

vazhduar studimet jashtë vendit. Kështu studion në Itali me Alessandra Althoff në Accademia Lirica në Mantova, në Accademia di Cà Zenobio në Treviso, në Mozarteum të Salisburgut dhe në Venecia, ku është bursiste e shoqatës “Richard Wagner” të Venecias në vitin 2000. Ishte fare e re kur debuton në sezonin 2001-2002 si Barbarina në “Dasmën e Figaros” në Klagenfurt, e ndjekur menjëherë nga një debutim shumë i rëndësishëm në La Scala të Milanos, ku luan rolin e Oscarit në “Një ballo me maska” të Verdit, nën drejtimin e mjeshtrit Richardo Muti, nën dirigjimin e të cilit do të këndojë edhe në Ravena dhe në New York në rolin e Jemmy-t në “Vilhelm Tel” të Rosinit. Më pas, karriera e saj do të njihte veç ngjitje dhe angazhimet e saj do të ishin gjithnjë e më të shpeshta në skenat e Gjenovës, Salisburgut, Bolonjës, Ferrarës, në Tel Aviv të Izraelit, në Seul, Lisbonë, Tuluzë, Paris, Strasburg, Pragë, etj. Do të kthehet sërish në la Scala në operat “Dialogues des Carmelites”, “Fedora” dhe “Dasma e Figaros”. Ndonëse do të kishte dashur të ishte më e pranishme në vendin e saj, gjatë viteve të fundit ajo është ngjitur edhe në skenat shqiptare, si në vitin 2008 me rolin e Luçias në operën “Lucia di Lammermoor” të Donizetti-t, në galanë e fundvitit organizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar..
ALMA MILE
© Panorama.al











