
Sondazhi i parë i kryer për besimin te qeveria greke, e zgjedhur në qershor të këtij viti, drejtuar nga Kryeministri Antonis Samaras, tregon se populli është i zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve, ku i pari renditet ai për të mos pasur më masa të tjera shkurtimi. Sondazhi i publikuar te gazeta e së dielës “Proto Thema”, realizuar nga kompania ALCO, tregon se besimi për qeverinë Samaras ka rënë. 43 për qind e të intervistuarve kanë deklaruar se kabineti qeveritar nuk është korrekt ndaj marrëveshjeve të nënshkruara mes tri partive të koalicionit dhe vetëm 29.5 për qind shfaqet e kënaqur nga përpjekja e Athinës zyrtare. Mbështetja për partinë neonaziste “Agimi i Artë” është rritur. Në sondazh, 34 për qind e të anketuarve mendojnë pozitivisht për Kryeministrin Samaras.











