
Sondazhet përfundimtare për zgjedhjet e së dielës në Francë kanë treguar se Nikolas Sarkozi është më i mbështetur nga sa ishte parashikuar në sondazhet paraprake, por jo mjaftueshëm sa për të fituar rizgjedhjen. Ende parashikohet që Presidenca do të jetë në duart e socialistit Fransua Holande. Dje, në mbyllje të fushatës, Sarkozi premtoi një “surprizë”, ndërsa Holande u kërkoi mbështetësve të tij të mos mendojnë më për papunësinë dhe vështirësitë ekonomike kur të votojnë. Rezultati do të ketë ndikim në përpjekjet e Europës për të luftuar krizën e saj të borxhit, në vendimin se sa gjatë do të qëndrojnë trupat franceze në Afganistan dhe se si do të sillet ushtria dhe diplomacia franceze. Sarkozi premtoi se do të fitojë të dielën. Ai tha se Holande do të humbasë “një dorë të mirë” votuesish. Por, ai u shpreh se është i përgatitur edhe për humbjen. I pyetur të premten nëse do të humbiste, Sarkozi tha thjesht: “Do të dorëzoj pushtetin”. Vendi ndjek kursin e tij. Vendi është më i fortë se fati i njeriut që e drejton atë”. Ndërsa Holande u tha mbështetësve të tij: “Jemi afër mbërthimit të fitores!”. Sondazhet e fundit kanë treguar se diferenca mes dy kandidatëve është afruar, por përsëri Holande rezulton fitues i zgjedhjeve. Një sondazh i agjencisë BVA ka treguar se Holande do të fitojë me 52.5 për qind të votave, kundrejt 47.5 për qind për Sarkozinë. Një tjetër sondazh nga agjencia CSA i jep Holandesë 53 për qind të votave dhe 47 për qind Sarkozisë. Të dyja agjencitë pak muaj më parë kishin vlerësuar se zgjedhjet do t’i fitonte Holande me një diferencë 20 për qind më shumë të votave, ku gabimi i mundshëm ishte 2-3 për qind. Por tani diferenca mes dy kandidatëve, sipas sondazheve, është 6 për qind. Holande ka fituar mbështetjen e partisë së qendrës që fitoi 9 për qind të votave në raundin parë, të Fransua Bayrou. Bayrou tha se ai do të votonte për Holandenë. Ai e kritikoi retorikën në fushatën e Sarkozisë si shumë të dhunshme. Sarkozi është përpjekur të joshë votat e ekstremit të djathtë të anti-emigrantëve, Marine Le Pen. “Ne nuk duam fise të ndryshme, ne nuk duam që komunitetet e ndryshme etnike të vijnë për të parë vetëm veten e tyre, ne nuk duam që emigrantët (jo nënshtetas) të votojnë”, ka thënë ai në Toulouse.
Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel shpesh ka shprehur mbështetjen e saj për Presidentin Nikolas Sarkozi, duke iu kërkuar indirekt francezëve ta votonin atë. Ata njihen për një aleancë të fortë së bashku, sa janë pagëzuar nga mediat si çifti Merkozi. Traktatet e reja europaine janë punuar kryesisht nga lideri i Francës dhe ajo gjermane, por i favorizuari i francezëve në këto zgjedhje është Fransua Holande, i cili është shprehur kundër vendimeve që janë marrë deri tani, duke thënë se do të takohet me Merkel për të ndryshuar gjërat, nëse fiton.
© Panorama.alEkonomistët kundër Holandesë
21 ekonomistë të njohur francezë kanë dërguar një letër të nënshkruar në gazetën “Wall Street Journal”, duke shprehur gjykimin e tyre se në ç’drejtim duhet të ecë Franca për t’u rimëkëmbur ekonomikisht. “Socialisti Fransua Holande dhe miqtë e tij janë demagogë gënjeshtarë dhe veçanërisht shkatërrues. Është tragjike të mendosh se si mund të sistemosh jetën e një njeriu duke grabitur një tjetër… fatkeqësisht, çfarëdo që të ndodhë të dielën, nuk ka gjasa ta largojë Francën nga socializmi. Ka vetëm një zgjidhje për të rimëkëmbur shpresat në Francë: Braktisja totale e socializmit. Ta lëmë të na rrokë akoma më ashër, siç premton z. Holande, do të ishte një gabim fatal”.











