Sollaku: “Prokuroria të mos e mbyllë 21 janarin vetëm me ekspertizën e FBI-së”

Feb 8, 2012 | 11:18

Theodhori Sollaku

Ish-kryeprokurori: Pakt kombëtar për Drejtësinë.

“Të mbyllë çdo shteg që mund të shfrytëzohet nga të akuzuarit për të ndërtuar alibitë e tyre”

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, tashmë anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, shprehet se Prokuroria, pas ekspertizës së ardhur nga FBI-ja, duhet të thellojë hetimin për ngjarjen e 21 janarit. Në një intervistë për “Panorama”, Sollaku evidenton dhe konfliktin e përhershëm, sipas tij, të Kryeministrit me sistemin e drejtësisë. Duke folur për reformën në Drejtësi, Sollaku shprehet se është i nevojshëm një pakt kombëtar mes forcave politike.
Zoti Sollaku, 21 janari i këtij viti riktheu debatin rreth Prokurorisë së Përgjithshme. Si një jurist me eksperiencë dhe ish-titullar i atij institucioni, si i keni përjetuar këto ditë tensioni mes qeverisë dhe organit të akuzës?
Nuk jam aspak i çuditur nga tensionimi i marrëdhënieve të Kryeministrit me kryeprokuroren për faktin se në mënyrë konstante ai këtë qëndrim ka mbajtur në marrëdhëniet institucionale, veçanërisht kur ai preket direkt apo indirekt. Por, gjykoj se jo vetëm prokurori i Përgjithshëm, por edhe prokurorët e zakonshëm që ndjekin çështjen e masakrës shtetërore të 21 janarit, kur kanë pranuar detyrën, kanë marrë në konsideratë edhe presionet apo kërcënimet e politikës e të krimit. Në këto kushte, gjykoj se kërcitja e dhëmbëve të Kryeministrit nuk ka asnjë efekt në ecurinë e këtij procesi, për më tepër që partnerët tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër procesin duke dhënë mesazhin për kryerjen e një hetimi të pavarur, larg ndërhyrjeve dhe presioneve të politikës.
Cili është opinioni profesional që keni për mënyrën se si janë zhvilluar deri tani hetimet për këtë ngjarje?
Nuk i njoh detajet e hetimit, por për aq sa është ekspozuar në media, them se rezultatet e ekspertizës së FBI-së e kanë futur hetimin në një rrugë të mbarë në drejtim të përcaktimit të mekanizmit të ngjarjes dhe individualizimit të autorëve të masakrës shtetërore të 21 janarit. Ndonëse është një lajm i mirë bashkëpunimi pozitiv me autoritetet amerikane dhe rezultatet e deritashme të këtij bashkëpunimi, mendoj se detyra e organit të Prokurorisë nuk duhet konsideruar e përfunduar. Mediatizimi tepër inkurajues gjatë këtyre ditëve për organin e Prokurorisë duhet ta nxisë grupin e hetimit që të kryejë çdo veprim procedural e mbyllur çdo shteg që mund të shfrytëzohet nga të akuzuarit për të ndërtuar alibitë e pritshme në këtë çështje, apo për të përdorur grepat proceduralë, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit në çështjet me të akuzuar VIP apo që kanë mbështetje politike.
Po në përgjithësi, si ka punuar Prokuroria e Përgjithshme, sipas jush?
Çështja e 21 janarit paraqet një problematikë komplekse, pasi personat që pandehen si autorë janë pjesë e strukturave të Ekzekutivit, duke filluar nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Kryeministria. Kështu që strukturat shtetërore që duhet të bashkëpunonin në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit, janë në një farë mënyre të akuzuara dhe ndaj tyre duhet të përqendrohen hetimet. Kështu që barra e hetimit në këtë çështje i mbetet kryesisht Prokurorisë, prokurorëve dhe oficerëve në varësi të Prokurorisë. Mendoj se ata të grupit të hetimit të Prokurorisë janë treguar njerëz me integritet të lartë profesional, që kanë ditur të administrojnë fakte edhe në kushtet e një bllokade shtetërore.
Ku e ka shkakun, sipas jush, konflikti i përsëritur që Kryeministri Berisha ka me organet e drejtësisë, gjykatat, Prokurorinë, KLD? Pse kjo përplasje e vazhdueshme?
Gjatë këtyre dy dekadave, Kryeministri i vendit është shquar si zyrtari që nuk përshtatet dot me ligjin në këtë vend. Kjo ka ndodhur me këtë person pothuajse në çdo situatë konfliktuale gati me të gjitha institucionet e vendit, pasi ai ka paranojën që çdo gjë duhet ta prekë personalisht dhe duhet të bëhet ashtu siç dëshiron ai. Harron që ky vend ka një Kushtetutë, e cila i jep çdo kompetencë Kryeministrit, me përjashtim të atyre kompetencave që Kushtetuta ua jep organeve të pushteteve të tjera. Në këtë kontekst, ai do të bëjë edhe rolin e kryeprokurorit, edhe gjykatësin, edhe kryepolicin.
Si po ju duket “jeta” e re nën petkun e politikanit? Sa ka ndryshuar axhenda juaj e ditës pas hyrjes në Asamblenë e PS?
Direkt apo indirekt, gjatë këtyre 20 vjetëve, kam qenë pjesë aktive e politikës shqiptare. Aq sa është investim i imi personal, aq është edhe investim i shoqërisë në një farë mase. Për shkak të detyrave të larta që kam pasur në shtet, jam përfshirë në axhendën politike të shtetit. Aktualisht, për shkak të të qenit i lirë nga detyrat shtetërore, pranova me kënaqësi bashkëpunimin me Partinë Socialiste, për të kontribuuar në alternativën e kësaj force politike. Nuk ka ndonjë ndryshim esencial në jetën e re nën petkun e politikanit, veçse kërkohet të programoj më mirë kohën e përditshme duke vendosur një raport të drejtë midis detyrës së avokatit dhe angazhimeve politike.
Ka një debat të gjerë prej vitesh rreth funksionimit dhe defekteve të sistemit të drejtësisë. A mendoni se ka ardhur koha për një reformë të madhe të këtij sistemi? Nëse po, cilat do të ishin disa nga drejtimet madhore të saj?
Mendoj se reforma në Drejtësi është një diskutim i pranishëm dhe i përditshëm edhe në vendet me demokraci të konsoliduar. Në vendin tonë, me keqardhje dua të them se megjithëse diskutohet shumë për Drejtësinë, kryesisht në drejtim të pakënaqësive, nuk ka një qëndrim të qartë nga maxhoranca se çfarë duhet bërë për të përmirësuar gjendjen. Mendoj se sulmi ndaj organeve të Drejtësisë nuk e zgjidh problemin. Ende nuk ka një platformë të qartë për një Drejtësi që të funksionojë në kushtet e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët. Jo vetëm presionet e maxhorancës, por edhe vetë problematika e organeve të Drejtësisë kanë ndikuar në këtë gjendje të sistemit të Drejtësisë në vend. E kam fjalën për paaftësinë dhe korrupsionin që mbizotëron në këto organe. Në këtë aspekt mendoj se shteti, krahas krijimit të kushteve më të mira pune dhe jetese për gjyqtarët e prokurorët, kam parasysh këtu paga më të larta, etj., duhet të mendojë si për kualifikimin në vazhdimësi të juristëve, ashtu edhe për gjetjen e mekanizmave më efikasë për ta bërë më të përgjegjshëm për detyrën kontingjentin e juristëve gjyqtarë dhe prokurorë. Nëse sot ne kemi standardet më të përparuara që garantojnë pavarësinë e trupës së magjistraturës, ende kemi probleme me atë që quhet llogaridhënie të kësaj trupe. Si përfundim dua të them se ne nuk jemi në kushtet e ndonjë emergjence për të reformuar gjithçka në Drejtësi. Kërkohet që t’i implementojmë si duhet ligjet që janë miratuar gjatë këtyre dy dekadave në Shqipëri. Mund të ketë mendime të ndryshme për modelet, por përvoja e demokracive të konsoliduara ka treguar se megjithëse në ato vende funksionojnë modele jo të njëjta, Drejtësia funksionon. Me këtë dua të them se problem nuk është te modeli i strukturimit të Drejtësisë që kemi zgjedhur, por te mënyra se si e implementojmë legjislacionin konkretisht. Nëse ligjet tona kërkojnë që një gjyqtar do të bëjë karrierë nëse ai ka tregues pozitivë gjatë ushtrimit të detyrës, dhe strukturat përkatëse nuk e zbatojnë këtë detyrim ligjor, faji nuk është i ligjit, por i njerëzve që në një moment të caktuar kanë marrë përgjegjësitë për të zbatuar këto parime ligjore. Sot, me keqardhje konstatohet se një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, megjithëse i kanë të gjitha garancitë kushtetuese dhe ligjore për të qenë të pavarur, përsëri në vendimet e tyre nuk sillen si të tillë, pasi paaftësia profesionale te një pjesë dhe korrupsioni te pjesa tjetër, apo të dyja bashkë, nuk i lejojnë t’i shfrytëzojnë këto garanci kushtetuese e ligjore. Përmirësimi i gjendjes në Drejtësi, veçanërisht në Gjyqësor, mendoj se kërkon një pakt kombëtar midis forcave politike për të ndërmarrë operacionet e duhura që i shërbejnë ndryshimit të situatës. Dhe nëse do të ketë vullnet politik, situata nuk duket e pashpresë.

© Panorama.al

Te lidhura