Kur flitet për zgjedhje të ndershme apo të pandershme në Shqipëri, duhet kuptuar se, në fakt, bëhet fjalë për dy gara në dy plane të ndryshme që, me vetëdije e pavetëdije, palët ndërgaruese i përziejnë dhe i kthejnë në një. Edhe i gjithë impasi që po ndodh sot lidhur me rezultatin e Tiranës, e jo vetëm, – aq sa zoti Fyle ka thënë me dëshpërim se janë mbaruar tërë planet për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike e zgjedhjeve të fundit, se nuk kanë në dorë një plan C – është rezultat i kësaj ndërthurjeje të këtyre dy garave. Le të shpjegohem:
Njëra garë është ajo që do ta quaja, për lehtësi shpjegimi, gara e zhvilluar “në planin e realitetit shqiptar” apo “gara e pandershme”, e cila ka të përcaktuara edhe rregullat e saj, që mund të përmblidhen me parimin: bëj gjithçka të mundshme për t’ia hedhur kundërshtarit. Për “rregullat” – nëse mund të quhen kështu – e kësaj gare ka pasur një konsensus të gjatë midis dy palëve. Ato s’kanë të bëjnë thjesht e vetëm me ligjet elektorale që të dy palët kanë aprovuar, por me të tërë aktivitetin e tyre politik gjatë këtyre viteve, me mënyrën se si janë sjellë gjatë qeverisjeve të tyre qendrore apo lokale, në pushtet apo në opozitë, me ligjin, me institucionet e tjera, me paranë dhe pasurinë publike, me krimin, me territorin, me “të fortët” e më në fund edhe me votën. Rregullat e kësaj gare ata i kanë vendosur ashtu, që të parashikojnë se ai që do të jetë më i zoti në përdorimin e hilesë, të kapjes së sa më shumë institucioneve, të kapjes së sa më shumë bizneseve, të kapjes së sa më shumë mbështetjeje nga jashtë, të sa më shumë mediave, të përdorimit të sa më shumë të fortëve etj., ka shumë më tepër shanse të bëhet fituesi. Në këtë kontekst, dita e votimit dhe e numërimit të votave duhet parë si një farë mbyllje e një akti të kësaj gare/drame të përditshme pandershmërie, dhe jo si fillim e fund i një gare elektorale. Sipas gjykimit tim, këtë garë kësaj here deri në këtë moment e ka fituar, me rezultat të ngushtë, maxhoranca, me në krye Sali Berishën. Edi Rama është humbësi i saj dhe po bën “gjithçka të mundshme”, në kuptimin që i dhashë këtij togfjalëshi më sipër, për të përmbysur rezultatin ose balancuar atë, duke marrë Tiranën .
E këtu duhet folur edhe për garën e dytë që është zhvilluar paralel me këtë, e ndërthurur me këtë, në mënyrë të atillë që edhe është pjesë e së parës, edhe një garë më vete. Kjo është gara për ta mbuluar sa më mirë garën e vërtetë me fasadën e asaj që do ta quaja ligjshmëri apo standarde europiane apo sukses i procesit, se kush do të fitojë më shumë kredibilitet, prandaj dhe më shumë legjitimitet te të huajt; se kush përfaqëson më shumë e më mirë në sytë e tyre interesat e shqiptarëve, se kush është më demokrat, se kush po e çon apo do ta çojë Shqipërinë në Europë, – që po e quaj gara e zhvilluar “në planin e standardeve europiane”. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një garë të dyfishtë të zhvilluar në dy plane, që në fakt janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, përjashtojnë njëri-tjetrin, sepse njëra është gara e pandershmërisë, kurse tjetra e ndershmërisë. E këtu ngatërrohet filmi, sepse e gjithë lufta politike së jashtmi, pasi ka mbaruar akti i zgjedhjeve, është shitja e fasadës si një garë e vetme dhe vetë protagonistët e saj me vetëdije apo pa vetëdije i ngatërrojnë të dyja këto gara/realitete, duke shfaqur kësisoj në mendimin dhe qëndrimin e tyre çrregullime skizofrenike.
Këtu mund të ngremë pyetjen: pse ndodh kjo? Pse na duhet ky plani i dytë i ndershmërisë kur, në thelb, të dyja palët lojën e vërtetë e bëjnë në planin e parë: atë të pandershmërisë? Sipas gjykimit tim, pasi edhe vetë shoqëria shqiptare jeton dy realitete; një realitet që e quajta për thjeshtësi “shqiptar” dhe një realitet që sërish për thjeshtësi komunikimi e quajta “europian”, ku i pari ka lidhje shumë më të forta me trashëgiminë, me kulturën e paligjshmërisë e pandëshkueshmërisë të përhapur në terren, me llojin e ekonomisë që kemi krijuar, e me zgjedhjet e pandershme gjithashtu, kurse tjetri ka më shumë lidhje me aspiratën tonë europiane, me idealet, me moralitetin, me atë që duam të bëhemi. Pa dyshim, edhe këto gjëra që kanë të bëjnë me ndershmërinë, pra janë pjesë e jona, por them se kam të drejtë ta quaj këtë pjesë më shumë “europiane” sesa “shqiptare”, pasi, sikurse po shihet qartazi edhe në krizën e këtyre ditëve, për arbitër të garës së dytë nuk kemi zgjedhur shqiptarët dhe institucionet e tyre, por europianët dhe institucionet e tyre. Dhe një realitet, sikurse dihet, plazmohet nëpërmjet institucioneve. Pra, mungesa e gjykatave, mediave apo shoqërisë civile të standardeve europiane është tregues i rëndësishëm për atë që ky realitet europian mungon te ne, paçka se ndoshta jo krejtësisht. E këtu duhet ngulmuar, megjithatë, se ky realitet i dytë materializohet sado-kudo te ne edhe në atë që quhet prezenca ndërkombëtare në Shqipëri: lidhjet që ka vendi me pjesën tjetër të botës, veçanërisht të Europës, me nevojën që kemi qoftë si popull për të mbijetuar, por edhe që ka klasa politike për të ndenjur në pushtet, për t’i respektuar rregullat e këtij komuniteti më të madh, ku aspirojmë të bëjmë pjesë edhe më plotësisht nesër. Por, edhe me lidhjet që ata janë të detyruar të kenë me ne, gjithashtu si pjesë e një hapësire gjeopolitike ku shtrihet projekti i tyre ekonomik, politik, kulturor e ushtarak.
Pra, nuk jemi një ishull, siç ishim në kohën e Enver Hoxhës, veçanërisht dekadat e fundit. Sikur të ishim një ishull, gara e parë do të mjaftonte për të caktuar fitimtarin. Kurse kështu na duhet të marrim në konsideratë realitetin tjetër që jetojmë.
Problemi është që shqiptarët, me në krye politikanët e tyre, kanë vendosur ta jetojnë në një formë skizofrenike këtë realitet të dyfishtë, me një mendje të ndarë më dysh e me gjithë çrregullimet e mendimit e të qëndrimit që sjell kjo skizofreni. Duhet thënë se ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Shikoni se çfarë po ndodh në Greqi. Një klasë e tërë politike që mashtronte për vite të tëra Europën me bilance të falsifikuara, pra, ku tjetër gjë ishte realiteti “grek” dhe tjetër gjë fasada që i paraqitej popullit dhe Europës.
Në këtë skizofreni maxhoranca jonë kërkon njëherësh edhe t’i ketë nën kontrollin e saj institucione të tilla, si Gjyqësori, mediat, shoqëria civile, bizneset etj., edhe t’i paraqesë sikur funksionojnë në mënyrë europiane. Zgjedhjet ajo kërkon edhe t’i fitojë me metodat e planit të parë, “të pandershmërisë”, edhe t’i paraqesë si të ndershme. Kurse opozita lëviz edhe ajo në këto dy plane. Ajo edhe luan sipas “rregullave” të garës së pandershmërisë me të fortët, me kontroll mediash e me çka mundet edhe kalon, në rast humbjeje, në kontestimin e zgjedhjeve sipas principeve të ndershmërisë. Sikur ajo të fitonte, ishte e përgatitur të thoshte se, me gjithë një maxhorancë dinake, të pabesë, hileqare, të pandershme, ajo fitoi. Por, ndërkaq ishte edhe e përgatitur që në rast humbjeje të lojës së parë të mos e njihte rezultatin në emër të lojës së dytë.
Sipas gjykimit tim, të garosh me trafikantë droge, me oligarkë e “të fortë” gjithfarësoji e pastaj të flasësh me pasionin e njeriut të ndershëm për fitore në emër të popullit apo të revoltohesh po me këtë pasion se të kanë vjedhur votën, kjo është një skizofreni. Unë gjykoj se kriza e këtyre zgjedhjeve dhe rrugëdaljet prej saj duhen parë në kontekstin e daljes nga kjo skizofreni, që gjykoj se është një sëmundje që kërkon një kurim të gjatë dhe shumë serioz madje.
Fitoren ose humbjen e procesit e kanë vulosur deri më tani ndërkombëtarët. Ata kanë dhënë notën kaluese, ose jo për procesin, duke e ngritur gjithnjë pak më lart “stekën” e standardeve që duheshin arritur. Kjo ngritje e stekës duket sikur kërkon të ngushtojë dallimin midis atij që e quajta “plani shqiptar, i pandershëm” i garës dhe “plani europian, i ndershëm” i saj, ose midis garës së vërtetë dhe garës fasadë. Ndërkaq, e kam të vështirë të them nëse ne punojmë vërtet për të ngushtuar këtë dallim apo për të sofistikuar format e mbulimit të pandershmërisë sonë me këtë fasadë, duke thelluar, për pasojë, edhe skizofreninë tonë. Lexova së fundi për historinë rrëqethëse të trafikantit dhe vrasësit shqiptaro-amerikan, Almir Rrapo, që po gjykohet këto ditë në SHBA, i cili arriti të ngjitet te ne deri në pozita me rëndësi në Ministrinë e Jashtme, e m’u kujtua se, para një viti, një grup pedagogësh e studentësh, madje edhe të rinjsh që shpallen si kontestatorë të sistemit të ngritur në Shqipëri, protestuan për ekstradimit e këtij të riu në SHBA, duke thënë se njerëz si Almiri “me një qëndrim intelektual të paprekur nga konjuktura apo nga nevoja për t’iu dorëzuar ndonjë pushteti të mundshëm formal apo informal”, ishin një “shpresë” e Shqipërisë. Dhe, sikurse e dimi mirë që të gjithë, nuk janë të pakta rastet kur trafikantët e drogës, kriminelët e të pandershmit “trafikohen” në shoqërinë tonë si heronj të demokracisë e të përparimit, jo vetëm këtej kufirit, por edhe në pjesën tjetër, Kosovë e Maqedoni. A mund të mendohet se me këta lloj njerëzish mund të bëhen zgjedhje të ndershme?
Si përfundim, një gjë më duket se duhet të jetë e qartë për gjithë ata shqiptarë, por edhe europianë që kanë ngecur keq në këtë krizën e fundit duke u ndjerë si pa rrugëdalje. Zgjidhja e vërtet e krizës shqiptare, ai varianti C, që sipas zotit Fyle nuk ekziston e që do të çojë pastaj edhe në zgjedhje të ndershme, mund të vijë vetëm nga ngulmimi për të hyrë në rrënjë të problemit, tek ajo që e quajta “gara e pandershme” që zhvillohet përditë në Shqipëri e që ditën e zgjedhjeve kërkon thjesht e vetëm të veshë petkun e ndershmërisë.
© Panorama.al












