Skënderbeu, spektakël para 7 mijë tifozëve

Feb 13, 2012 | 12:33

Ndeshja e djeshme Tomori-Skënderbeu 2-4

Korçarët i prishin festën Tomorit, fitojnë bindshëm 2-4

Dopieta e Muzakës vulos suksesin në Berat.

Skënderbeu ka dalë fitimtar edhe në Berat, duke u prishur në këtë mënyrë festën vendësve, të cilët po inauguronin stadiumin e tyre të rikonstruktuar.
Nën praninë e 7 mijë tifozëve, djemtë e drejtuar nga Levi dhuruan spektakël dhe gola me bollëk, plot 4. Mirëpo, edhe Tomori nuk mbeti pas, madje në disa raste nuk dallohej se kush ishte skuadra kampione, pasi vendësit reaguan mjaft mirë, mirëpo kaq nuk u mjaftoi. Penalltia e Shkëmbit, goditja spektakolare e Radas dhe dygolëshi i Muzakës, zhvlerësuan golat e Bakiut dhe Çarlsit.
Ndeshja
Ndeshja nis e shpejtë dhe me sulme të njëpasnjëshme në portat respektive. Por, është Skënderbeu që e gjen veten në avantazh në minutën e 9-të. Një penallti e fituar nga Sebino Plaku kthehet në gol nga kapiteni Shkëmbi. Mirëpo, beratasit nuk u dorëzuan, kjo falë edhe tifozëve që ishin në stadium, ku pas shumë tentativave, vetëm në minutën e 34-të barazojnë me anë të sulmuesit shtatshkurtër Endri Bakiu, që përfiton nga një gabim i mbrojtësit Bici e konkludon bukur, dhe 1-1. Por, gëzimi i vendësve nuk do të zgjaste shumë, pasi në të 41′-tën, Radas ekzekuton në mënyrë spektakolare një goditje dënimi, që përfundon në rrjetë dhe 1-2. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka sërish luftë të fortë sportive. I takoi Tomorit që ta bënte sefte i pari me gol për këtë fraksion loje, teksa Çarls, në minutën e 61-të, rivendos ekuilibrat në 2-2. Por, historia përsëritet, gëzimi i vendësve zgjat shumë pak, për shkak se Muzaka, dy herë, në minutën e 65-të dhe 70-të, vulos suksesin e padiskutueshëm e të merituar të të tijve. Me vetëm tri pikë më pak se Teuta e vendit të parë dhe 1 pikë më pak se bardheblutë, kampionët vijojnë të tregojnë një ecuri shumë pozitive dhe nuk po ndalen më nga askush prej 3 muajsh. Kurora e kampionit është në kokën e tyre, ndaj misioni i kuqebardhëve është i qartë, po ia bëjnë hyzmetin realizimit të tij, mbrojtjen e saj. Ndërsa beratasit nga krahu tjetër kanë një tjetër mision, mbijetesën në Superiore, duke qenë se e shohin veten në vendin e parafundit me 8 pikë.
Pogradeci-Kastrioti 1-1
Pogradeci dhe Kastrioti kanë ndarë nga një pikë në takimin e djeshëm, ku terreni i rrëshqitshëm në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit nuk lejoi zhvillimin e një ndeshjeje normale. Sfida e djeshme i ka pasur të gjitha: akordohen dy 11-metërsha, nga një për secilën skuadër, ku Inkango për Kastriotin nuk arrin të realizojë dot, ndërsa Çerepi e shndërron në gol. Dy gola të anuluar nga kryesori Sino për krutanët dhe në fund ka kohë edhe për dy kartonë të kuq për liqenorët, njëri nga të cilët u mor pas përfundimit të ndeshjes. Kemi dhe dy trajnerë të revoltuar: Çekiçi me gjykimin, ndërsa Ndreu i Kastriotit e ka me ata që vendosën për zhvillimin e takimit në Elbasan. Referuar atyre sa thamë më sipër, përfundimi i 90 minutave nuk kënaqi asnjë nga palët, duke qenë se Pogradeci kërkon të mbijetojë në Kategorinë Superiore, ndërsa Kastrioti të ngjitet më lart në klasifikim. Terreni i rrëshqitshëm bëri që të zhvillohej një lojë pa nivel, ku lojtarët e kishin të pamundur të bënin pasime të sakta.

Levi
Stanislav Levi është shfaqur më shumë se i kënaqur pas triumfit në Berat. “Mendoj se arritëm një fitore të rëndësishme, e cila na afron akoma më tepër me kreun. U zhvillua një futboll i bukur, në një atmosferë të ndezur. Triumfuam dhe kjo më gëzon, por duhet komplimentuar edhe kundërshtari, sepse zhvilloi një ndeshje të mirë. Sidoqoftë, me këtë ekip të denjë që patë edhe këtu në Berat, Skënderbeu është pretendenti kryesor”, tha Levi.

Memushi
Trajneri i Tomorit, Eqerem Memushi, pas ndeshjes tha se: “Nuk është e thjeshtë të mundësh Skënderbeun, ne tentuam po s’ia dolëm. Arritëm të reagonim dy herë ndaj golave të tyre, por nuk mjaftuan. Megjithatë, nuk ka aspak vend për panik, mendoj se grupi është i mirë dhe besojmë se do arrijmë ta shmangim rënien nga kategoria. Tomori do të luftojë deri në fund dhe do t’ia dalë. Sa i përket gjykimit, ia lë FSHF-së që të merret me këtë pjesë”.

Një serb shpëton Kukësin, Butrinti “KO”
Kukësi e ka nisur me fitore fazën e dytë, teksa ka mundur Butrintin me rezultatin e ngushtë 1-0, duke u dëshmuar si një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur një kategori më lart. Ka qenë Jevdjeviç, ai i cili në të 46-ën ka goditur fort nga rreth 20 metra, duke “shkrirë borën” dhe mposhtur për herë të parë e të vetme portierin e Butrintit, Demi. Ndonëse luajtën në një fushë asnjanëse, duke qenë se stadiumi i Kukësit ishte mbuluar nga bora, djemtë e Shahin Berberit nuk e patën të vështirë të merrnin tri pikët, duke ndjekur hap pas hapi gjirokastritët, të cilët kryesojnë Kategorinë e Parë. Madje, me këta të fundit Kukësi do të ndeshet në mesjavë, duke “rehabilituar” kalendarin me një ndeshje të prapambetur.

KATEGORIA SUPERIORE
Java e 14-t    (10-13 shkurt)

TË PREMTEN
Teuta-Tirana                1-2
Laçi-Vllaznia                1-0
TË SHTUNËN
Kamza-Flamurtari            0-1
Shkumbini-Bylisi                1-1
DJE
Tomori-Skënderbeu            2-4
Pogradeci-Kastrioti            1-1
Sot
Dinamo-Apolonia            14:00

Renditja
Nr EKIPI      N    F    B    H    G+    G-    P

1 Teuta    14    10    2    2    18    9       32
2 Tirana    14    9    3    2    22    13     30
3 Skënderbeu14    8    5    1    24    9       29
4 Flamurtari    14    7    4    3    21    11     25
5 Kastrioti    14    7    3    4    22    15     24
6 Bylis    14    5    4    5    26    24     19
7 Shkumbini    14    5    4    5    20    23     19
8 Vllaznia    14    5    2    7    20    19     17
9 Laçi        14    5    5    4    13    14     14
10 Kamza    14    4    2    8    12    15     14
11 Pogradeci    14    5    2    7    13    21     14
12 Tomori    14    3    2    9    14    26    11
13 Apolonia    13    2    2    9    11    25    8
14 Dinamo    13    0    4    9    4    16    1

Shënim: Dinamo është penalizuar nga UEFA me -3 pikë, ndërsa Laçi dhe Pogradeci, respektivisht me -6 dhe -3 pikë nga Komisioni i Disiplinës

© Panorama.al

Te lidhura