Lojtarët spanjollë kthehen në modë, teksa në Korçë presin edhe një sulmues. Pas ardhjes së mbrojtësit Eloy Robles, drejtuesit e Skënderbeut janë futur në bisedime edhe me sulmuesin Raiko Garsia, i cili ka mbyllur sezonin me Rajo Valekanon në Divisionin e Dytë. Lojtari është aktualisht i lirë dhe negociatat me të janë në fazën e fundit. Dje në mbrëmje, menaxheri i FIFA-s, Elton Marini, njeriu që po ndërmjetëson për transferimin e sulmuesit te Skënderbeu, ka arritur një akord paraprak me spanjollin për sa i përket shifrave. Megjithatë, fjalën e fundit do ta thotë presidenti Agim Zeqo, pasi mësohet se lojtari nuk pranon të firmosë pa marrë 7 mijë euro në muaj. Gjithsesi, edhe në rast se Garsia refuzon, klubi korçar ka një plan “B”, pikërisht me një tjetër spanjoll. Sipas burimeve pranë presidentit Zeqo, bëhet fjalë për sulmuesin Rudi Torres, që është aktivizuar me ekipin e dytë të Getafes. Të dy lojtarët janë vëzhguar nëpërmjet videokasetave nga trajneri Shpëtim Duro. Ky i fundit ka dhënë “ok”-in dhe tashmë drejtuesit e klubit pritet të konkretizojnë marrëveshjen. Sigurisht, mes Garsias dhe Torres vetëm njëri mund të firmosë për Skënderbeun.











