Skënderbeu/ Korçë, policia “blindon” qytetin prej APOEL-it

Jul 6, 2011 | 9:26

Policia e Korçës ka marrë masa të forta sigurie për ndeshjen me Apoelin. Megjithëse duhen edhe disa ditë deri javën e ardhshme për ndeshjen Skënderbeu-Apoel, policia ka nisur të mendojë për mënyrën se si do të organizojë ditën e saj për një nga takimet më të rëndësishme sportive jo vetëm për këtë qytet. Ardhja e shumë tifozëve shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe para së gjithash mbërritja e një numri shumë të madh tifozësh qipriotë, kanë vënë në punë drejtuesit e policisë për të pasur çdo gjë nën kontroll të plotë. Por, teksa ndeshja që luhet mbrëmjen e 13 korrikut në Korçë ka rëndësinë e saj për klubin Skënderbeu dhe kampionët, policia nga ana e saj do ta ketë punën më të vështirë. Kjo pasi mendohet që nga Qiproja të udhëtojnë drejt Korçës rreth 500 tifozë. Ky është një numër tejet i konsiderueshëm, ndërsa nga ana tjetër kanë filluar prenotimet nga tifozët shqiptarë të hoteleve të qytetit për mbrëmjen e të mërkurës së ardhshme. Burime nga Drejtoria e Policisë në Korçë kanë bërë të ditur për gazetën se nga ana e tyre është hartuar një plan paraprak masash, ndonëse gjithçka është në funksion edhe të informacioneve që vijnë në rrugë zyrtare nga FSHF.

© Panorama.al

Te lidhura