Skëndërbeu- Flamurtari, ‘Disiplina’ jep dënimet

Feb 3, 2012 | 15:08
Gjyqtari anësor Ridigert Çoku pas goditjes nga tifozat në ndeshjen Skenderbeu- Flamurtari

Tetë ndeshje jashtë Skëndërbeu dhe -3 pikë në Kupë për Flamurtarin. Ky ka qenë vendimi i marrë të premten nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, në tryezën e të cilit ka qenë për diskutim relacioni i plotë i ndeshjes çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, luajtur në Pogradec më 31 janar, mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Sfidë e cila u ndërpre përreth 15 minuta, për shkak se tifozët hodhën sende të forta në fushë, një prej të cilëve goditi në kokë arbitrin anësor, Ridigers Çokaj. Ky i fundit u gjakos, mori mjekimin e menjëhershëm të stafit mjekësor korçar, por nuk qe në gjendje ta vazhdonte më tej gjykimin e ndeshjes. E cila filloi pas ndërprerjes, me anësor gjyqtarin e katërt, Artan Taullaraj, por pati një reagim pasiv të Flamurtarit, që qëndroi statik e pasiv në fushë, duke lejuar lojtarët e Skënderbeut të shënonin edhe dy gola të tjerë dhe ta mbyllte këtë sfidë me fitoren 4-1. Gjithçka ndodhi në momentin e golit të dytë të Skënderbeut, shënuar nga Shkëmbi, në minutën e 76-të të lojës (kur rezultati shkoi 2-1 për kuqebardhët), sepse vlonjatët pretendonin për një pozicion jashtë loje të lojtarit kundërshtar, i cili, po ashtu, sipas tyre, ishte edhe në rrezen e portierit Spaho në këtë moment. Si klub pritës, Skënderbeu, edhe pse ndeshja luhej në Pogradec, për shkak se kushtet e vështira atmosferike në stadiumin e Korçës e bënë të detyrueshme këtë zhvendosje, ka marrë edhe ndëshkimin përkatës, sipas rregullores së aktivitetit. Për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës, me të cilat u godit zyrtari i ndeshjes (arbitri anësor), klubi i Skënderbeut dënohet t’i luajë tetë ndeshjet në vazhdim të aktivitetit kombëtar (kupë dhe kampionat) jashtë fushës së vet. E thënë ndryshe, do t’i luajë në fushë asnjaëse. Ndëshkim me 2 ndeshje pezullim dhe 1 milionë lekë të vjetra gjobë ka pasur edhe për zv.trajnerin e Skënderbeut, Lorenc Hysi, i cili, në momentin e ndërprerjes së ndeshjes, pati një konfrontim të ashpër verbal me Shkëlqim Muçën e Flamurtarit. Në moment, ai u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari i sfidës në fjalë, Migen Masha. Por, masa ndëshkimore janë dhënë edhe për Flamurtarin. Të cilit, Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së i ka hequr 3 pikë nga klasifikimi në Kupën e Shqipërisë, për reagimin pasiv që pati pas rifillimit të lojës në Pogradec dhe përpjekjeve për ta braktisur ndeshjen. Që do të thotë se për momentin, kuqezinjtë e Vlorës janë minus 3 pikë në renditjen e Grupi B, të raundit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Pra, një fitore e radhës e tyre në kupë do të shërbejë për t’i zeruar pikët në këtë kompeticion, i cili pret të konsumojë këtë fundjavë ndeshjet e dyta të turit çerekfinal. Shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi, është evidentuar si nxitës i dhunës dhe i qëndrimit pasiv të lojtarëve të Flamurtarit në fushë, pas ndërprerjes së ndeshjes me Skënderbeun, kështu që nuk kanë munguar penalizimet edhe për të. Ai është pezulluar për 1 vit nga çdo aktivitet futbollistik kombëtar. Ndërkohë, kërkesa e Flamurtarit për të marrë 3 pikët në tavolinë nuk është marrë në konsideratë nga Disiplina, e cila, në fakt, ka bërë të kundërtën, duke i hequr edhe tri pikë të tjera nga klasifikimi çerekfinal kuqezinjve të Vlorës, në këtë kompeticion.

Më shumë për sportin në http://www.panorama-sport.com

© Panorama.al

Te lidhura