Skënderbeu fiton në derbi, Dimo në spital

Feb 9, 2012 | 12:20

Skënderbeu-Pogradeci 3-0

Ndeshja e prapambetur, korçarët gjunjëzojnë Pogradecin në kryeqytet

Lojtari përplas kokën, del me barelë nga fusha

Skënderbeu nuk ndalet, triumfon në ndeshjen e prapambetur të fazës së parë kundër Pogradecit dhe tashmë “kërcënon” kreun e renditjes. Ndërsa sulmuesi i tyre, Amarildo Dimo, përfundoi në spital pas një përplasjeje me një lojtar kundërshtar.
Kampionët në fuqi kanë mposhtur 3-0 fqinjët në sfidën e zhvilluar në “Qemal Stafa”, për shkak të dënimit të fushës së klubit korçar. Liqenorët kanë rezistuar vetëm 37 minuta, teksa një dorë Skënderbeut i ka dhënë ish-mbrojtësi Edi Çajku. Ky i fundit, prej dy sezonesh pjesë e Pogradecit, ka shkaktuar një autogol, duke u dhënë avantazhin korçarëve. Kualitetet e skuadrës bardhekuqe bënë diferencën, ndërkohë që në shumicën e kohës gjatë pjesës së parë Pogradeci ishte i vendosur mirë në fushë. Gjithsesi, goli i parë prishi ekuilibrat dhe i dha krahë Skënderbeut, që më pas dominoi totalisht ndeshjen. Shkëmbi, Xhafaj, Bratiç etj. konfirmuan edhe dje formën e mirë. Kapiteni i korçarëve u bë sërish protagonist me pasimet e tij perfekte, që në disa raste edhe nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit. Pak para ndeshjes, stafi i liqenorëve vendosi që të mos aktivizonte sulmuesin vlonjat, Ardi Shehaj, i cili ishte i dëmtuar. Sakaq, liqenorët tentojnë të befasojnë me ndonjë kundërsulm, duke u bazuar nga krahu i majtë me Begajn. Megjithatë, me kalimin e minutave, korçarët udhëheqin lojën dhe krijojnë raste të njëpasnjëshme. Shkëmbi bëhet protagonist me goditjet e dënimit, derisa del në dritë goli i avantazhit. Si rezultat i një presioni të madh në portën liqenore, për Skënderbeun mendoi Çajku, që shkaktoi një autogol. Dy minuta më vonë, një përplasje me kokë mes Idrizit dhe Dimos bëri që ky i fundit të pësonte traumë dhe të dilte me barelë nga fusha. Më pas, lojtari u dërgua në spital për ekzaminime të mëtejshme. Në 45 minutat e dyta, Allmuça, që kishte zënë vendin e Dimos, dyfishon që në pesë-minutëshin e parë duke qetësuar korçarët. Pas këtij goli, Pogradeci duket i dorëzuar pas këtij goli, ndërsa bardhekuqtë janë gjithnjë në sulm. Një aksion me protagonist Biskupin nga e djathta mbyllet me eurogolin e Bratiçit. Pas këtij momenti, ndeshja nuk ka më histori. Pogradeci bën përpjekje për të shënuar golin e nderit, por nuk ka forcën e duhur për të qenë i rrezikshëm përballë Shehit. As dy minutat shtesë nuk sjellin ndonjë ndryshim dhe sfida përfundon 3-0. Tashmë, pas 13 ndeshjesh të fazës së parë, Skënderbeu i afrohet Tiranës së vendit të dytë me 1 pikë dhe Teutës kryesuese me 6.

Superioria
Dje (e prapambetur)

Skënderbeu-Pogradeci    3-0
Shënues: Çajku 38′ (autg), Allmuça 56′, Bratiç 64′
Java e 14-të
Nesër
Laçi-Vllaznia        14:00
Teuta-Tirana        17:00
Të shtunën
Kamza-Flamurtari    14:00
Shkumbini-Bylis    14:00
Të dielën
Tomori-Skënderbeu    13:00
Pogradeci-Kastrioti    14:00
Të hënën
Dinamo-Apolonia    14:00

Renditja
Nr. Ekipi        ND    F    B    H    P

1. Teuta          13     10     2     1     32
2. Tirana         13     8     3     2     27
3. Skënderbeu    13     7     5     1     26
4. Kastrioti    13     7     2     4     23
5. Flamurtari     13     6     4     3     22
6. Bylis         13     5     3     5     18
7. Shkumbini    13     5     3     5     18
8. Vllaznia     13     5     2     6     17
9. Kamza         13     4     2     7     14
10. Pogradeci     13     5     1     7     13
11. Laçi         13     4     5     4     11
12. Tomori    13     3     2     8     11
13. Apolonia     13     2     2     9     8
14. Dinamo    13     0     4     9     1

SHËNIM: Laçi; – minus 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci; – minus 3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo; – minus 3 pikë (dënuar nga FIFA).

© Panorama.al

Te lidhura