Skënderbeu pritet të mbushë më tej arkat e klubit këto ditë të fundit të merkatos. Pas dy transferimeve të Frenklin dhe Xhantu për shumën e rreth 700 mijë eurove, një tjetër fond i rëndësishëm do të vijë në arkat e klubit korçar ditët në vijim.
Bëhet fjalë për më shumë se 300 mijë euro nga transferimi i Dean Liços tek Idgir në Turqi dhe një shifër e përafërt me këtë për largimin e Randi Dumfur në Arabi. Janë edhe 600 mijë euro që u shtohen financave të klubit për sezonin e ri. Nëse transferimi i Liços është një fakt i kryer, tashmë korçarët do të mbushin arkat me rreth 300 mijë euro, një shumë e rëndësishme për ta kthyer klubin rentabël, sikundër është edhe plani i drejtuesve.
Nga ana tjetër, pritet që e njëjta shumë të përfitohet edhe për Randin, i cili mësohet se është në Arabi, ku po zhvillon testet mjekësore. Në kushte të tilla, marrëveshja është arritur dhe gjithçka duket në rrugën e duhur. Nëse lojtari kalon testet, ditët në vijim pritet të vijë edhe zyrtarizimi i marrëveshjes. Në kampin bardhekuq nuk duan të zbulojnë asgjë për këtë tratativë. Përtej të gjithave, klubi do të ketë financa më të shëndosha.
AFRIMET – Duke pasur financa të garantuara, edhe afrimet që priten mund të jenë më cilësore. Dy lojtarët që do t’i bashkohen ekipit në fund të merkatos pritet të jenë nga ata që bëjnë diferencën. Drejtuesit e klubit nuk do të kursehen për të afruar dy elementët e kërkuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç, duke pasur mundësinë e një page më të lartë, në bazë të cilësisë dhe kërkesave të tyre.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al