
Skënderbeu është thuajse i eliminuar nga Kupa e Kampioneve pas humbjes fatale në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme në stadiumin e vet kundër qipriotëve të APOEL. Një skuadër e lodhur që në nisje dhe pa një organizim në gati të gjitha repartet.Mbrojtja çaloi më së shumti nga krahët, ndërsa gabimeve trashanike të Allmuçës dhe Orelesit në mesfushë iu kundërpërgjigj një lojë mjaft e dobët Gjergji Muzaka në sulm. Duhet thënë: një Skënderbe i tillë nuk ishte parë prej shumë ndeshjesh. Ndërkaq, nga ana tjetër, duhet theksuar edhe loja mjaft e ekuilibruar dhe me fantazi e qipriotëve, një skuadër kjo shumë herë më e mirë si në eksperiencë në të tilla kompeticione, por edhe në lojtarë, nëse flasim për ekipin aktual.
Atmosfera – Ajo që ndodhte jashtë stadiumit, por edhe brenda tij, fatmirësisht nuk kishte asgjë lidhje me atë që u pa në fushën e lojës, në harkuan e 90 minutave. Ashtu sikundër dihej, të gjitha vendet në stadiumin ishin të zëna, madje një pjesë e mirë e tifozëve mbetën jashtë për shkak të mosarritjes së blerjes së një biletë qoftë edhe në këmbë. Gjithë këtij interesimi shtoji edhe entuziazmin e paparë të tifozëve, të cilët reshtën së përkrahuri ekipin e tyre vetëm në minutat e fundit të takimit, kur thuajse gjithçka kishte përfunduar.
Pjesa e parë – Na fraksionin e parë të lojës, skuadra korçare u mundua që të ekuilibronte lojën karshi kundërshtarit, duke u munduar që të organizonte tek-tuk edhe ndonjë sulm. Por, kapiteni Shkëmbi, qe gjithnjë i markuar më së miri, ndërsa Muzaka ishte në ditën e tij më të keqe. Mesfushori kuqezi, i cili në këtë takim luajti si sulmues, nuk arriti për asnjë çast që të dilte në lojën e tij jo vetëm duke mos sulmuar, por as kontribuar në mesfushë. Dos Santos, i vetëm në sulm, ishte i pafuqishëm për të ngacmuar portën e qipriotëve. Këta të fundit patën të paktën tri raste të pastra në pjesën e parë, por që u evituan nga pritje po aq të pastra dhe të bukura të Orges Shehit (i vetmi që shpëton nga gijotina korçare në këtë takim).
Pjesa e dytë – Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Shpëtim Duro zëvendësoi menjëherë spanjollin Robles me kroatin Radas, që të dy lojtarë të ardhur gjatë merkatos së verës. Por, si i pari, ashtu dhe i dyti ishin më pak se lojtarë mediokër. Nga ana tjetër, as Orelesi dhe Allmuça, edhe këta përforcimi të kësaj merkatoje, nuk bënë ndonjë gjë për t’u mbajtur mend, ndoshta negativisht, por asesi, pozitivisht. Kështu, në minutën e 52-të, një gafë e Allmuçës në mesfushë injektoi një kundërsulm të qipriotëve, të cilët me tri pasime arritën të çonin topin në rrjetë me Shehin që e kishte të pamundur për të ndryshuar fatin e atij topi. Nuk mbaron me kaq. Katër minuta më vonë, pas një goditjeje në zonë, topi del në 16-she dhe nga jashtë zonës braziliani Manduka lëshoi një predhë drejt në trekëndëshin e djathtë të mbrojtur nga Shehi. Në këtë rast ishte Orelesi, i cili duhej të markonte brazilianin, por në momentin e gjuajtjes, në vend që ai t’i ndërhynte, i ktheu shpinën si për t’u mbrojtur nga topi. Minutat në vazhdim u luajtën vetëm për statistikë, pasi Skënderbeu pati vetëm një rast sporadik me Dos Santosin, ndërsa APOELI kontrolloi gjithë fushën.
Skënderbeu-Apoel 0-2
Shënues: Nuno Morais 52′,
Manduka 56′
Kartonë të verdhë: Orelesi/ Satsias
Gjyqtarë: Jan Valasek/ Tomas Mokos dhe Peter Çladek
Skënderbeu: Shehi, Robles (Radas 46′), Vrapi, Bici, Arapi, Orelesi, Bratiç (Bratiç 85′), Shkëmbi, Allmuça (Ribeiro 67′), Muzaka, Dos Santos.
Trajner: Shpëtim Duro
APOEL: Çiotis, Jorge, Poursaitides, Solari, Çaralambides (Aleksandrou 86′), Manduka (Satsias 81;), Helio Pinto, Kontis, Morais, Marsinjo (Andoro 72′), Boaventura. Trajner: Ivan Jovanoviç
Duro: Ëndërroja një barazim, por..
Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, është shprehur tejet i zhgënjyer nga loja e skuadrës së tij. Ai ka pohuar se nuk priste që të kualifikohej ndaj këtij ekipi, por të paktën në ndeshjen e parë të mund të merrte një barazim. “Nuk e kisha parashikuar kështu këtë takim. Sigurisht, nuk prisja dhe as ëndërroja që të kualifikohesha ndaj një skuadre si Apoeli, por doja që të paktën në ndeshjen në shtëpi të mund të luanim mirë dhe të merrnim një barazim. Nuk ndodhi kështu dhe mund të themi se nuk kemi asnjë shpresë kualifikimi”, ka pohuar trajneri i korçarëve, Duro. Takimi i kthimit do të luhet pas një jave në Nikosia të Qipros dhe me këtë rezultat Apoeli është gati i kualifikuar.
Igli Allmuça
“Kishim përballë një skuadër shumë të fortë. Ne u munduam që të bënim diçka me lojën tonë, por ishte e pamundur për të thyer mbrojtjen e tyre. Sigurisht, me këtë rezultat nuk kemi asnjë shans kualifikimi për më tej, por më shumë se për këtë ndeshje më vjen keq për tifozët, të cilët prisnin më shumë nga kjo skuadër. Ata na mbështetën gjatë gjithë takimit dhe për këtë duhen falënderuar, por më vjen keq që ne nuk arritëm që t’i gëzonim. E ritheksoj se Apoeli ishte më lart se ne në të gjitha aspektet”, pohoi Allmuça pas ndeshjes.
Orges Shehi
“Ndeshje e dobët nga ana jonë, nga e cila duhet të nxjerrim mësime. Nuk arrita që ta kuptoj se si e pësuam golin e parë, por gjykoj se ishte shumë amatores gabimi që bëmë në mbrojtje. Gola të tillë nuk duhet t’i pësojë një skuadër si Skënderbeu, e cila ka në përbërje lojtarë të mirë. Nga ana tjetër duhet pranuar se Apoeli ishte një skuadër me kualitete, që na vunë disa herë në vështirësi. Nuk e di se çfarë nuk funksionoi në skuadër, pasi thuajse të gjithë nuk ishim në ditën më të mirë”, tha Shehi pas takimit të djeshëm.
© Panorama.al











