
Skënderbeu është mundur edhe në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Kampioneve nga APOEL.Dy humbje, asnjë gol i shënuar dhe për më tepër në takimin e djeshëm korçarët nuk gjuajtën asnjëherë në portë. Me kaq mbaron aventura e kampionëve: katër gola të pësuar, shumë pak lojë sulmuese (për të mos thënë fare) dhe një zhgënjim total të paktën për sa i përket aspektit lojë. Edhe dje në Qipro, bardhekuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk arritën të tregonin asgjë nga vlerat e tyre, madje duke mos vënë qoftë edhe një herë të vetme në rrezik portën e Apoelit. Në bazë të statistikave të takimit, vendasit gjuajtën 8 herë në portën e Shehit, nga të cilat dy herë shënuan, ndërsa lëshuan edhe 9 gjuajtje të tjera, por që përfunduan jashtë. Ndërsa Skënderbeu gjuajti vetëm dy herë drejt portës së portierit Çiotis, por edhe këto gjuajtje përfunduan jashtë kuadratit të portës. Normalisht, korçarët ishin thuajse të bindur se nuk mund të kthenin rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë dhe donin që në Qipro të mund të shënonin të paktën një gol dhe të mos pësonin goleadë. Në 45 minutat e para, bardhekuqtë u mbrojtën mirë, por me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, ashtu si në Korçë, qipriotët rrezikuan më shumë portën e Shehit dhe në harkun e 7 minutave arritën të shënonin dy herë me anë të Solarit dhe Ailton. Në minutat në vazhdim, trajneri Duro thjesht mori masat që të mos turpërohej duke kthyer gjithë skuadrën në mbrojtje, por gjithsesi pësoi edhe dy gola të tjerë nga Andoro dhe Haralambides para vërshëllimës së fundit të arbitrit.
APOEL-Skënderbeu 4-0 (2-0)
Shënues: Solari 59′, Ailton 66′, Adorno 80′, Haralambides 86′
Kartonë të verdhë: Vrapi, Radas, Biskup, Arapi
Gjyqtarë: Andrea De Marko/ M.Grilli dhe L.Manganeli (ITA)
APOEL: Çiotis, Poursaitides (Solomou 81′), Olivera, Çaralambides, Manduka, Adorno, Kontis, Helio Pinto (Jahiç 72′), Morais, Solari (Ailton 62′), Bonaventura. Trajner: Ivan Jovanoviç
Skënderbeu: Shehi, Radas (Sulejmanoviç 72′), Vrapi, Bici, Arapi, Orelesi (Biskup 46′), Bratiç, Allmuça, Muzaka, Shkëmbi, Dos Santos (Ribeiro 72′). Trajner: Shpëtim Duro
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











