Opinioni publik u shokua përgjatë kësaj jave, teksa ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit u bë pjesë e “Big Brother VIP Kosova”, ndonëse ishte i akuzuar prej saj për dhunë. Të gjithë e kujtojmë konfliktin e ashpër që dy ish-bashkëshortët kanë pasur, që u mbyll me fotot e dhunës që qarkulluan nga vetë këngëtarja.
Por, ndonëse me disa denoncime, Atilla u bë pjesë e lojës, madje si një konkurrent. Kaq mjaftoi që reagimet të ishin të ashpra, ndonëse si vetë artistja u shpreh, nuk ndjehej e kërcënuar prej pranisë së tij në shtëpi. “Prania e tij këtu nuk më ngjall aspak frikë, pasi e di që “Big Brother” ka kontroll të plotë dhe nuk toleron asgjë të dëmshme. Po ashtu, unë vet si Drenushë ndihem plotësisht e qetë, pa u ndjerë e kërcënuar apo e ngarkuar psikologjikisht,” u shpreh Drenusha.
Ndër të tjera ajo shtoi se hyrjen e ish-bashkëshortit në BBV e sheh dhe si një mundësi pajtimi pasi e sheh të rëndësishëm për raportin që ata e kanë për fëmijët.
“Kam parë një pikë shprese për një kërkim falje që kam pritur dhe që do të ishte e rëndësishme për raportin me fëmijët tanë. Absolutisht asgjë më shumë”, theksoi ajo.
Drenusha Latifi, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Suedi, i ka dhënë fund martesës së saj 10-vjeçare me Atilla Kartesh rreth dy vite më parë. Ish-Miss Kosova dhe biznesmeni i njohur Atilla vendosën që t’i ndajnë rrugët duke u divorcuar, por në atë kohë asnjë nuk reagoi pas lajmeve. Kujtojmë që dyshja nga lidhja e tyre disa vjeçare kanë sjellë në jetë dy fëmijë.
Ndërkohë në një intervistë pak muaj më parë, ajo deklaroi se arsyeja e vendimit për t’u divorcuar ishte dhuna fizike që ish-bashkëshorti ushtronte ndaj saj. Ajo tregoi se pas dhunës së ushtruar vendosi të bëhej e pavarur ekonomikisht dhe kur arriti që të krijonte të ardhurat e saj i dha fund martesës.
“I kam dhënë fund një martese 10-vjeçare dhe u bë një vit e gjysmë që jemi ndarë. Arsyeja kryesore ka qenë dhuna fizike, po ashtu dhe dhuna ekonomike. Unë jam shumë realiste në ato që them dhe e di që shumë njerëzve nuk ka për t’i pëlqyer. Në momentin që kam qenë e pavarur ekonomikisht, jo se kam qenë prej tij e varur ekonomikisht, mirëpo kemi pasur shumë gjëra financiare së bashku. Në momentin që kam qenë e pavarur ekonomikisht, kam gjetur punë vetë, nuk kam qenë ekonomikisht e varur as prej shtetit suedez as prej kurrkujt tjetër. Normalisht ka qenë edhe më e lehtë për mua të marr një vendim të tillë. Kur jam takuar me ish-bashkëshortin tim nuk ka pasur as pasuri, asnjë gjë, përkundrazi ka qenë në një fazë shumë të keqe ekonomike kur jemi takuar dhe kemi ndërtuar shumë gjëra bashkë, por kur unë nuk jam pajtuar me dhunën fizike që më është bërë dhe dhunën ekonomike, psikike etj., m’u desh të shikoja të gjithë territorin tim se çfarë është më e mira për mua dhe fëmijët e mi, kuptova që nëse do pavarësohem nga ana ekonomike dhe jam e pavarur, mund të shkëputem prej tij”, u shpreh këngëtarja.
Por ajo që u duk si një kërcënim për të, në fakt ka qenë vetëm një skenar i parapërgatitur. Teksa reagimet ishin të ashpra, palë që e njohin nga afërkëtë çështje, kanë zbuluar detaje të reja. Vebi Mujku njohës i çështjeve sociale ka folur për rastin, duke zbuluar një detaj që konfirmon se vetë Drenusha e ka ditur këtë fakt. Lidhur me këtë Mujku tha se Drenusha Latifi ka tërhequr akuzën ndaj ish-bashkëshortit para hyrjes në “Big Brother”, për çka tha se e gjitha mund të jetë “Skenar i përgatitur…’.
“Javë më parë ka shkuar në Gjykatë dhe e ka tërheq masën, kjo na lë të nënkuptojmë se e gjitha kjo është skenar”, tha Mujku.
Ndërkohë të shumtë kanë qenë edhe komentuesit jashtë, që kanë zbuluar se gjithçka është e organizuar dhe se Drenusha jo vetëm ka qenë në dijeni, por e ka mbështetur fort idenë, që ishi i saj të bëhet pjesë e lojës. Disa foto të ish-bashkëshortit të saj, me Dianën, një tjetër konkurrente të BBVK kanë ngritur dyshime për njohje të mëparshme. Një deklaratë e opinionistit Milaim Zeka ka trazuar ujërat.
Zeka ka deklaruar se banorja Diana dhe Atilla Kardesh njihen që para 18 vitesh, pasi vajza e tezës së Dianës ka qenë e fejuar me Atilla Kardesh. Më tej Zeka ka thënë se Drenusha ka qenë ajo që ka ndërhyrë në lidhjen e vajzës e tezës së Dianës dhe Atillës. Por duket se të gjithë zërat u shuan, kur vetë Atilla deklaroi se do të largohej nga loja, duke mbyllur kështu edhe misionin e tij.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al