
Kyç shtëpisë derisa të krahasohen. I dyshuari: Janë bërë dhurata.
Policia, kontroll në banesën e ish-kujdestarit të fondit.
Zhdukja e pikturave nga Galeria e Arteve në Korçë çon policinë në banesën e kujdestarit të fondit të veprave, Sotiraq Xegës. Forca të Komisariatit të Korçës ushtruan dje kontroll në shtëpinë e ish-administratorit, në fshatin Drenovë, pas marrjes në pyetje të të gjithë personave që kanë pasur akses në fondin e galerisë. Aty kanë gjetur 1 mijë piktura, por që efektivat blu nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse mes pikturave ka edhe ndonjë prej 61 veprave të zhdukura. Pasi kanë hyrë në banesën e Sotiraq Xegës, i cili është vetë piktor, punonjësit e Policisë kanë nisur kontrollin, por kanë gjetur atje një numër të madh pikturash të përmasave dhe temave të ndryshme. Përballë gamës së madhe të pikturave, policia ka vendosur që të presë ditën e sotme, derisa të mund të ngrihet një komision me ekspertë njohës të pikturave, të cilët të mund të kryejnë verifikimin dhe përcaktimin e autorësisë së tyre. Përgjatë gjithë mbrëmjes, pikturat do të ruhen në shtëpinë e piktorit Xega nga një punonjës policie, ndërsa nesër do të nisin edhe veprimet e tjera. Përpos kontrollit të banesës së ish-administratorit, një tjetër kontroll është kryer edhe në shtëpinë e fotografit Kristi Ktona, i cili tashmë ka marrë detyrën e administratorit të galerisë, por aty nuk është gjetur asnjë pikturë. Pak orë para kontrollit në banesë, Xega hodhi një tjetër dyshim për veprat e zhdukura. Sipas tij, dhurohen shpesh piktura si dhurata simbolike, por se nga dalin ato, kjo lë për të menduar.
Zoti Xega, prej sa vitesh jeni administrator i fondit?
Prej dhjetë vitesh jam kujdesur për të gjitha pikturat.
Si janë bërë inventarët përgjatë këtyre viteve?
Janë bërë sa për të thënë që u bënë, ose më saktë që nuk janë bërë fare. Më sillej mua fleta e firmosur nga komisioni dhe unë hidhja firmën. Kur për ta ishin në rregull, edhe për mua s’do mend që ishin, sepse s’kishin ku të shkonin.
Sipas jush, ç’mund të ketë ndodhur me ato piktura?
Atë nuk e di dhe s’mund ta them, por ama shikojmë shpesh që kur vjen ndonjë nga këta emrat e mëdhenj, si dhurata simbolike i jepen piktura të ndryshme. Unë nuk e di se të kujt janë dhe as se nga dalin ato piktura, por ama dyshimi më lind.
Dyshimet për vjedhjen janë duke u hedhur mbi ju. Cili është reagimi juaj?
Unë jam piktor. Po të ishte nevoja që t’i vidhja unë, ishte shumë e lehtë që t’i bëja si të Mios, sa askush të mos i njihte. Mund të bëja që të dukeshin edhe të vjetra siç janë, por nuk kam arsye pse ta bëj diçka të tillë. Kam punuar falas për to dhe nuk doja që të përfundonin në duart e një agronomi, ndaj refuzova të jem pjesë e inventarit. Nëse do të kisha pranuar, askush nuk do ta kishte kuptuar se ato piktura mungonin, ndoshta as unë. Doja thjesht që të ishin në duar të sigurta, sepse e mbroj artin dhe shih se ç’doli.

Drejtori i Galerisë: Xega fajtor
Plot 61 piktura janë zhdukur nga fondi i Galerisë së Arteve në Korçë. Këtë fakt e bëri të ditur dje drejtori i qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi. Ai, përmes një deklarate për shtyp ka akuzuar si të vetmin person përgjegjës për vjedhjen e tyre ish-administratorin Sotiraq Xega. “Në kuadër të një iniciative të qendrës kulturore ‘Vangjush Mio’ në Korçë për dixhitalizimin dhe futjen e shërbimeve të reja në galerinë ‘Guri Madhi’, filloi inventari për kalimin e fondit të galerisë nga personi që e kishte më herët te personi i ri në detyrë. Për inventarin e fundit, pikërisht atje ku u konstatuan mungesa, Xega kundërshtoi të bëjë dorëzimet e inventarit, si dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e komisionit të veprave. Ne kemi bërë kallëzim penal dhe presim të dalin përgjegjësit”, tha Topi.
Të djathtët: Peleshi të kërkojë falje
Reagojnë të djathtët për skandalin e veprave të artit, duke kërkuar madje dhe dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. “Jemi të shokuar nga skandali i përmasave të mëdha që ka ndodhur në Galerinë e Arteve në Korçë. Gjithë Shqipëria dhe gjithë artistët janë të indinjuar nga ky rast i paprecedent. Nëse duam fajtorin, i kthejmë sytë direkt te Bashkia e Korçës dhe institucionet përgjegjëse të saj, që sot nuk duhet të justifikohen dhe të fshehin fajtorët, por duhet të kërkojnë falje. Çudia më e madhe është se nuk shohim asnjë akt dorëheqjeje apo ndonjë pezullim nga detyra të bërë nga ana e Bashkisë, e cila ka në varësi këtë institucion. I kërkojmë Niko Peleshit të reagojë për rastin në fjalë, të kërkojë falje publike dhe të nxjerrë në dritë fajtorët”, u shpreh Jonela Spaho, përfaqësuesja e PD-së në Korçë.
Policia: Hetim gjithë punonjësve të galerisë
Policia e Korçës ka konfirmuar se nën hetim janë vënë disa persona që punojnë dhe kanë pasur lidhje me Galerinë e Arteve Figurative, ku ndodhej dhe fondi i veprave të zhdukura. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, ndërsa konfirmohet se Xega nuk ka qenë i vetmi punonjës që ka pasur çelësat e fondit ku ruheshin pikturat. Policia tha se deri tani ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e Galerisë së Arteve të cilët janë duke u pyetur në lidhje me ngjarjen, por sipas Policisë, deri tani ende nuk ka asgjë konkrete. Fakti që nuk ka pasur asnjë shenjë dhune në ambientet e galerisë ku ndodheshin veprat e piktorëve të mëdhenj, mes tyre të Vangjush Mios dhe Sali Shijakut, ka lënë të hapur pistën e një vjedhjeje nga persona të brendshëm.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











