
Selvie Kurteshi rrëfen zvarritjen gjyqësore për 8 dynym.
“Dy arabë të dëbuar nga Shqipëria për terrorizëm dhe një i tretë ma kanë marrë me forcë pronën”
Ka 12 vjet që endet zyrtarisht dyerve të Gjykatës dhe gjithnjë ka fituar proceset, por pa mundur akoma që ta mbyllë përfundimisht çështjen. Quhet Selvie Rushiti Kurteshi, bashkëpronare e ligjshme e 8 mijë metra katrorë tokë bujqësore në Yzberisht, por që prej gati dy dekadash ia përdorin me forcë individë të tjerë. Bamirëse e njohur ndër familjet rome që ushqen për çdo ditë 100 fëmijë në shtëpinë e saj, ajo është kërcënuar disa herë me jetë për të hequr dorë pikërisht nga kjo sipërfaqe. “Disponoj që nga viti 1993 dokumentin e marrjes në pronësi të tokës. Në vitin 1997, kur u bë azhurnimi i zonës kadastrale, morëm dhe certifikatën e pronësisë, pa asnjë problem. Vetëm kur një ditë, në vitin 1999, u gjendëm para faktit që, dy shtetas arabë që janë të dëbuar nga Shqipëria si terroristë, Mithat Almanzolavi dhe Hekri Elmazi, pretendonin se ishin pronarë të tokës sonë që është e regjistruar zyrtarisht si ‘tokë bujqësore’, ndërsa ata e paraqesin si ‘truall’. Madje, duke ia shitur një të treti, Fadil Durakut, vëllai i një biznesmeni të njohur. Që nga ai vit e deri më sot, këta persona jo vetëm që po më përdorin pronën pa të drejtë, por edhe më kanë dëbuar që aty, më kanë kërcënuar disa herë me jetë. Policia ka ardhur disa herë këtu, kam bërë dhe denoncimet përkatëse, por pa mundur dot që të zgjidhet çështja”, sqaron Selvia, gruaja rome që nuk ka kryer shumë klasë shkollë, por duket sikur është bërë “mjeshtre” sa u përket termave juridikë. “E si të mos bëhem mjeshtre”, – përforcon bisedën ajo, – “kam 12 vjet që ende dyerve të Gjykatës. Pala tjetër paditëse nuk është se pretendon të marrë vërtet pronën, pasi në asnjë seancë gjyqësore nuk ka sjellë dokumente për ta kërkuar atë. Ata vetëm kërkojnë zvarritjen e procesit gjyqësor pa fund, në mënyrë që të vijojnë të përdorin pronën time. Janë dy karburante të ngulura te toka ime, që të dy pa leje dhe që punojnë prej vitesh. Ndërsa mua më kanë spostuar këtu në një cep, dhe brenda ambienteve të shtëpisë mbaj hapur edhe qendrën për fëmijë ‘Zemra e nënës’, ku përpiqem të ushqej, vesh, arsimoj dhe edukoj dhjetëra fëmijë”. Aktualisht çështja në fjalë ndodhet në Gjykatën e Shkallës së Tretë, për herë të katërt. Gjatë 12 viteve, herë është çuar në Shkallën e Parë e herë në të Dytën, ndërsa në datën 1 mars është gjykimi i radhës në Shkallën e Tretë. “Pa pasur asnjë dokument dhe pala paditëse ia ka arritur t’i mbajë peng pronat e mia. Mendo të kishin pasur ndonjë copë letër. E gjithë kjo zvarritje bëhet për faktin që unë jam e komunitetit rom dhe ne nuk na duan as për ekzistencë, dhe lëre pastaj të jemi pronarë. Ky është diskriminim i hapur që po më bëhet dhe unë nuk di se si ta zgjidh. Kam frikë për jetën time, por edhe për të afërmit e mi”, thotë Selvia. E ndërsa flet, dhjetëra fëmijë romë vijnë për t’i kërkuar ushqim. Ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim rrugëve të Tiranës ku askush nuk ua hedh sytë, ajo u hap krahët atyre i vë për të ngrënë…
Historia e 8 mijë metrave
Sipërfaqja prej 8 mijë metrave ndodhet në hyrje të Yzberishtit, në kryqëzimin në fund të Rrugës së Kavajës me Unazën e Re. Në vitin 1938, kjo tokë është blerë nga shteti shqiptar dhe deri në vitin 1946, kur është bërë reforma agrare, ka vijuar të jetë e tillë. Me krijimin e kooperativave bujqësore, kjo tokë iu dha kooperativës “Vilhelm Pik”, ku romët ishin bashkëthemelues të saj. Më pas, kjo tokë iu dha ndërmarrjes bujqësore “17 Nëntori” dhe në fund të viteve ’90 iu kalua Institutit të Perim-Patateve për eksperimentime. Pas miratimit të ligjit 7501, Komisioni Qeveritar i Tokës vendosi që
sipërfaqja t’u jepej banorëve të Yzberishtit që kishin qenë bashkëthemelues në kooperativën “Vilhelm Pik”, komuna Kashar, ndër to edhe Selvie Kurteshit.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











