Skandali me Lojërat e Fatit, si fshihen të ardhurat

May 11, 2012 | 13:09

Ministri i Financave, Bode

Rreth 13 kompani deklarojnë 10 makina për sallë. Mesatarja, 11 makina.

Njeriu i Bodes numëron minimumin e makinave që lejon ligji.

Thellohet skandali i abuzimit me paratë që duhet të shkojnë në buxhet nga taksimi i lojërave të fatit. Gazeta zbulon se Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i takson kompanitë e bixhozit vetëm sa minimumi i lejuar nga ligji.
Edhe pse fizikisht, çdokush e ka të lehtë të vërtetojë se në sallat e kazinove elektronike ka me dhjetëra kompjuterë, mesatarja e taksave që merr Njësia e Lojërave të Fatit është vetëm për 11.2 kompjuterë në çdo sallë. Sipas Besnik Çobajt, i emëruar personalisht nga ministri Bode në krye të NJMLF, çdo sallë në Shqipëri ka mesatarisht 11-12 kompjuterë apo makina elektronike ku luhet bixhoz. Një hulumtim i thjeshtë i gazetës në disa pika kazinosh elektronike ka vërtetuar se ka salla me më shumë se 20 apo 30 makina elektronike.
Zbulimi
Sipas të dhënave zyrtare që gazeta disponon, në mars, në databazën e NJMLF-së janë të regjistruara 25 kazino elektronike. Në total këto kazino kanë hapur në të gjithë vendin 187 salla me kompjuterë apo makina elektronike ku luhet bixhoz. NJMLF ka të regjistruar se në 187 sallat janë të vendosura 2371 makina elektronike. Me një llogari të thjeshtë, mesatarja është 12.6 makina në çdo sallë. Gazeta ka të plotë databazën se sa salla dhe sa makina ka secila kompani në çdo sallë. Duke përjashtuar kompaninë e parë, e cila ka vetëm një sallë dhe deklaron 45 aparate, pjesa tjetër e mbetur e bizneseve deklarojnë mesatarisht 11.2 makina elektronike në çdo sallë. Janë 13 kompani që deklarojnë minimumin e lejuar, 10 makina për çdo sallë që kanë të hapur. Janë 7 kompani që deklarojnë 11-12 kompjuterë për sallë. Janë vetëm 5 kompani që deklarojnë më shumë se 13 deri në 16 kompjuterë për sallë. Vetëm një kompani, shumë e madhe, deklaron 45 kompjuterë për sallë. Për efekt të konkurrencës, gazeta nuk po boton emrat e kompanive, por vetëm numrin e sallave për secilën prej tyre dhe numrin e kompjuterëve që takson NJMLF.
Abuzimi
Sipas ligjit “Për lojërat e fatit”, çdo sallë duhet të ketë minimalisht 10 kompjuterë ku luhet bixhoz. Kjo është përcaktuar në nenin 22 të ligjit, ku saktësohet lejimi i mjeteve elektronike: “Në një kazino elektronike duhet të ketë jo më pak se 10 mjete elektronike për çdo sallë”. Të dhënat e publikuara më sipër tregojnë se bizneset e bixhozit paguajnë detyrimet për mesatarisht 11.2 makina për çdo sallë. Pra sa minimumi i lejuar nga ligji. Çdokush e ka lehtë të vërtetojë se sallat e bixhozit kanë më shumë se 11 kompjuterë. Në ligj përcaktohet se “NJMLF mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve që organizojnë lojëra fati në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi”. Kuptohet qartë se sa “e mbikëqyr dhe e kontrollon” këtë veprimtari NJMLF-ja. Është naive të besosh se inspektorët, drejtori dhe vetë ministri i Financave, i cili e ka për detyrë ligjore të marrë periodikisht në duar raportin e NJMLF-së, nuk e kuptojnë që të ardhurat nga lojërat e fatit janë në minimumin e lejuar me ligj. Dyshimi është se janë të tjera arsye që i mbyllin sytë kreut të Financave dhe atij të Njësisë së Lojërave të Fatit. Sipas ligjit, për çdo makinë elektronike duhet të paguhet nga 40 mijë deri në 100 mijë lekë në muaj si detyrim fiskal. Tarifa ndahet sipas kategorisë së qytetit ku është vendosur kazinoja elektronike, në Tiranë e Durrës, 100 mijë lekë për makinë në muaj, në rrethet e kategorisë së dytë 60 mijë lekë në muaj dhe në rrethet periferike të kategorisë së tretë 40 mijë lekë në muaj. Shumat janë joshëse dhe të përmuajshme. Dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit në këtë rast është me dhjetëra milionë lekë çdo muaj.

Çfarë thotë ligji
Detyra e Njësisë

“NJMLF mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve që organizojnë lojëra fati në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi”.
Minimumi i lejueshëm
“Në një kazino elektronike duhet të ketë jo më pak se 10 mjete elektronike për çdo sallë”.
Detyrimet fiskale
Organizatori i lojërave për kazino elektronike paguan tatim mujor mbi lojërat e fatit 4 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 100 000 (njëqind mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 40 000 (dyzet mijë) lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari.
Përgjegjësia e Bodes
“Titullari i NJMLF-së emërohet nga ministri i Financave”.
“NJMLF-ja raporton për veprimtarinë e saj te ministri i Financave”.
“NJMLF-ja raporton në afate të përcaktuara dhe sa herë i kërkohet, para ministrit të Financave, për rregullsinë e zhvillimit të veprimtarisë së subjekteve të licencuara në fushën e lojërave të fatit, për kontrollet e ushtruara, rezultatet e tyre, si dhe për sanksionet e vendosura”.

Sallat dhe makinat

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura