Klubi i Interit dhe kompania telefonike italiane “Telecom” u gjobitën me 1 milion euro, pasi kanë spiunuar ish-futbollistin Kristian Vieri. Gjykata italiane i dha të drejtë ish-sulmuesit, i cili kishte paditur klubin zikaltër dhe kompaninë telefonike, pasi dyshonte se bisedat e tij përgjoheshin kur ishte pjesë e ekipit. Vieri kishte kërkuar që “Telecomi” t’i paguante atij 12 milionë euro dhe Interi 9 250 euro. Për përfaqësuesit ligjorë të ish-lojtarit, Interi kishte kërkuar që lojtari të përgjohej. Nga viti 1999-2000, ish-presidenti i “Telecom Italia”, Marko Tronketi Provera, presidenti i Interit, Masimo Morati dhe Xhiakino Faketi (drejtues i ekipit deri në 2006-n) kishin vendosur që t’i drejtoheshin Xhuliano Tavarolit, shef i sigurisë së brendshme të “Telecom”-it, për t’u informuar se si klubet e tjera të futbollit ndiqnin jetën e lojtarëve të tyre. Por, në atë rast, nuk ishte folur për nevojën e të kontrolluarit të Vierit. Ish-kampioni zikaltër më pas kishte denoncuar për kontrollet e tabulateve telefonike dhe përgjimet, që i kishin krijuar shumë depresion. Detyra për të mbledhur të dhënat erdhi në 2000-2003 nga Adamo Bove, drejtori i sigurimit, i cili u vetëvra në 2006-n. Sipas dëshmive, ai kishte marrë një telefonatë në atë kohë nga sekretarja e Tavarolit, dhe më pas ia ngarkoi detyrën një hetuesi privat. Në vazhdim, Tavaroli takoi presidentin Morati, që i foli atij për shqetësimet për jetën që bënte Vieri. Hetuesi privat u pagua nga Interi. Sulmuesi denoncoi për dëmet psikologjike dhe veçanërisht pagjumësi e depresion, pasi u përndoq nga viti 2000 deri në 2004-n. Në përfundim të çështjes, Gjykata vendosi që të dyja shoqëritë duhet që të konsiderohen përgjegjëse për dëmin që i kanë shkaktuar Vierit. Gjithashtu, pala e dënuar do të duhet të paguajë edhe për shpenzimet e gjyqit, që kapin shifrën e 38.195 eurove. Për të kontrolluar gjendjen e ish-lojtarit, avokati kërkoi që ai të vizitohej nga një mjek dhe një psikolog për të parë shkallën e problemit mendor të tij. Avokati i Vierit u shpreh se ky vendim është historik, që do të shërbejë për të mbrojtur të drejtat e futbollistëve.











