Sot pritet që Federata Shqiptare e Peshëngritjes të përjashtohet për një kohë të gjatë nga të gjitha veprimtaritë. Federata Botërore do të mblidhet dhe shqyrtojë sot edhe rastin e FSHP-së, e cila u pezullua para disa ditësh për shkak të rasteve të përsëritura të sportistëve me doping. Një ngjarje që mund të sjellë më e pakta një gjobë prej 100 mijë dollarësh, e cila i kalon sërish si barrë taksapaguesve. Por, ish-presidenti i kësaj Federate, Gudar Beqiraj, mendon se problemi duhet të marrë zgjidhje duke filluar me gjestin qytetar të drejtuesve të federatës, atë të dorëheqjes. “Ky është minimumi që duhet bërë nga drejtuesit. Të gjitha federatat janë në prag të zgjedhjeve në fund të fundit. Për mua, kjo do të ishte gjëja më e ndershme. Nuk është faji i sportistit që ndodhi kjo gjë. Pulaku është stërvitur jashtë shtetit dhe faji i federatës është që nuk ka grumbulluar sportistët para një eventi si Olimpiada, ku të bëheshin të gjitha kontrollet”, thekson Beqiraj.











