Skandal bastesh në Itali, arrestohen edhe dy shqiptarë

Jun 2, 2011 | 12:44

Bastet trondisin Italinë. Ish-lojtarë, biznesmenë, por edhe protagonistë të sezonit që sapo u mbyll, janë vënë nën pranga me akuzën e trukimit të 18 ndeshjeve në kampionatin e Serisë B dhe C.Krimet e supozuara janë pjesëmarrja në organizata kriminale dhe zhvatje. Mes 16 të arrestuarve është edhe Xhuzepe Sinjori: për ish-kapitenin e Lacios, që njëkohësisht ka qenë edhe sulmues i Kombëtares italiane, është vendosur arrest shtëpie. Ndërkohë, janë 28 të hetuarit e operacionit “Basti i fundit”, mes të cilëve kapiteni i Atalantës, Kristiano Doni, si dhe dy shqiptarë, Ismet Mehmeti dhe Antonio Shytaj. Nën hetim janë në fakt tri ndeshjet e Atalantës dhe një e Sienës, të dyja skuadra që këtë sezon janë ngjitur në Serinë A dhe tani rrezikojnë shumë. Mes të hetuarve është edhe Stefano Betarini, Mauro Bresan dhe Antonio Belavista. Por, operacioni vazhdon ende dhe lista mund të zgjatet. Në total janë 18 ndeshjet e hetuara, mes të cilave 5 nga Seria B dhe 1 nga Seria A, Inter-Leçe.
Organizata kriminale
Hetimi që ka sjellë 7 urdhra arresti për paraburgim dhe 9 arreste shtëpie, ka filluar (sipas asaj që shpjegon shefi i skuadrës së Kremonës që drejtoi çështjen) pas një episodi në mes të muajit nëntor 2010. Disa lojtarë janë droguar për të mos qenë në maksimumin e formës së tyre. Futbollistët dhe ish-ët e ndaluar, mendohej të ishin pjesë e një organizate kriminale, objektivi i së cilës ishte të manipulonte ndeshjet, në të cilën secili prej tyre kishte detyra specifike. Të hetuarit mendohet që ta kenë realizuar pjesërisht qëllimin e tyre, nëpërmjet marrëveshjeve verbale dhe atyre me natyrë financiare.
Sinjori
Për Xhuzepe Sinjorin akuzat janë shumë të rënda. Sipas akuzave të gjyqtarit, hetues të Kremonës, Guido Salvini, ish-bomberi ka marrë pjesë bashkë me një sërë njerëzish të tjerë në vënien e basteve mbi ndeshjet e trukuara dhe në veçanti, për atë Inter-Leçe, ku ka vendosur 150 mijë euro.
Seria B
Efektet e hetimit mund të jenë shumë të rënda. Gjyqtari hetues, Salvini, ka theksuar se mendohet që organizata kriminale të ketë falsifikuar disa rezultate në ndeshjet e disa kampionateve, sidomos në atë të Serisë B. Atalanta dhe Siena sapo janë ngjitur në Serinë A dhe ato janë dy nga skuadrat e përfshira në hetim. Për sa i përket zikaltërve, kapiteni Kristiano Doni, hetohet për bashkëpunim me organizatën për të mundësuar që ndeshja mes Atalantës dhe Piaçencës e datës 19 mars, të përfundonte me të paktën 3 gola, duke favorizuar kështu disa subjekte që kishin vënë bast për këtë rezultat. Ajo ndeshje përfundoi 3-0 për Atalantën.
Arrestimet
Kanë përfunduar në pranga edhe mbrojtësi i Askolit, Vitorio Mikoluçi, mesfushori Vinçenco Someze dhe Xhanfranko Parlato, ish-lojtar i Serisë B dhe C. Ky i fundit mbante kontakte me drejtuesit e organizatës, ndërsa Someze, mendohet të ketë qenë organizator, ndërmjetës dhe bastexhi. Në veçanti mendohet se mbante kontaktet me Marko Piranin e Ankonës, një dentist. Mesa duket, Mikoluçi dhe Someze kishin probleme ekonomike. Në dy ndeshjet që hetohen (Askoli-Atalanta dhe Livorno-Askoli), Mikoluçi ishte impenjuar që të kushtëzonte ndeshjen drejt humbjes si nëpërmjet rendimentit të tij, ashtu dhe duke ndikuar te shokët e skuadrës. Të dyja ndeshjet më pas përfunduan barazim, por bëhet e ditur se Aksoli dhe Kremoneze si shoqëri, nuk janë nën hetim. Mësohet se të përfshirë në këtë skandal bastesh dhe trukimesh janë edhe agjenci të lira bastesh, ndërkohë që nën hetim janë në tërësi përafërsisht 30 njerëz.

Ndeshjet e trukuara

SERIE A
20 mars 2011
Inter-Leçe    (1-0)

SERIE B
25 shkurt 2011
Livorno-Askoli    (1-1)
12 mars 2011
Askoli-Atalanta    (1-1)
19 mars 2011
Atalanta-Piaçenca    (3-0)
26 mars 2011
Padova-Atalanta    (1-1)
27 mars 2011
Siena-Sasuolo    (4-0)

SERIE C/A
17 tetor 2010
Kremoneze-Specia    (2-2)
14 nëntor 2011
Kremoneze-Paganeze    (2-0)
21 nëntor 2010
Monza-Kremoneze    (2-2)
16 janar 2011
Spal-Kremoneze    (1-1)
27 shkurt 2011
Verona-Ravena    (4-2)
10 mars 2011
Rexhiana-Ravena    (3-0)
20 mars 2011
Alesandria-Ravena    (2-1)
27 mars 2011
Ravena-Specia    (0-1)

SERIE C/B
13 shkurt 2011
Benevento-Viarexhio    (2-2)
28 shkurt 2011
Benevento-Kozenca    (3-1)
13 mars 2011
Taranto-Benevento    (3-1)
21 mars 2011
Benevento-Piza    (1-0)

Rrezikohen “play-off” dhe “play-out”

Shumë skuadra të përfshira në këtë skandal të fundit të futbollit italian mund të çorientojnë të gjithë sistemin. Duke qenë që skuadra, si Atalanta dhe Siena janë ringjitur në Serinë A, por në të njëjtën kohë hetohen për trukime të ndeshjeve në këtë sezon të Serisë B, një dënim i tyre mund të ndërrojë të gjithë renditjen e kategorisë së dytë dhe në të njëjtën kohë, “play-off”-et dhe “play-out”-et që lidhen me ngjitjen në Serinë A dhe zbritjen në Serinë C. Ndonëse Federata ka theksuar se gjithçka do të vazhdojë normalisht deri tani, kundrejt një dënimi të Atalantës ose Sienës, ose dhe të të dyjave bashkë, ky fakt mund të çorientojë gjithashtu edhe fatin e caktimit të kalendarëve për sezonin e ardhshëm.

© Panorama.al

Te lidhura