
Erërat e forta kanë përkeqësuar situatën e zjarreve mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Arës të Miliskajës në Pukë.
Raportohet se zjarri tashmë është në një disatncë të afërt, prej 100 metrash nga shtëpitë e banuara. Shtabi e emergjencave dhe komuna po përgatiten për një evakuim eventual të banorëve të fshatit.
Gjatë ditës situata e zjarreve në Pukë kishte pësuar përmirësim për shkak të operacioneve nga ajri me dy avionë, por mbrëmja ka sjellë mot me erë të fortë që ka ndihmuar në përkeqësimin e situatës.
Nga informacionet e fundit të ministrisë së Brendshme, numri i vatrave të zjarrit në të gjithë vendin ka rënë në 17, ndërsa avionët dhe helikopterët e ardhur në ndihmë nga vende të huaja kanë vijuar edhe sot fluturimet për shuarjen e zonave me problematike në verilindje të vendit.
© Panorama.al











